Ambasadorja Drexler për Portalb: BE-ja nuk funksionon si lojë pokeri, zgjerimi është domosdoshmëri gjeopolitike

Në një intervistë për Portalb.mk, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut, Petra Drexler, thekson se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është thjesht një përfitim për vendet kandidate, por një domosdoshmëri strategjike dhe gjeopolitike për vetë BE-në që të mbetet aktor relevant global. Duke iu përgjigjur shqetësimeve mbi stagnimin e Maqedonisë së Veriut ndërkohë që fqinjët si Mali i Zi po i afrohen anëtarësimit, Drexler nënvizon se BE-ja nuk funksionon si një lojë pokeri ku një shtet fiton dhe të tjerët duhet të humbasin. Ajo vë në dukje se Unioni nuk është një klub me numër të paracaktuar ulësesh dhe se përparimi i një fqinji është dëshmi se anëtarësimi është i arritshëm sapo të përmbushen kushtet e kërkuara dhe të zbatohen reformat e nevojshme.

 

Intervista e plotë:

Elida Zylbeari: Ka njëzet vite që Maqedonia e Veriut mbetet para dyerve të Bashkimit Evropian. Ka njëzet vite që jemi vend kandidat. Ne nuk e kemi kryer detyrën tonë, nuk jemi marrë vesh me fqinjët, nuk i kemi bërë ndryshimet kushtetuese, por kemi probleme edhe me reformat, ngecim në antikorrupsion, ngecim në gjyqësor, e kështu me radhë. Për të gjitha këto probleme, sot në studion tonë në Portalb e kam mysafire Ambasadoren e Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut, znj. Petra Drexler.

Elida Zylbeari: Ambasadore, mirë se erdhët dhe faleminderit që jeni këtu.

Petra Drexler: Faleminderit shumë.

Elida Zylbeari: Do të filloj me zhvillimet e fundit. Ju po vinit nga Mali i Zi, nga Samiti i Procesit të Berlinit. A mund të na thoni shkurtimisht cilat janë mesazhet kryesore që u përcollën atje?

Petra Drexler: Faleminderit shumë për pyetjen. Mendoj se Samiti i Procesit të Berlinit në Mal të Zi, i cili mblodhi së bashku të gjithë liderët politikë nga vendet e Ballkanit Perëndimor me liderët e vendeve anëtare të BE-së dhe të BE-së, ishte vërtet një tjetër moment i rëndësishëm. Fatkeqësisht, unë personalisht nuk isha atje, por nga mesazhi që u përcoll atje, do të thoja se, në thelb, ai ka tri pjesë.

Së pari, ishte e qartë se zgjerimi është një domosdoshmëri gjeopolitike. Siç u shpreh kancelari Friedrich Merz, që BE-ja ta ruajë rolin e saj si një aktor relevant në skenën globale, ajo duhet të rritet. Kjo do të thotë se ne e shohim zgjerimin jo vetëm në kuptimin e përfitimeve për vendet kandidate, por e shohim si një domosdoshmëri strategjike edhe për shtetet anëtare dhe për vetë BE-në, për të gjithë ne.

Së dyti, është gjithashtu e qartë se procesi i anëtarësimit kërkon përkushtim të ndërsjellë, sepse zbatimi i reformave të nevojshme mund të bëhet vetëm nga vendet e rajonit. Pra, nevojitet vullnet politik, dhe BE-ja e shoqëron këtë me oferta të integrimit gradual për ta përshpejtuar procesin.

Dhe së fundi, sa i përket Malit të Zi si vend nikoqir, mendoj se ai e përmbylli kryesimin e tij të Procesit të Berlinit me shumë sukses dhe dërgoi një mesazh shumë të fortë, sepse dëshmoi se është thellësisht i përkushtuar për ta çuar procesin e tij të anëtarësimit deri në fund. Mendoj se kjo i dërgon një mesazh shumë të fuqishëm rajonit në tërësi, sepse tregon se zgjerimi, anëtarësimi në BE është i mundur. Pra, është dëshmi se koncepti funksionon, nëse dëshironi ta quani kështu. Dhe mendoj se kjo është e rëndësishme për të gjithë ne, sepse u mundëson edhe vendeve si Maqedonia e Veriut të ecin përpara duke u mbështetur në atë vrull vendimtar. BE-ja tani është vërtet në një frymë zgjerimi, dhe kjo u mundëson vendeve të vazhdojnë në rrugët e tyre individuale më shpejt.

