Në lidhje me pjesëmarrjen e Marjan Stamenkovskit në një emision, ka reaguar Këshilli i Nderit në Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, duke e cilësuar si të papranueshme, pasi përkujtojnë se Stamenkovski është dërguar për ksenofobi dhe shpërndarje të materialeve racist në sistemin kompjuterik, transmeton Portalb.mk.
“Këshilli reagon dhe shpreh shqetësim serioz në lidhje me emisionin “Agnesa Show”, i transmetuar në median online A1on, duke i dhënë hapësirë personit Marjan Stamenkovski, i njohur në publik si ish-pronar i DokazM”, reaguan nga Këshilli, duke përkujtuar se ai kishte penguar dhe kërcënuar gazetaren dhe familjen e saj.
Ata vlerësojnë se hapësira mediatike duhet të përmbajë një përgjegjësi në lidhje me përhapen e urrejtjes, ksenofobisë, diskreditimit dhe frikësimit të gazetarëve, për këtë kërkojnë nga redaktorët edhe punonjësit e mediave të përzgjedhin bashkëbiseduesit.
Gjykata Penale – Shkup në prill të vitit 2023 e dënoi me tre vjet e një muaj burgim pronarin e portalit “DokazM”, Marjan Stamenkovski. Sipas verdiktit, ai përmes portalit të tij ka keqpërdorur të dhënat personale, për të cilat do të duhet të paguajë një gjobë prej 5 mijë euro. Ai e ka të ndaluar të krijojë postime publike në çfarëdolloj uebfaqe të regjistruar si e tij, ndalesa e tillë vlen për dhjetë vite.
Gjykimi i Marjan Stamenkovskit nga DokazM filloi më 7 mars, ndërsa ishte arrestuar më 9 shkurt të vitit 2023.