Reforma ligjore në administratën e RMV-së gjatë vitit 2025, por pa rezultate konkrete në departizim dhe meritokraci

Administrata publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2025 u ballafaqua me një valë reformash ligjore dhe politike të dedikuara për modernizimin, departizimin, digitalizimin dhe profesionalizimin e shërbimit civil, pjesërisht të lidhura me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Qeveria miratoi ligje të reja që synojnë përmirësimin e përzgjedhjes dhe trajnimit të nëpunësve, përfshirë trajnimet dhe provimet profesionale për administratën, dhe përditësimin e kuadrit ligjor për dokumentet elektronike për ta bërë sistemin më efikas dhe të aksesueshëm. Megjithatë, reformat u shoqëruan me sfida të dukshme: mungesë interesimi nga të rinjtë për punësim në administratë për shkak të pagave jo konkurruese, besim të ulët publik në institucionet shtetërore dhe kritika për zbatimin e mangët të strategjive të reformës. Sipas raporteve ndërkombëtare, përparimi në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe organizimin e administratës mbeti i ngadaltë dhe me boshllëqe strukturale që kërkojnë zgjidhje të mëtejshme, raporton Portalb.mk.

Në terma të përgjithshëm, viti 2025 shënoi hapa ligjorë përpara drejt modernizimit të administratës, por sfidat e zbatimit praktik dhe mungesa e besimit shoqëror mbeten tema të rëndësishme diskutuese.

Bashkimi Evropian kritikoi vendin lidhur me fragmentimin e rregullave që rregullojnë nëpunësit civilë, si dhe vonesat në zbatimin e reformave të miratuara. Po ashtu, theksohet se ligjet e reja kërkojnë zbatim të menjëhershëm dhe se riorganizimi institucional nuk është përfunduar. Një tjetër kritikë e rëndësishme lidhet me digjitalizimin, pasi regjistrat institucionalë dhe shkëmbimi i të dhënave vazhdojnë të mbeten të papërfunduar.

Ka përparim, por i ngadalshëm

Bashkimi Evropian theksoi se shteti ka shënuar përparime të prekshme, por ende mbetet në nivel mesatar të përgatitjes, duke reflektuar nevojën për përpjekje të vazhdueshme dhe zbatim më të plotë të reformave të ndërmarra,

Një nga arritjet më domethënëse gjatë vitit ka qenë avancimi në fushën e e-qeverisjes. Ndryshimet në Ligjin për dokumentet elektronike, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara jo vetëm që e harmonizojnë kuadrin ligjor me standardet e Bashkimit Evropian përmes transpozimit të rregullores eIDAS 2.0, por gjithashtu krijojnë bazën për përdorimin e Portofolit të Identitetit Digjital. Kjo pritet të lehtësojë qasjen e qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet publike, duke rritur transparencën dhe efikasitetin.

Përveç kësaj, është punuar në digjitalizimin e regjistrave institucionalë dhe në rritjen e shkëmbimit të të dhënave ndërmjet institucioneve, një hap i domosdoshëm për realizimin e plotë të parimeve të administratës moderne. Thjeshtimi i procedurave elektronike mbetet një objektiv i rëndësishëm, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Një zhvillim tjetër pozitiv është miratimi i ligjeve të reja për nëpunësit administrativë dhe punonjësit e sektorit publik. Këto ligje përmirësojnë proceset e rekrutimit, rregullojnë punësimet e përkohshme dhe i kushtojnë më shumë rëndësi menaxhimit profesional të burimeve njerëzore. Megjithatë, rregullat që rregullojnë kategorinë e nëpunësve civilë mbeten të fragmentuara, duke krijuar pasiguri dhe vështirësi në zbatim.

Në kuadër të këtij trendi, është ndërmarrë edhe nisma për themelimin e një Akademie të Administratës Publike, e cila do të shërbejë si institucion trajnimi dhe zhvillimi profesional, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të nëpunësve civilë në të gjithë administratën. Programet e trajnimit synojnë jo vetëm aftësime teknike, por edhe sjellje etike dhe orientim drejt shërbimit ndaj qytetarëve.

Parlamenti në qershor miratoi katër ligje për transformimin digjital nga Agjenda e Reformave. U votuan Ligji për Komunikimet Elektronike, Ligji për Sigurinë e Rrjetit dhe Sistemeve të Informacionit, Ligji për Ndryshimet në Ligjin për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet Konfidenciale, dhe Ligji për Materialin Arkivor dhe Aktivitetin Arkivor.

Sportele të administratës në Gjykatë. Foto: Portalb.mk

Ende shumë punë për tu bërë

Ligjet e shumëpritura për nëpunësit administrativë dhe për punonjësit e sektorit publik u miratuan në korrik 2025. Të dy ligjet përmirësojnë procedurat e përzgjedhjes, punësimin e përkohshëm, kushtet e punës dhe mbledhjen e të dhënave në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore. Megjithatë, rregullat që rregullojnë nëpunësit civilë mbeten të fragmentuara. Vendi ndoqi riorganizimin e disa institucioneve shtetërore në përputhje me Ligjin e ndryshuar për organizimin shtetëror.

