Pavarësisht promovimit të vazhdueshëm nëpër rrjete sociale dhe deklarata të funksionarëve shtetërorë për rrugën Tetovë – Prizren, zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shqiri për Portalb.mk thotë se ende nuk ka projekt final, ndërsa tenderimi për pjesën më kritike të projektit, tunelin e përbashkët pritet të shpallet së shpejti, pa afat konkret. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren ishte 18 muaj, por ky afat tani më është tejkaluar.
Nuk ka ende afat konkrete se kur do të fillojë dhe përfundojë rruga Tetovë – Prizren.
Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri për Portalb.mk deklaroi se ka vetëm projekt fillestar dhe jo projekt final.
“Ajo që është me rëndësi është se në buxhetin e Rrugëve Shtetërore janë të ndara mjetet për hapjen e tenderimit kryesor, dy milionë euro diku përafërsisht. Kur do ta kemi një projekt final, atëherë mund të dimë edhe kohëzgjatjen dhe të gjithë këta parametra”, tha Zekolli Shaqiri.
Pjesa më kritike e projektit është tuneli i përbashkët, për këtë zëvendësministrja thotë se zgjedhjet në Kosovë kanë ndikuar në zvarritjen e së njëjtës.
“Nga ana e tyre njëherë nuk patën hasur ndonjë vërejtje teknike, tani ekipi i ri apo Qeveria e re kanë hasur disa vërejtje teknike, i kanë eliminuar të njëjtat, na kanë dhënë përgjigje pozitive dhe besoj që tenderimi duhet më të hapet shumë shpejt në këtë drejtim”, tha Zekolli Shaqiri.
Ajo tha se të hënën kanë konferencë në Prishtinë, ku pret të takohet me homologun e saj nga Kosova, Dimal Basha, për të parë edhe më tutje se si do te ecë kjo procedurë.
Para pak javësh, kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e dha, siç e quajtën “lajmin e madh’ për fillimin e segmentit të rrugës Tetovë-Prizren që kalon mbi fshatin Shipkovicë. Segmenti të cilit i referohet Kasami është mbi fshatin Shipkovicë nga rruga Tetovë – Kodra e Diellit ku e njëjta pritet të vazhdojë mbi fshatrat Brodec, Veshallë deri në Bozofcë, ndërsa pjesa tjetër e rrugës pritet të zgjerohet. Kjo nuk i referohet projektit kryesor qendror për rrugën Tetovë – Prizren.
Kujtojmë se pas shumë zvarritjeve, në prill 2025 u formua grupi i përbashkët i punës midis RMV-së dhe Kosovës për këtë projekt. Paraprakisht, nga Ministria e Transportit të RMV-së kanë bërë të ditur se është ndarë buxheti për fazën e projektimit të tunelit.
Në Kosovë me 13 gusht 2024 filluan punimet për rrugën Prizren – Tetovë. Paraprakisht me 2 gusht 2024 Kosova nënshkroi kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt. Ndërsa më 23 maj 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar 2024 , vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.
18 muaj ishte afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, Por ky afat tani më është tejkaluar. Ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikoi ekskluzivisht.
Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.
Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por pa realizim deri më tani.
- LEXO: Rruga Tetovë – Prizren promovohet vazhdimisht, por tuneli zvarritet: Ende nuk dihet kur do të hapet tenderi
- LEXO: Derisa komuna lavdërohet për rrugën Tetovë – Prizren, projekti zvarritet në nivel qendror
- LEXO: Rruga Tetovë -Prizren: Komuna filloi ndërtimin e rrugës lokale, pushteti qendror vonon tenderin
- LEXO: Rruga Tetovë – Prizren: Detyra projektuese gati por zvarritet hapja e tenderit, nuk ka afat konkret