Tri ditë para se të vritej, Arlinda Zekaj i kishte shkruar Prokurorisë në Pejë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe duke paralajmëruar për rrezikun që i kanosej jetës së saj. Në atë letër gjendet një fjali që sot tingëllon si një paralajmërim tragjik: “Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”.
Ajo ditë erdhi vetëm tri ditë më vonë.
Më 25 tetor, Arlinda u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës, siç dyshohet, nga kunati i saj. Nuk ishte një grua që nuk kishte kërkuar ndihmë. Përkundrazi, ajo kishte denoncuar dhunën dhe kërcënimet nga bashkëshorti, kishte kërkuar mbrojtje dhe kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun. Madje, ndaj bashkëshortit ekzistonte një urdhër mbrojtjeje. Megjithatë, ajo humbi jetën vetëm pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi, e shoqëruar nga policia.
Kjo tragjedi ngre një pyetje që shkon përtej këtij rasti: çfarë ndodh kur një qytetare e paralajmëron shtetin se jeta e saj është në rrezik, por institucionet nuk arrijnë ta mbrojnë?
Në diskutimet për dhunën ndaj grave, vëmendja përqendrohet shpesh te ashpërsimi i dënimeve. Sa vite burg duhet të marrë vrasësi? A duhet të parashikohet burgimi i përjetshëm? Natyrisht, ndëshkimi është i domosdoshëm. Por, për një grua që jeton nën kërcënim, pyetja më e rëndësishme nuk është sa vite burg do të marrë vrasësi i saj. Pyetja është nëse ajo do të mbetet gjallë.
Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet një drejtësie post festum, që reagon pasi krimi ka ndodhur, dhe një shteti që është i aftë të veprojë në kohë për ta parandaluar atë.
E drejta për jetën, e garantuar me nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk kufizohet në detyrimin e shtetit që të mos ia marrë jetën askujt në mënyrë të paligjshme. Ajo përfshin edhe detyrime pozitive për mbrojtjen e jetës nga rreziqet që vijnë prej individëve të tjerë. Sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kur autoritetet kanë ditur, ose është dashur të dinë, për një rrezik real dhe të menjëhershëm ndaj jetës, ato kanë detyrimin të ndërmarrin masa të arsyeshme brenda kompetencave të tyre për ta parandaluar atë.
Në rastin Opuz kundër Turqisë (2009), Gjykata konstatoi shkelje të nenit 2, pasi autoritetet kishin qenë në dijeni të historisë së dhunës dhe kërcënimeve, por nuk kishin ndërmarrë masa të mjaftueshme për të mbrojtur nënën e gruas që iu drejtua Gjykatës, e cila përfundimisht u vra nga dhëndri i saj. Gjykata theksoi gjithashtu se pasiviteti institucional ndaj dhunës në familje mund të përbëjë diskriminim ndaj grave.
Në rastin Talpis kundër Italisë (2017), Gjykata konstatoi përsëri shkelje të së drejtës për jetë, pasi autoritetet nuk kishin reaguar në mënyrë të përshtatshme ndaj denoncimeve të dhunës në familje, e cila përfundoi me vrasjen e djalit të viktimës dhe tentativën për vrasjen e saj. Ndërsa në rastin Kurt kundër Austrisë (2021), Gjykata zhvilloi më tej standardin e vlerësimit të rrezikut, duke theksuar se ai duhet të jetë autonom, proaktiv dhe gjithëpërfshirës, duke marrë parasysh veçoritë dhe dinamikën e dhunës në familje. Edhe pse në këtë rast nuk u konstatua shkelje e nenit 2, vendimi qartësoi detyrimet e autoriteteve për vlerësimin dhe parandalimin e rrezikut.
Kjo jurisprudencë na mëson se mbrojtja e jetës nuk mund të reduktohet në regjistrimin formal të denoncimeve apo në shqiptimin e masave mbrojtëse. Ajo kërkon vlerësim serioz të rrezikut, profesionalizëm të policisë, prokurorisë dhe gjykatave, si dhe koordinim efektiv ndërmjet institucioneve. Dhuna në familje nuk duhet të trajtohet si një seri incidentesh të izoluara, por si një proces që shpesh karakterizohet nga kontrolli, kërcënimet dhe përshkallëzimi i vazhdueshëm.
Natyrisht, jo çdo vrasje nënkupton automatikisht përgjegjësi juridike të shtetit. Prandaj, edhe në rastin e Arlindës, përgjegjësia eventuale institucionale duhet të përcaktohet në bazë të një hetimi të plotë të veprimeve dhe lëshimeve konkrete. Por ekzistenca e denoncimeve të përsëritura, paralajmërimeve dhe masave mbrojtëse e bën të domosdoshëm shqyrtimin serioz të pyetjes nëse institucionet kanë përmbushur detyrimet e tyre pozitive për mbrojtjen e jetës.
Për vite me radhë u kemi thënë grave që të mos heshtin, të denoncojnë dhunën dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë ndodh me këtë besim kur një grua e bën pikërisht këtë, kërkon ndihmë, paralajmëron për vrasjen e saj dhe megjithatë humb jetën? Çfarë mesazhi u dërgohet grave të tjera që sot jetojnë nën kërcënim dhe ende hezitojnë ta denoncojnë dhunën?
Rasti i Arlindës duhet të shërbejë si një thirrje për të ndryshuar mënyrën se si e kuptojmë mbrojtjen e viktimave. Nuk mjafton të kemi ligje të mira, dënime të ashpra dhe procedura formalisht të rregullta. Duhet të kemi institucione që dinë ta njohin rrezikun, ta vlerësojnë atë dhe të veprojnë përpara se të jetë tepër vonë.
Shteti nuk mund të garantojë se do ta parandalojë çdo krim. Por duhet të garantojë se asnjë paralajmërim serioz për rrezikun ndaj jetës nuk do të trajtohet me indiferencë.
Arlinda Zekaj kërkoi që institucionet të mos detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi të ishte marrë jeta e saj. Sot, ajo nuk mund ta përsërisë më atë kërkesë.
Sepse drejtësia post festum mund ta ndëshkojë autorin, por nuk mund t’ia kthejë jetën viktimës. Dhe një shtet që e merr seriozisht të drejtën për jetë nuk duhet të presë të ndodhë vrasja për ta kuptuar se një grua ishte në rrezik.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.