Weitz në Kuvend: Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm kusht për BE-në, por investim në të ardhmen e shtetit

Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), por mbi të gjitha çështje e besimit të qytetarëve te institucionet dhe sistemi juridik, tha eurodeputeti dhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Thomas Weitz, në sesionin e parë të Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE – Maqedoni e Veriut në Kuvend, i cili iu kushtua pikërisht kësaj teme, transmeton Portalb.mk.

Duke folur në këtë kontekst, eurodeputeti theksoi se asnjë vend nuk është i çliruar nga dukuritë korruptive, por dallimi qëndron në mënyrën se si institucionet në secilin vend reagojnë dhe përballen me këtë problem.

“Të gjitha vendet anëtare të BE-së luftojnë me korrupsionin, asnjë anëtar nuk është i përsosur. Ne luftojmë për ta forcuar sundimin e ligjit, por ka dallime edhe mes nesh. Në vende të ndryshme anëtare ka nivele të ndryshme korrupsioni. Edhe në Austrinë time ka raste të mëdha korrupsioni, por dallimi është se shumë njerëz të pasur përfundojnë në burg”, tha Weitz.

Ai përmendi si shembull një skandal korrupsioni në Austri, ku arrestimi dhe paraburgimi i personit përgjegjës për veprat korruptive ndikoi menjëherë në rritjen e besimit të qytetarëve te institucionet e sistemit.

“Njerëzit panë se edhe një nga njerëzit më të pasur në Austri do të dalë para gjykatës, se mund të paraburgoset për një vepër të rëndë. Ai u kushtoi miliarda euro tatimpaguesve. Apeloj se nuk bëhet fjalë vetëm për përmbushjen e detyrimeve ndaj BE-së, por bëhet fjalë për investim në shoqërinë tuaj, në vendin tuaj, në funksionimin e institucioneve tuaja, investim në besimin te sistemi. Nëse nuk mund t’i bindni qytetarët se drejtësia vlen për të gjithë, kjo u jep njerëzve arsye të largohen”, tha Weitz.

Në këtë drejtim, eurodeputeti foli edhe për emigrimin e të rinjve, duke paralajmëruar se kjo është një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e shtetit, pasi me largimin e tyre humbet një pjesë e së ardhmes së vendit. Ai tha se ka biseduar me shumë të rinj në vend, të cilët janë ankuar se, nëse nuk kanë lidhje dhe nuk vijnë nga familja e duhur, vështirë se mund ta sigurojnë vendin e dëshiruar të punës.

“Pavarësisht nëse kjo është e vërtetë apo jo, vetë fakti që të rinjtë e kanë këtë perceptim është një shtytës i madh i largimit të trurit. Si austriak do të them: ‘Sa bukur, ejani tek ne në Austri, ne kemi nevojë për njerëz të kualifikuar, për njerëz të arsimuar!’ Por e di se çfarë efekti ka kjo në shoqëri. Unë jam këtu si mbështetës i Maqedonisë së Veriut dhe i gjithë rajonit. Dhe dua t’ju paralajmëroj se nëse të rinjtë largohen, largohet edhe një pjesë e së ardhmes së vendit, dhe kjo lidhet me besimin te institucionet, besimin te drejtësia dhe besimin te institucionet tuaja”, tha Weitz.

Duke iu referuar Agjendës së Reformave, eurodeputeti tha se duhet të vazhdohet me avancimin e sistemit të drejtësisë dhe me ndryshimet në Kodin Penal, në mënyrë që vendi të mund t’i shfrytëzojë fondet nga mekanizmat evropianë të mbështetjes.

“Nëse një shtet nuk i zbaton reformat në kohë, ato para shkojnë te vendet fqinje. Sa jam i informuar, keni një mundësi reale për të marrë fonde të konsiderueshme shtesë, ndoshta 70-80 milionë euro. Por nuk bëhet fjalë vetëm për paratë. Duhet t’u shërbeni qytetarëve me një sistem që jo vetëm është efikas, por edhe krijon besim te popullsia. Në fund të fundit, në shtete dhe shoqëri, gjëja kyçe është nëse qytetarët kanë besim te sistemi”, tha Weitz.

Euroambasadori Mihalis Rokas, në fjalën e tij, përshëndeti harmonizimin e Maqedonisë së Veriut me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe rolin e saj aktiv si anëtare e NATO-s.

Ai vlerësoi se ka përparim në Agjendën e Reformave dhe Planin e Rritjes, por theksoi se për hapjen e negociatave në kuadër të klasterit “Themeloret” nevojiten hapa shtesë.

“Qëllimi ynë politik mbetet hapja e negociatave për Klasterin ‘Themeloret’, sapo të përmbushen kriteret e miratuara nga Këshilli. Dhe e dini se kjo nënkupton para së gjithash përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Dhe për këtë nevojitet mbështetja e Kuvendit”, tha Rokas.

Ambasadori irlandez Brendan Ward, vendi i të cilit aktualisht kryeson Këshillin e BE-së, tha se zgjerimi shihet si një investim jetik gjeostrategjik dhe u bëri thirrje partive politike në vend të punojnë për konsensus për reformat e nevojshme për përparim në procesin e anëtarësimit.

“Do ta përfundoj duke përsëritur se me padurim presim që Maqedonia e Veriut të ndërmarrë veprimet që do të mundësojnë përparim të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit. I inkurajojmë të gjitha partitë në parlament të punojnë për konsensus ndërpartiak, në mënyrë që të ketë fokus të përbashkët dhe të ndërmerren hapat konkretë të nevojshëm për përparim në procesin e anëtarësimit”, tha Ward.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Bashkimi Evropian (BE)Korrupsion - RyshfetThomas Waitz Tomas Uajc