Reforma në administratën publike në RMV, fund i të paprekshmëve?

Nuk ka më funksione të përjetshme dhe pozita të paprekshme në Maqedoninë e Veriut. Bordet drejtuese reduktohen në maksimum tre anëtarë, ndërsa statusi u.d. mbetet përjashtim, transmeton Portalb.mk.

Këtë e ka theksuar ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, gjatë prezantimit të Propozim-ligjit për udhëheqësit e lartë të organeve të administratës shtetërore dhe fondeve.

Minçev nënvizoi se me zgjidhjen e propozuar ligjore, për herë të parë vendoset kornizë e vetme, koherente dhe sistemore për rregullimin e funksioneve më të larta drejtuese shtetërore, kush, si dhe nën çfarë kushtesh i drejton institucionet .

“Vendosim parimin e meritës dhe kritere të qarta për zgjedhjen e drejtorëve, sekretarëve shtetërorë, anëtarëve të organeve kolegjiale dhe bordeve drejtuese, për të cilat deri tani pothuajse nuk kishte rregulla”, tha Minçev.

Sipas ministrit, parimi i meritës bëhet rregull, e jo përjashtim, kushdo që drejton do të duhet të ketë njohuri, aftësi dhe të mbajë përgjegjësi.

Zgjidhja ligjore parasheh procedurë transparente për emërimin e funksionarëve të lartë drejtues, mandate të rregulluara qartë dhe kufizim të mundësive për keqpërdorim të funksioneve.

“Pozita nuk është më titull, por përgjegjësi. Drejtuesit do të kenë obligim të japin rezultate konkrete”, theksoi Minçev.

Propozim-ligji është publikuar në platformën ENER më 31 dhjetor dhe është i hapur për komente publike.

Administrata PublikeGoran MinçevReforma në administratë