Pse u ngadalësuan vit pas viti pikërisht reformat që përcaktojnë ritmin e negociatave me BE-në?

Maqedonia e Veriut ka shënuar përmirësim të vogël në përgatitjen për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga viti 2023 deri në vitin 2026, por ritmi i reformave në fushat themelore është ngadalësuar çdo vit. Në 27 nga 33 kapitujt e analizuar, vlerësimi i përgatitjes ka mbetur i pandryshuar gjatë katër cikleve të raportimit. Digjitalizimi dhe arsimi kanë shënuar përmirësime, ndërsa gjyqësori, prokurimi publik dhe pjesë të tregut të brendshëm vazhdojnë të kenë ngecje, shkruan Portalb.mk.

Këto dallime dalin nga analiza e Institutit Prespa, “The Cost of Standing Still”. Dokumenti krahason vlerësimet e Komisionit Evropian për katër vite, në gjashtë klasterët, përkatësisht grupet e kapitujve që mbulojnë fusha të ndryshme të procesit të anëtarësimit.

Çfarë tregojnë shifrat dhe si duhen lexuar

Mesatarja e përgatitjes për 33 kapitujt është rritur nga 3,03 në vitin 2023, në 3,09 më 2024, 3,11 më 2025 dhe 3,14 më 2026. Përparimi vjetor ka lëvizur nga 1,42 në 1,33, është kthyer në 1,42 më 2025 dhe ka rënë në 1,36 më 2026. Pra, përgatitja e grumbulluar ndër vite është rritur pak, ndërsa ritmi vjetor ka luhatje.

Përgatitja tregon nivelin e arritur: 1 nënkupton fazë të hershme, 2 nivel të caktuar përgatitjeje, 3 përgatitje mesatare, 4 nivel të mirë dhe 5 nivel shumë të avancuar. Gjysmëpikët tregojnë vlerësime ndërmjet kategorive. Përparimi vjetor tregon ndryshimin gjatë periudhës së raportimit: -1 nënkupton prapakthim, 0 mungesë përparimi, 1 përparim të kufizuar, 2 përparim të caktuar, 3 përparim të mirë dhe 4 përparim shumë të mirë. Rënia e ritmit nuk nënkupton automatikisht humbje të nivelit të përgatitjes.

Këto mesatare janë përllogaritje analitike mbi vlerësimet cilësore të KE-së, jo nota zyrtare të Komisionit dhe as përqindje e përfundimit të negociatave. Vitet tregojnë vitin e raportit; Raporti i vitit 2026 mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026.

Infografik nga Portalb.mk. Mesatarja e përparimit vjetor sipas klasterëve

Burimi: përllogaritje nga tabela e Institutit Prespa, faqet 11–12, sipas metodologjisë në faqen 20. Çdo kapitull ka peshë të barabartë brenda klasterit. Për “Themeloret” përfshihen pesë kapitujt e vlerësuar numerikisht, jo të gjitha fushat politike që mbulon ky klaster. Vlerat janë rrumbullakosur në dy shifra dhjetore.

Themeloret ngadalësohen në secilin nga katër raportet

Në klasterin e parë, mesatarja e përparimit vjetor zbret nga 1,60 më 2023 në 1,00 më 2026, me rënie në çdo raport. Përgatitja rritet nga 2,90 në 3,00 më 2024, falë përmirësimit në statistika, dhe mbetet aty edhe në dy vitet pasuese.

Kapitulli 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, qëndron në 2,5 gjatë gjithë periudhës. Kapitulli 24, “Drejtësia, liria dhe siguria”, kalon nga përparimi i caktuar më 2023–2024 në përparim të kufizuar më 2025–2026. Prokurimi publik, pas tre raporteve me përparim të kufizuar, më 2026 shënon mungesë përparimi.

Siç ka raportuar Portalb.mk, KE-ja për vitin 2026 konstaton edhe mungesë përparimi në luftën kundër korrupsionit. Rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të zvarriten dhe shpesh parashkruhen. Kjo e bën ngecjen në këtë klaster veçanërisht të rëndësishme, pasi “Themeloret” hapet i pari, mbyllet i fundit dhe përcakton ritmin e negociatave.

Tregu i brendshëm mbetet me ritmin më të ulët të përparimit

Klasteri i dytë ka mesataren më të ulët të përparimit vjetor më 2026, 0,78, ndërsa më 2023 ishte 1,00. Përgatitja rritet vetëm nga 2,89 në 2,94, pas përmirësimit të lëvizjes së lirë të kapitalit më 2025.