Progresi i Maqedonisë në administratë ka qenë i pjesshëm, ndaj prioritetet për vitin e ardhshëm mbeten të qarta. Së pari, e nevojshme është miratimi i dispozitave që rregullojnë shërbimin e lartë drejtues, një segment kyç për administratë profesionale dhe të depolitizuar. Së dyti, duhet finalizuar rishikimi i Ligjit për organizimin shtetëror dhe harmonizimi me ligjet tjera përkatëse, në mënyrë që riorganizimi institucional të jetë funksional dhe në përputhje me standardet evropiane. Së treti, vendi duhet të përmbyllë procesin e digjitalizimit të regjistrave dhe të sigurojë zbatimin e plotë të Ligjit për procedurat e përgjithshme administrative, me fokus në shkëmbimin efikas të të dhënave dhe modernizimin e shërbimeve.

Problem tjetër është se partitë vazhdojnë praktikën e punësimeve në prag të zgjedhjeve. Edhe këtë herë, pak para zgjedhjeve lokale që u mbajtën këtë vjeshtë në Маqedoninë e Veriut, ueb-faqja e Agjencisë së Administratës u vërshua nga shpalljet për punësime. Kërkoheshin punonjës administrativë për ministri, komuna, ndërmarrje publike, spitale, ndërsa shpalljet ishin të hapura deri në fund të korrikut, kur hynin në fuqi rregullat zgjedhore, sipas të cilave duhej të pezullohen procedurat, përveç rasteve kur ato janë urgjente.

Një nga ndryshimet “interesante” ishte propozimi ligjor që rriti vlerën e dhuratave që nëpunësit publikë mund të marrin nga qytetarët, nga 3,000 në 4,000 denarë në vit, si pjesë e harmonizimit me standardet e reja ligjore dhe përpjekjeve për të qartësuar normat e sjelljes ndaj zyrtarëve publikë.

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev në shtator paralajmëroi një sërë masash të reja ligjore që, siç tha ai, duhet të rezultojnë në departizim, edukim dhe racionalizim të punonjësve në sektorin publik, si pjesë e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Ministri në dhjetor premtoi gjithashtu se do të ulet numri i të angazhuarve në borde, përderisa ligji për drejtorët ende nuk është miratuar.

“Përveç departizimit, në periudhën e ardhshme po fillojmë edhe një proces të ri me një paketë prej tre ligjesh të reja, për menaxhimin e nivelit të lartë, për pagat dhe për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore”, tha Minçev. 

Deri tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

Sportel, foto nga Portalb.mk

Bashkimi Evropian me rekomandime kryesore

Rekomandimet e Komisionit Evropian nga viti i kaluar u zbatuan pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.

Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:

  • Të miratojë dispozita ligjore që rregullojnë shërbimin e lartë drejtues dhe të fillojë zbatimin e Ligjit të rishikuar për nëpunësit administrativë dhe Ligjit të rishikuar për punonjësit e shërbimit publik.
  • Të finalizojë rishikimin dhe të vazhdojë zbatimin e Ligjit për organizimin shtetëror dhe ligjeve të tjera përkatëse, në përputhje me rekomandimet mbi organizimin e ri të organeve administrative shtetërore.
  • Të sigurojë zbatimin e plotë të Ligjit për procedurat e përgjithshme administrative duke përfunduar digjitalizimin e regjistrave institucionalë dhe shkëmbimin e të dhënave dhe duke thjeshtuar procedurat elektronike.
Flamuri i Bashkimit Evropian (BE). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Punësimet etnike në administratë

Në vitin 2025, çështja e punësimeve etnike në administratën publike të Maqedonisë së Veriut mbeti një temë e diskutuar dhe problematike, veçanërisht pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ndaloi përdorimin e mekanizmit të njohur si “Balancues”, i cili synonte të siguronte përfaqësim të drejtë të komuniteteve etnike në punësim. Me këtë vendim, shpalljet për punësim në sektorin publik nuk mund të përfshijnë kriter të përkatësisë etnike, duke hequr instrumentin që kishte rregulluar përfaqësimin e komuniteteve deri në vitin 2024 dhe duke lënë administratën pa mekanizëm ligjor për të garantuar përfaqësim të barabartë etnik.

Ish-zëvendëskryeministri Izet Mexhiti paralajmëroi punësimet e shqiptarëve gjë që nxiti mospajtueshmëri në koalicionin qeverisës të RMV-së. Ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti në një aktivitet të partisë tha se Qeveria do të realizojë punësime të shqiptarëve. 

