Studentët e Maqedonisë së Veriut ende vazhdojnë të presin bursën shtetërore për suksesin e arritur në Kampionatin Botëror Universitar të Sporteve Luftarake. Edhe pse ka kaluar pesë muaj që nga mbajtja e garës, institucionet shtetërore heshtin për miratimin e bursës që u takon studentëve në bazë të ligjit. Për këtë problem, një muaj më parë ka raportuar edhe Portalb.mk. Përveç pritjes së bursës, ato po përballen edhe me mungesën e një përgjigjeje konkrete nga institucionet shtetërore për arsyet e vonesës dhe afatin kur pritet të zgjidhet kjo çështje, shkruan Portalb.mk.
Sportistja Rudina Aliu, në një deklaratë për Portalb.mk, tha se pas gati pesë muajsh pritjeje, përgjigjja që kanë marrë nga institucionet nuk ka dhënë asnjë sqarim konkret, nuk ka identifikuar pengesat dhe nuk ka përcaktuar ndonjë afat për zgjidhjen e çështjes së bursës.
“Ne nuk kërkuam fjalë të përgjithshme, por kërkuam transparencë dhe përgjegjësi. Një përgjigje e shkurtër, pa argumente dhe pa shpjegime, nuk e zgjidh problemin dhe nuk i jep fund pritjes sonë. Ne e kemi përfaqësuar shtetin me dinjitet dhe kemi sjellë medalje. Sot kërkojmë që shteti të na trajtojë me të njëjtin dinjitet. Nuk kërkojmë privilegj. Kërkojmë të drejtën tonë. Dhe meritojmë më shumë se një përgjigje formale pa asnjë sqarim konkret. Heshtja dhe përgjigjet e paqarta nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë institucionale”, tha Aliu.
Ajo shtoi se është thellësisht dëshpëruese të fitosh një medalje botërore, të përfaqësosh shtetin me krenari dhe të sakrifikosh kohë, mund e vite të jetës për sportin, për t’u përballur më pas me pritje, paqartësi dhe përgjigje që nuk ofrojnë zgjidhje.
“Nuk ka zhgënjim më të madh sesa të ngrihesh në podiumin botëror për vendin tënd, e më pas të ndihesh sikur vendi yt të ka harruar. Shteti duhet të jetë mbështetësi më i madh i sportistëve të tij, jo një institucion që mbyll sytë përballë sakrificave dhe sukseseve të tyre. Sportistët kanë nevojë për mbështetje konkrete, përgjegjësi dhe drejtësi, jo për heshtje dhe mungesë të zgjidhjeve konkrete”, nënvizoi ajo.
Aliu theksoi se përkrahja e sportit nuk dëshmohet me fjalë dhe deklarata krenarie, por me veprime konkrete, zbatimin e ligjit dhe respektimin e sportistëve që përfaqësojnë vendin.
Edhe sportistët e ekipit të djemve presin përgjigje për bursat. Sportisti Vukashin Jovanoviç, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ngriti shqetësimin për mungesën e një përgjigjeje nga institucionet shtetërore lidhur me kërkesën e tyre për bursë pas suksesit të arritur në Kampionatin Botëror Universitar në Brazil.
Ai shkroi se ekipi përfaqësoi Maqedoninë e Veriut në skenën ndërkombëtare dhe arriti një rezultat historik, pas vitesh stërvitjeje, sakrificash dhe investimesh.
“Pas këtij suksesi qëndrojnë vite stërvitjeje, sakrificash, investimesh dhe një dëshirë e madhe që flamuri maqedonas të jetë ndër më të mirët. Jemi krenarë për atë që është arritur, por mbetet një pyetje e rëndësishme. Ligji për Sportin njeh rezultatet më të mira sportive dhe në nenin 36 i liston Kampionatet Botërore Universitare si një garë, rezultatet e së cilës merren parasysh gjatë përcaktimit të kategorisë sportive”, shkroi ai.
Jovanoviç shtoi se ekipi e përfaqësoi Maqedoninë e Veriut me sukses, duke shënuar pesë fitore në pesë ndeshje dhe duke zënë vendin e parë në kampionat.
“Ajo që ende presim është një përgjigje nga Ministria e Sportit në lidhje me bursën dhe të drejtat që rrjedhin nga rezultati i arritur. Ne nuk po kërkojmë një privilegj apo trajtim të veçantë. Ne kërkojmë një përgjigje dhe veprim të qartë në përputhje me ligjin”, shtoi në fund Jovanoviç.
Është hera e dytë që Portalb.mk ka kontaktuar edhe Ministrinë e Sportit për të marrë sqarime lidhur me këtë çështje, herën e parë u përgjigjen shkurt duke thënë se procedura është në shqyrtim pa ndarë më shumë detaje, ndërsa herën e dytë nga atje heshtin dhe deri në publikimin e këtij teksti nuk janë përgjigjur.
Mes tjerash neni 36 i ligjit për Sport në RMV thotë: Atletëve u jepen kategoritë sportive bazuar në rezultatet e tyre në garat zyrtare, kampionatet kombëtare, kampionatet evropiane dhe botërore, kampionatet botërore universitare dhe Lojërat Olimpike verore dhe dimërore. Gjatë përcaktimit të kategorisë sportive, vlerësohen vetëm rezultatet e arritura në garat zyrtare ndërkombëtare që janë në kalendarin e shoqatave evropiane dhe botërore dhe kampionateve kombëtare.
Ndryshe, në një konkurrencë të fortë ndërkombëtare, me mbi 1.500 sportistë nga e gjithë bota, ekipi i vajzave, Rudina Aliu, Gresa Mustafai, Jovana Micovska dhe Viktorija Jovanovska, arritën të sigurojnë rezultat historik, pas fitoreve bindëse ndaj Australisë dhe Kilit. Ekipet e Maqedonisë së Veriut, shpeshherë kanë marrë vende dhe medalje në gara ndërkombëtare në sporte të ndryshme. Derisa sportistët vazhdimisht janë ankuar për mungesën e mbështetjes së duhur nga ana e institucioneve vendore.
Nga ana tjetër, me vite të tëra salla Partizani në Çair po qëndron e demoluar dhe e pa përdorshme, derisa paralajmërimet për renovimin e saj po zvarriten. Së fundmi aty kishte edhe mbeturina të cilat hidheshin nga persona të panjohur. Paralajmërimi për rikonstruimin e sallës Partizan në Çari, u bë më 17 shtator 2024 në seancën e 20-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe miratimin e Programit për ndërtimin dhe rekonstruktimin e objekteve sportive për vitin 2024 nga ana e Ministrisë për Sport. Derisa rikonstruimi i plotë është paralajmëruar se do të kushtojë 1.5 milion euro. Salla është shndërruar në çerdhe e shpezëve ndërsa të rinjtë e shfrytëzojnë për drift me motoçikleta por edhe për grafite.
- LEXO: “Nuk kërkojmë favor, por zbatimin e ligjit”, ka tre muaj që sportistet me medalje botërore nuk kanë marrë bursat
- LEXO: Rudina Aliu në #TROÇ flet për vajzat që merren me sporte luftarake
- LEXO: Salla “Partizani” në Çair pritet të jetë gati për 2 vjet, Qeveria planifikoi 100 milionë denarë investime