Lëvizja e lirë e mallrave nuk shënon përparim në tri raportet e fundit. E drejta e shoqërive tregtare ka nivel të mirë përgatitjeje, 4, por nuk shënon përparim në asnjërin nga katër raportet. Lëvizja e lirë e punëtorëve mbetet në fazë të hershme të përgatitjes, me vlerën 1, megjithëse më 2026 shënon përparim të kufizuar pas miratimit të ligjit për punëtorët sezonalë.

Digjitalizimi dhe arsimi përmirësojnë klasterin e konkurrueshmërisë

Klasteri i tretë, “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, ka ritmin më të lartë të përparimit më 2026, me mesatare 2,12. Përgatitja rritet nga 3,31 më 2023 në 3,50 më 2026.

Transformimi digjital dhe mediat kalojnë nga përparimi i kufizuar më 2023–2024, në përparim të caktuar më 2025 dhe përparim të mirë më 2026. Përgatitja në këtë kapitull rritet nga 3 në 3,5, ashtu si edhe në arsim dhe kulturë më 2026. Shkenca dhe hulumtimi ruajnë nivelin 4 të përgatitjes dhe shënojnë përparim të mirë në dy raportet e fundit.

Megjithatë, vlerësimi pozitiv për kapitullin e transformimit digjital dhe mediave nuk do të thotë se është përmirësuar liria e medias. Kjo vlerësohet veçmas në kuadër të të drejtave themelore dhe, për vitin 2026, KE-ja konstaton mungesë përparimi.

Agjenda e gjelbër mbetet në të njëjtin nivel përgatitjeje

Në klasterin e katërt, “Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme”, përgatitja mbetet 3,00 në të katër vitet. Përparimi vjetor rritet nga 1,25 më 2023 në 1,50 më 2024 dhe qëndron aty më 2025–2026.

Mjedisi dhe ndryshimet klimatike mbeten pika më e dobët e këtij klasteri, me përgatitje 2 dhe përparim të kufizuar në çdo raport. Transporti kalon nga përparimi i kufizuar më 2023 në përparim të caktuar në tri vitet pasuese. Energjia ruan përparimin e caktuar gjatë gjithë periudhës, pa kaluar në kategori më të lartë përgatitjeje.

Bujqësia humb ritmin pas përmirësimit të vitit 2024

Në klasterin e pestë, “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, përgatitja mbetet 2,80. Përparimi vjetor rritet nga 1,40 më 2023 në 2,00 më 2024, por më pas bie në 1,60 më 2025 dhe 1,20 më 2026.

Bujqësia dhe zhvillimi rural kalojnë nga përparimi i mirë më 2024 në përparim të caktuar më 2025 dhe të kufizuar më 2026. Edhe siguria ushqimore ngadalësohet në raportin e fundit, megjithëse ruan nivelin e mirë të përgatitjes. Dispozitat financiare dhe buxhetore mbeten në fazë të hershme të përgatitjes në të katër raportet.

Marrëdhëniet e jashtme ruajnë përgatitjen më të lartë

Klasteri i gjashtë ka përgatitjen më të lartë më 2026, me mesatare 4,00, krahasuar me 3,50 më 2023. Ky nivel është arritur më 2024 dhe është ruajtur edhe në dy raportet pasuese. Përparimi vjetor, ndërkaq, luhatet mes 2,00 dhe 2,50.

Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes shënon përparim të mirë në të katër raportet, me harmonizim të plotë me politikën e jashtme të BE-së më 2026. Kapitulli tjetër i këtij grupi, marrëdhëniet e jashtme, kalon nga përparimi i caktuar më 2025 në përparim të kufizuar më 2026, duke ulur mesataren vjetore të klasterit.

Përmirësimi teknik ende nuk ka sjellë hapjen e klasterit të parë

Sipas analizës, Maqedonia e Veriut i nisi formalisht negociatat më 2022 dhe e përfundoi skriningun, por deri në raportin e vitit 2026 nuk kishte hapur asnjë klaster. Ndryshimet kushtetuese mbeten kusht për konferencën e ardhshme ndërqeveritare. Hapja e “Themeloreve” kërkon edhe përmbushjen e kritereve përkatëse në sundimin e ligjit, administratën publike dhe të drejtat e pakicave.

Për rezultatet e kësaj analize Portalb.mk raportoi edhe më 10 nëntor.

Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.

Eurointegrime Negociata RMV-BERaporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për Maqedoninë