Pushteti nuk është pronë: Protesta dhe fundi i karizmës (II)

Në këtë proces të ndryshimeve ndërhyjnë edhe mediat dhe rrjetet sociale. Një episod dhune, një përplasje apo një pamje provokuese mund të shpërndahet më shpejt sesa shpjegimi i shkaqeve të mobilizimit. Ajo që është e dukshme rrezikon të bëhet më e rëndësishme se ajo që është thelbësore. Pamjet mund të përdoren nga aktorë politikë, si nga pozita, ashtu edhe nga opozita, për të diskredituar kundërshtarët, për të justifikuar qëndrimet e tyre ose për ta orientuar debatin publik sipas interesave partiake. Kësisoj, protesta shndërrohet edhe në një betejë për interpretimin e ngjarjeve, që shpeshherë është subjektiv.

Mobilizimi digjital e ka përshpejtuar këtë proces. Rrjetet sociale e ulin koston e organizimit, lehtësojnë koordinimin dhe u japin kauzave mundësi të depërtojnë përtej kufijve kombëtarë, të ndërkombëtarizohen. Por e njëjta infrastrukturë që krijon solidaritet mund të përhapë dezinformim, të nxisë polarizim dhe ta reduktojë një çështje komplekse në disa imazhe ose slogane. Ekrani mund të jetë dritare drejt dijes dhe informimit, por edhe kanal për përhapjen e gjuhës së urrejtjes, manipulimin e opinionit publik, për “egërsimin e masave”. Problemi nuk qëndron te teknologjia në vetvete, por te mënyra se si ajo përdoret dhe instrumentalizohet për qëllime parciale dhe nganjëherë johumane.

Në Shqipëri, këto dinamika ndërthuren me debatin për jetëgjatësinë e pushtetit të Edi Ramës, kryeministër që nga viti 2013, dhe për natyrën e udhëheqjes politike. Një stil i personalizuar, karizmatik dhe i orientuar nga mediat mund ta përqendrojë vëmendjen te figura e liderit, ndërsa institucionet dhe mekanizmat e llogaridhënies mbeten në plan të dytë. Në analizën politike, koncepti i sulltanizmit përshkruan forma ekstreme të pushtetit të personalizuar, ku institucionet dhe rregullat rrezikojnë t’i nënshtrohen vullnetit të udhëheqësit. Ky koncept shërben si pikënisje për të shqyrtuar marrëdhënien ndërmjet liderit, institucioneve dhe kufizimeve të pushtetit, pa u shndërruar në një etiketë politike.

Një udhëheqës mund të ndjekë politikë të jashtme pro-perëndimore, ndërkohë që brenda vendit shfaq prirje të personalizuara ose joliberale/iliberale. Orientimi gjeopolitik nuk është i njëjtë me cilësinë e demokracisë. Pavarësia e institucioneve, liria e shprehjes, konkurrenca politike, sundimi i ligjit dhe mundësia e qytetarëve për ta kontrolluar pushtetin janë kritere po aq të rëndësishme për vlerësimin e një qeverisjeje. Iliberalizmi na ofron kornizën për të shqyrtuar nëse, pas një periudhe të gjatë udhëheqjeje, institucionet mbeten të afta të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga lideri.

Prandaj, pyetja nuk është vetëm “Kush vjen pas Ramës?”, por edhe “Çfarë sistemi politik do të vijë pas Ramës?” Ndërrimi i liderit nuk garanton vetvetiu ndryshimin e sistemit. Nëse institucionet mbeten të dobëta, partitë vazhdojnë të organizohen rreth individëve dhe besnikëria personale zë vendin e meritokracisë, ndryshimi i emrave mund të mos sjellë ndryshimin që kërkojnë qytetarët. Sfida qëndron te krijimi i mekanizmave që e bëjnë pushtetin të kontrollueshëm, të përgjegjshëm dhe të kufizuar nga ligji.

Kultura e protestës, për rrjedhojë, nuk matet vetëm me numrin e pjesëmarrësve, intensitetin e sloganeve apo pamjet që dominojnë ekranet. Ajo matet me aftësinë për të artikuluar kërkesa të qarta, për të ndërtuar solidaritet përtej ndarjeve partiake, për të ruajtur karakterin demokratik të mobilizimit dhe për ta shndërruar energjinë e momentit në presion të qëndrueshëm për reforma. Protesta nuk garanton vetvetiu ndryshim; ajo krijon mundësinë për të, ndërsa rezultati varet nga organizimi qytetar, reagimi institucional dhe vazhdimësia e angazhimit publik.

Një shoqëri demokratike ka nevojë për qytetarë që kundërshtojnë pa hequr dorë nga përgjegjësia, për media që informojnë pa manipuluar dhe për liderë që e kuptojnë se pushteti nuk është pronë personale. Po aq e rëndësishme është që institucionet të dëgjojnë përpara se pakënaqësia të shndërrohet në revoltë. Protesta është pasqyrë e marrëdhënies ndërmjet qytetarit dhe shtetit, por edhe provë e aftësisë së një shoqërie për ta kthyer konfliktin në dialog dhe pakënaqësinë në reformë.

Kultura e protestës fillon kur pakënaqësia fiton zë; ajo bëhet forcë demokratike kur ky zë shndërrohet në vetëdije qytetare, kërkesa të artikuluara dhe ndryshim institucional. Njerëzit duhet ta dinë se kur është boll, duhet ta lexojnë popullin, të nuhasin deri kur mund të jenë në skenën politike. Futbollistët që kanë bërë vend në memorien e publikut ata që e kanë ndërprerë karrierën me kohë. Platini, Cantona, Zidane, Kroos janë shembuj tipikë të kësaj kategorie. Platini nuk u largua pasi kishte humbur statusin e yllit; e përfundoi karrierën ende si një nga futbollistët më të njohur të kohës. “Politika është diçka tjetër”, do të thotë dikush. Po ama analogjia jep leksione shumë pozitive për çdo njeriu me mend në kokë.  Krahasimi mes Ramës dhe Platinisë mund të shërbejë si metaforë për një çështje të rëndësishme të sociologjisë politike: a e njeh lideri momentin kur duhet t’ia lërë vendin institucionit, ekipit dhe brezit pasues, apo e shndërron vazhdimësinë e vet në boshtin e gjithë sistemit? Bile edhe duke rrezikuar ardhmërinë e vendit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

LEXO PJESËN E PARË: 

Pushteti nuk është pronë: Protesta dhe fundi i karizmës (I)

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit