Sipas hulumtimit të fundit të Fondacionit Metamorfosis, përmes të cilit u zbatua një monitorim i mbulimit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024 në portalet informative online në Maqedoninë e Veriut, u vu re një prani e ulët e grave dhe çështjeve gjinore në raportimin mediatik dhe në reklamat politike me pagesë, gjë që mund të ndryshohet me rregulla të caktuara ligjore, transmeton Portalb.mk.
Këto ishin shkurtimisht konkluzionet e panelit të udhëhequr nga Biljana Bejkova, eksperte për media dhe gjini dhe Tatjana Boguseviç, eksperte ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe gjini. Ata i prezantuan gjetjet e hulumtimit të përbashkët për temat e lartpërmendura në kuadër të konferencës “Para, media dhe zgjedhje në Maqedoninë e Veriut”, të organizuar nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis, si dhe nga Zyra për Punë të Jashtme, Commonwealth dhe Zhvillim (FCDO) e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Hulumtimi konsistonte në monitorimin e 32 portaleve online, 11 partive politike dhe mbi 2.600 banderolave reklamuese me pagesë në periudhën nga 15 prilli deri më 10 maj të vitit 2024.
Me këtë hulumtim fillimisht u hulumtua se sa shpesh janë përmendur në portalet online bartësit meshkuj të listave zgjedhore, krahasuar me gratë bartëse të listave. Në rastin e VMRO-DPMNE-së lideri i partisë është përmendur 2.212 herë, ndërsa lideri i LSDM-së 874 herë. Bartësja e vetme grua e listës së VMRO-DPMNE-së është përmendur vetëm 111 herë. Sa i përket bartëseve të listave nga LSDM-ja, Sanja Llukarevska është përmendur 155 herë, ndërsa Sllavjanka Petrovska vetëm 97 herë. Krahasuar me këtë bartësit e tjerë meshkuj të listave nga të dyja palët janë përmendur rreth 200-300 herë.
Bejkova theksoi se ekzistojnë detyrime ndërkombëtare për barazinë gjinore, si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore apo Konventa e Stambollit, instrumente kombëtare si Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, por edhe detyrime të mediave të theksuara në Ligjin për Media dhe Ligjin për Shërbimet Audio dhe Audiovizuele.
“Ne themi se letra mban gjithçka – edhe rregullimin më të mirë edhe vetë-rregullimin më të mirë. Por këto gjëra në praktikë shpesh nuk zbatohen”, thotë Bejkova.
Krahas raportimit të pamjaftueshëm për gratë Bejkova theksoi se portalet online shpesh marrin deklarata diskriminuese pa i dënuar ato dhe pa u dhënë ndonjë kontekst.
Ajo gjithashtu përmendi se në video të caktuara të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve vihet re një prezantim joadekuat i marrëdhënieve gjinore. Në videot që kanë për qëllim t’i inkurajojnë qytetarët që të informohen për të drejtën e tyre të votës, gratë shfaqen nëpër parukeri, ndërsa meshkujt duke shkuar në treg. Në një video tjetër një personazh mashkull ia kujton gruas së tij që ta marrë me vete letërnjoftimin e saj përpara se të shkojë që të votojë.
“Kjo lloj prezantimi paraqet një plasim të stereotipit të grave si subjekte pasive, ndërsa burrat paraqiten si ata që janë aktivë dhe përgjegjës për detyrat në shtëpi”, thotë Bejkova.
Në pjesën e dytë të panelit ekspertja ndërkombëtare Boguseviç foli për atë se sa kanë qenë të përfaqësuara gratë në materialet reklamuese të partive politike gjatë fushatës zgjedhore.
Në vetëm 21 përqind të banderolave reklamuese janë shfaqur gra, ndërsa vetëm katër nga 11 partitë kanë pasur gra në banderolat e tyre. Nga gjithsej 44 kandidatë nga 11 partitë që janë shfaqur në banderolat reklamuese, vetëm nëntë kanë qenë gra. Boguseviç theksoi se numri më i madh i grave janë shfaqur në reklamat e dy partive më të mëdha, VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, që mbase është kështu për shkak të numrit më të madh të reklamave nga ato parti krahasuar me partitë më të vogla, gjë që mundësoi prezantimin e një numri më të madh të kandidatëve në materialet reklamuese, e që u dha dha më shumë hapësirë kandidatëve të gjinisë femërore.
Bogusheviq tha se në qendër të “trekëndëshit” të portaleve online, institucioneve shtetërore dhe partive politike janë fondet publike. Dhe me fondet publike për reklama politike të paguara mund të rregullohet dhe të reflektohen disa qëllime të rëndësishme publike, siç është promovimi i barazisë gjinore. Boguseviç theksoi se në Evropë dhe më gjerë ekzistojnë të gjitha llojet e rregulloreve për këtë temë, si koha dhe hapësira e subvencionuar për transmetimin e reklamave me kandidatet gra.
Për në fund Boguseviç porositi që partitë politike të ndajnë një pjesë të fondeve të tyre për promovimin e kandidateve gra, që portalet online t’i përmbahen Kodit të Sjelljes për Mediat Online dhe që institucionet shtetërore ta inkurajojnë integrimin e perspektivës gjinore në prokurimin, përgatitjen dhe plasimin e reklamave me pagesë.
Kujtojmë se, 41 nga 120 deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut janë gra, 8 prej tyre janë shqiptare ndërsa 33 maqedonase.