Deponi veturash në parkingun e Spitalit të Tetovës, assesi të largohen

Në parkingun e Spitalit Klinik të Tetovës prej muajsh qëndrojnë disa vetura të vjetra dhe të dëmtuara, të cilat zënë vende parkimi. Spitali i Tetovës nuk i largon, ndërsa hesht në pyetjet gazetareske, shkruan Portalb.mk.

“Katastrofë”, kështu na tha një qytetar i cili këtë ankesë e adresoi deri te redaksia jonë.

Disa qytetarë tjerë me të cilët bisedoi Portalb.mk thonë se këto vetura nuk kanë vend në parkingun e spitalit dhe kërkojnë që të largohen.

“Aspak e hijshme. Le t’i largojnë. Me muaj qëndrojnë këtu, se kuptoj pse zënë vend kot”, tha ai.

Një tjetër thotë se veturat nuk duhej të ishin lënë aty që nga rregullimi i hapësirës si parking.

“Këto pikë së pari nuk duhet të ishin këtu fare. Që kur u rregullua hapësira si parking, pse i lanë këtu? Ato nuk janë as për në otpad, e lëre më këtu”.

Largimi i tyre do të lironte disa vende parkimi, të cilat janë veçanërisht të nevojshme gjatë ditës.

“Mendoj se nuk duhet të rijnë aty. Zënë disa vende parkimi, ndërsa gjatë ditës është full me qytetarë. Të paktën do të lirohen pesë-gjashtë vende parkimi, apo sa janë aty”, tha një e punësuar në Spitalin e Tetovës.

Portalb.mk e kontaktoi Spitalin Klinik të Tetovës për të pyetur se pse këto vetura vazhdojnë të qëndrojnë në parking dhe nëse planifikohet largimi i tyre.

Nga spitali deri në publikimin e këtij artikulli nuk u përgjigjën.

Ndërkohë, hapsira e parkingut mbetet e kufizuar, ndërsa veturat e braktisura vazhdojnë të zënë vende që mund të shfrytëzohen nga pacientët dhe qytetarët.

Spitali i Përgjithshëm i TetovësVetura - Automjet - AutomobilVideo Lajme