Mesatarisht rreth 50 raste të dhunës mes bashkëmoshatarëve raportohen çdo vit në shkolla gjatë tre viteve të fundit shkollore. Edhe pse numri i rasteve nuk është në rritje, brutaliteti i disa prej tyre mbetet shqetësues, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, shkruan Portalb.mk.
Ajo e tha këtë gjatë panelit “Dhuna dhe vandalizmi mes bashkëmoshatarëve”, të organizuar në Ohër me rastin e 12 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.
Janevska tha se parandalimi mbetet mënyra kryesore për trajtimin e këtij fenomeni. Ajo rikujtoi se, me ndryshimet ligjore të vitit të kaluar, shkollat janë të obliguara të organizojnë aktivitete për mirëqenien e nxënësve, mbrojtjen nga dhuna dhe parandalimin e diskriminimit. Sipas saj, po forcohen edhe shërbimet profesionale në shkolla dhe mbikëqyrja e nxënësve gjatë pushimeve.
Ministrja shtoi se analizat tregojnë se dhuna në familje dhe neglizhenca ndaj fëmijëve janë ndër shkaqet kryesore të dhunës mes bashkëmoshatarëve. Për këtë arsye, Ministria po bashkëpunon me institucionet përkatëse për të përmirësuar identifikimin e rasteve të dhunës dhe neglizhencës.
Ajo njoftoi gjithashtu se në procedurë parlamentare janë ndryshime ligjore që parashohin gjoba për prindërit ose kujdestarët e nxënësve që ushtrojnë dhunë ndaj bashkëmoshatarëve, si dhe për ata që refuzojnë të bashkëpunojnë me shkollat.
“Duhet të njohim, të parandalojmë dhe të raportojmë çdo formë të dhunës, të jemi empatikë dhe t’u ndihmojmë atyre që kanë nevojë për mbështetje”, tha Janevska.
Kujtojmë se rastet e dhunës mes të rinjve në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rritje gjatë periudhës së fundit, duke nxitur reagime të institucioneve. Përfaqësuesit shtetëror shpeshherë kanë hedhur fajin te prindërit dhe familja për shfaqjen e dhunës te të rinjtë. Ata kanë deklaruar se dhuna nuk fillon në shkollë, por më së shpeshti buron nga familja, duke theksuar se pa përfshirjen aktive të prindërve nuk mund të ketë luftë efikase kundër këtij fenomeni. Disa herë është bërë e ditur se përgatiten ndryshime ligjore të cilat parashikojnë gjobë prej 250 eurosh për prindërit e fëmijëve që ushtrojnë dhunë në shkollë, si dhe për ata që refuzojnë të bashkëpunojnë me shkollën dhe institucionet kompetente, me qëllim rritjen e përgjegjësisë dhe parandalimin e rasteve të reja të dhunës.