Prokuroria ngriti procedurë ndaj tre dhunueseve që e rrahën bashkëmoshataren në Kumanovë, dy prej të dyshuarave janë të mitura

Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka ngritur procedurë kundër një vajze 18-vjeçare, ndërsa për dy të mitura të moshës 15 dhe 14 vjeç është paraqitur kërkesë për fillimin e procedurës përgatitore te gjyqtari për fëmijë të Gjykatës Themelore në Kumanovë, pasi së bashku kanë marrë pjesë në veprime që përbëjnë veprën penale ‘Dhunë’, sipas nenit 386 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Më 13 mars të këtij viti, ato kanë thirrur një vajzë e cila atëherë ishte 13 vjeçe të dalë nga shtëpia me to dhe e kanë bindur të hyjë në një hapësirë të braktisur pranë qendrës sportive “Sokolana”.

“Aty viktimën e kanë fyer rëndë dhe e kanë sulmuar fizikisht, duke e goditur në fytyrë dhe trup dhe duke e tërhequr për flokësh. Dhunën e kanë incizuar me telefon, ndërsa vajzën e sulmuar e kanë kërcënuar me jetë nëse i tregonte dikujt për ngjarjen”, informoi Prokuroria Publike.

Prokuroria Publike, menjëherë pas publikimit të videos në rrjetet sociale, ka ndërmarrë veprime për sigurimin e provave, ndërsa për të dyshuarën madhore ka paraqitur edhe propozim për caktimin e masave të kujdesit ndaj gjykatës kompetente, paraqitje të detyrueshme në gjykatë, konfiskim të përkohshëm të dokumentit të udhëtimit dhe ndalim për t’iu afruar dhe për të vendosur kontakte me viktimën.

Lidhur me këtë rast edhe Ministria e Punëve të Brendshme dje parashtroi kallëzim penal ndaj tre vajzave të dyshuara për dhunë.

Ky është rasti i dytë i dhunës mes bashkëmoshatarëve për të cilin këtë muaj është publikuar video-incizim në rrjetet sociale. Rasti i mëparshëm ndodhi në lagjen Aerodrom në Shkup, ku një vajzë 12-vjeçare u sulmua nga bashkëmoshatarët e saj.

Kujtojmë se rastet e dhunës mes të rinjve në Maqedoninë e Veriut kanë shënuar rritje gjatë periudhës së fundit, duke nxitur reagime të institucioneve. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se dhuna nuk fillon në shkollë, por më së shpeshti buron nga familja, duke theksuar se pa përfshirjen aktive të prindërve nuk mund të ketë luftë efikase kundër këtij fenomeni. Ajo bëri të ditur se janë duke u përgatitur ndryshime ligjore që parashikojnë gjobë prej 250 eurosh për prindërit e fëmijëve që ushtrojnë dhunë në shkollë, si dhe për ata që refuzojnë të bashkëpunojnë me shkollën dhe institucionet kompetente, me qëllim rritjen e përgjegjësisë dhe parandalimin e rasteve të reja të dhunës.

Dhuna ndaj fëmijëveDhunë - DhunaProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMV