Ministria e Kulturës dhe Turizmit në Maqedoninë e Veriut ka shpallur katër fituesit e Çmimit Shtetëror “Shën Klimenti i Ohrit”. Në mesin e fituesve është edhe profesori dhe shkrimtari Ali Pajaziti, transmeton Portalb.mk.
“Në fushën e edukimit dhe arsimit, çmimi u ndahet: prof. dr. Icko Gjorgoski, biolog; prof. dr. Violeta Açkoska, historiane; prof. dr. Ali Pajaziti, profesor universitar. Në fushën e kulturës dhe artit, çmimi i ndahet prof. mr. Jovan Shumkovski, artist figurativ.”, njoftoi Këshilli për ndarjen e Çmimit Shtetëror “Shën Klimenti i Ohrit”.
Fituesit do të marrin çmimet më 8 dhjetor në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Ministria për Kulturë dhe Turizëm prej 25 shtatorit e deri më 15 tetor ka pranuar aplikime në Konkursin për ndarjen e Çmimit Shtetëror “Shën Klimenti i Ohrit” për vitin 2026-të.
Ky Çmim jepet për arritjet në edukim, arsim, kulturë, art, shëndetësi, mbrojtje, mjedis jetësor dhe veprimtaritë sociale në Maqedoninë e Veriut. Çmimi Shtetëror “Shën Klimenti i Ohrit” jepet më 8 dhjetor, ndërsa për herë të parë është ndarë në vitin 1969.