Ndaj kësaj reagoi ministri i Administratës Publike Goran Minçev e porositi Mexhitin të mos sillet si “Liza në Botën e Çudirave”. 

Në këtë drejtim, ministri i Administratës Publike kërkoi inspektim të jashtëzakonshëm për një konkurs ku kriteri i përkatësisë etnike ishte përmendur, duke nënvizuar se punësimi duhet të bazohet në kualifikim, kompetencë dhe transparencë, dhe jo në përkatësi etnike. Pas shfuqizimit të Balancuesit, përfaqësimi etnik në administratë mbetet temë debati, ndërsa diskutimet për një ligj të ri që do të rregullojë punësimet etnike vazhdojnë, por ende në 2025 nuk ka zgjidhje të konsoliduar ligjore për të garantuar përfaqësim të drejtë etnik në institucionet publike.

Propozim-ligji që do të zëvendësojë Balancuesin parasheh krijimin e një organi koordinues që do të monitorojë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik. Ky organ do të vlerësojë përbërjen etnike të institucioneve, do të kërkojë raporte vjetore dhe, në rast mbipërfaqësimi, do të propozojë masa për ridistribuimin e punësimeve. Punësimet e reja do të bëhen sipas planeve të hartuara me një metodologji të re të Agjencisë për Nëpunës Administrativë dhe do të bazohen më shumë në meritë përmes testimeve elektronike dhe trajnimeve. Qëllimi është të shmangen abuzimet e së kaluarës dhe të garantohet një administratë më efikase.

Interesi i ulët për punësim dhe sfida me pagat

Një nga çështjet kryesore të diskutimit publik në vitin 2025 ishte mungesa e interesit nga të rinjtë për të punuar në administratën publike.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës, Organet Gjyqësore dhe Shoqatat e Qytetarëve (UPOZ), Trpe Deanoski tha se do të ketë një eksod të madh të punonjësve në institucionet shtetërore dhe publike nëse nuk rriten sa më shpejt pagat për 30 përqind, duke theksuar se kjo vlen veçanërisht për kuadrin profesional dhe të trajnuar që udhëheq me institucionet.

Sipas tij paga fillestare e një personi me arsim të lartë në sektorin publik aktualisht është rreth 26 mijë denarë dhe se askush, as nga selia partiake, nuk do të pranonte të punonte për atë shumë të pagës.

Ministri Minçev vetë pranoi se paga mesatare në administratë është e ulët, duke argumentuar se rritje të mëtejshme mund të jetë e vështirë të arrihet menjëherë, megjithatë nënvizuan se përmirësime në strukturën e pagave dhe motivimin duhet të vazhdojnë.

Kryeministri Mickoski, ftoi publikisht që të ketë sa më shumë aplikantë shqiptarë, më shumë aplikantë turq, romë, vllehë, serbë, boshnjakë që të hyjnë në administratën publike dhe “nuk jam rob i përqindjeve, më interesojnë vetëm njerëz cilësorë dhe të motivuar për të punuar. Le të fillojnë punën menjëherë nesër. Nuk ka aplikime, nuk ka interes. Askush nuk do të vijë për një pagë prej 25 mijë“, tha kryeministri Hristijan Mickoski. Ai shtoi se administrata publike po përballet me një problem serioz në gjetjen e kuadrove, pavarësisht nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, serbë, romë apo boshnjakë, për shkak të keqmenaxhimit dhe abuzimeve nga funksionarët e qeverisë së kaluar, gjë që sipas tij, ka çuar në zbrazjen e buxhetit shtetëror dhe pamundësinë për të ofruar paga të mira.

Si përfundim, Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të rëndësishëm drejt transformimit të administratës publike, por rruga përpara kërkon vullnet të qëndrueshëm politik, koordinim institucional dhe zbatim tërësor të reformave. Vetëm kështu administrata mund të bëhet më profesionale, transparente dhe në shërbim të qytetarëve, duke e afruar vendin edhe më shumë me standardet e Bashkimit Evropian.

Gjatë vitit 2025, administrata publike e Maqedonisë së Veriut kaloi një periudhë të vështirë kalimi drejt profesionalizimit dhe tranzicionit institucional. Protestat e punonjësve dhe kërkesat për paga më të larta në fillim të vitit nënvizuan nevojën për rishikim të strukturës së stafit dhe të pagave në sektorin publik. Reagimet e institucioneve antikorrupsion dhe debati publik mbi ligjet reformuese treguan se sistemi i punësimit dhe profesionalizimit po kërkon zgjidhje të qëndrueshme.

Përpjekjet drejt përmirësimit të transparencës, trajnimit institucional dhe standardizimit të procedurave ishin hapa pozitivë, por mbetet e qartë se shteti ka përpara punë të madhe për të krijuar një administratë moderne, efektive dhe profesionale.

Administrata PublikeAdministrata ShtetëroreDigjitalizimEurointegrime Negociata RMV-BENgjarjet e vititViti 2025