Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, thotë se në kuadër të një hulumtimi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), UNICEF-it dhe disa organizatave joqeveritare janë konstatuar parregullsi në ushqyerjen e nxënësve. Për këtë arsye, thotë ajo, ministria përkatëse së shpejti do t’u dërgojë të gjitha shkollave në vend rekomandime për ushqyerjen e nxënësve, transmeton Portalb.mk.
“Konstatuam parregullsi, prandaj do të dalin rekomandime që shkollat do t’i marrin, në mënyrë që fëmijët të ushqehen shëndetshëm. E kuptoj se fëmijët ndoshta më shumë i duan çipsat, smoki, biskotat, por ja, u rekomandoj se një dardhë, një mollë, një banane janë po aq ushqim i shëndetshëm. Por për këtë duhet të kujdesen edhe shkollat edhe komuna, në mënyrë që t’ua mundësojnë një gjë të tillë”, deklaroi Janevska gjatë vizitës në dy salla sportive të shkollave të rikonstruktuara në Shtip dhe në Karbincë.
Lidhur me faktin se shkolla “Dimitar Vllahov” në Shtip, ku sot mori pjesë në vënien në përdorim të sallës sportive të rikonstruktuar, është shkolla e parë në komunë që ka marrë vendim për ndalimin e telefonave celularë, ministrja tha se shumë shkolla në vend tashmë e kanë ndaluar përdorimin e telefonave.
“Në shumë shkolla, para fillimit të orës telefonat lihen mënjanë dhe mendoj se kjo është në rregull, sepse vëmendja e fëmijëve duhet t’i kushtohet mësimit, mësuesit, librit që kanë përpara. Mund të ketë përjashtim, kur fëmijëve do t’u duhet t’i përdorin telefonat për të realizuar ndonjë temë mësimore. Por kjo duhet të kontrollohet rreptësisht nga mësuesi dhe më pas ata duhet t’i kthejnë telefonat aty ku nuk do t’i kenë në dispozicion”, deklaroi Janevska.
Drejtori i SHFK “Dimitar Vllahov” në Shtip, Dejan Zdravkov, deklaroi se efektet e ndalimit të përdorimit të telefonave, si dhe të ndalimit të konsumimit të ushqimit jo të shëndetshëm nga nxënësit, janë shumë pozitive.
“Po marrim reagime edhe nga prindërit, edhe nga mësuesit, edhe nga vetë fëmijët. Është përmirësuar komunikimi, komunikimi i drejtpërdrejtë. Ata nuk ecin më me kokën ulur nëpër korridore dhe oborrin e shkollës. Kjo u dakordua me pëlqimin e Këshillit të Prindërve”, thotë Zdravkov.