Elida Zylbeari: Do të doja të përmendja gjithashtu një mesazh që u dërgua në Samit, se Gjermania kërkon fuqishëm më shumë bashkëpunim rajonal. Duke ditur se të gjitha vendet po lëvizin me shpejtësi të ndryshme drejt anëtarësimit në BE, si mund ta realizojë këtë Procesi i Berlinit dhe t’i mbajë këto vende të bashkuara në këto kushte?

Petra Drexler: Keni të drejtë. Procesi i Berlinit gjithmonë ka pasur të bëjë me bashkëpunimin rajonal, sepse ne e konsiderojmë bashkëpunimin rajonal të dobishëm për të përshpejtuar anëtarësimin. Por qëllimi i përgjithshëm ka qenë gjithmonë anëtarësimi me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Mund të përfshihemi në një debat të gjatë akademik rreth asaj se çfarë kishin në mendje themeluesit e Procesit të Berlinit dhe cili ishte saktësisht vizioni, por mendoj se nuk ishte krijimi i një lloji tjetër unioni politik.
Shumë nga objektivat, siç është krijimi i Tregut të Përbashkët Rajonal, vazhdojnë të jenë shumë relevante për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht se ku qëndrojnë në procesin e tyre të anëtarësimit. Në fund të fundit, mendoj se e ardhmja e Procesit të Berlinit varet shumë nga vullneti politik në rajon. Pra, i takon rajonit të vendosë se çfarë do të ndodhë me procesin. Mendoj se Mali i Zi ka treguar një ndjenjë shumë të fortë përgjegjësie për procesin dhe gjithashtu gatishmëri për të vazhduar angazhimin në bashkëpunimin rajonal, megjithëse ka shpejtësi të ndryshme në proceset e anëtarësimit. Dhe tani, me Austrinë që vjen si kryesuesja e radhës, mendoj se keni një partner shumë të fortë për të vazhduar me atë vrull.

Elida Zylbeari: Kur flasim për Malin e Zi, kancelari Merz tha se pas dy vjetësh ai mund të bëhet anëtar i plotë i BE-së. Ky është lajm i mirë për ta, por duke ditur që Maqedonia e Veriut është e bllokuar tani, a krijon kjo frikë në BE se kjo bllokadë dhe ky stagnim do të shkaktojnë destabilizim politik dhe ekonomik në vendin tonë?

Petra Drexler: Epo, mendoj se BE-ja nuk funksionon si një lojë pokeri. Nuk bëhet fjalë që një vend të anëtarësohet në kurriz të perspektivës së një vendi tjetër. Kjo nuk është një lojë ku njëri mund të fitojë dhe të tjerët duhet të humbasin. BE-ja nuk është një klub me një numër të paracaktuar ulësesh. Zgjerimi varet nga ajo nëse vendet kandidate i përmbushin kërkesat. Dhe kjo vlen po aq për Malin e Zi sa edhe për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që kanë statusin e kandidatit. Pra, nëse Mali i Zi bën këtë përparim mbresëlënës, mendoj se është lajm i shkëlqyer jo vetëm për ta, por edhe për Maqedoninë e Veriut, sepse tregon, siç thashë, se është e mundur…

Elida Zylbeari: Është e arritshme.

Petra Drexler: Po, është e arritshme. Prandaj, mendoj se të gjithë duhet të ndërtojmë mbi këtë. Tani, për pjesën e dytë të pyetjes suaj lidhur me stabilitetin, Maqedonia e Veriut është një partner i besueshëm dhe i sigurt i NATO-s. Ajo ka treguar përkushtim të thellë ndaj sigurisë rajonale dhe garantimit të stabilitetit politik. Do të ishte kundërintuitive të mendohej për vendin në kuptimin e një rreziku destabilizimi.

Elida Zylbeari: Kemi parë liderët tanë ta përmendin këtë. Nuk është thjesht një përshtypje që kemi ne, por kemi parë kryeministrin tonë të thotë se ka aktorë të tillë. Pra, a është ky një moment real për t’u shqetësuar, apo?

Petra Drexler: Unë nuk e shoh Maqedoninë e Veriut nga këndvështrimi i rrezikut apo i potencialit për destabilizim. Përkundrazi, mendoj se kemi besim në aftësinë e vendit tuaj për të zbatuar reformat dhe për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Siç thashë, marrëdhënia jonë brenda NATO-s ka treguar se mund të arrijmë suksese së bashku. Dhe BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë këtë, ne jemi në një partneritet për mbrojtjen. Pra, nëse shikoni disa elementë të zhvillimit politik këtu, do të thoja se ka shumë më tepër mundësi sesa rrezik.

Elida Zylbeari: Maqedonia mbeti gjithashtu jashtë udhërrëfyesve që u krijuan për vendet kandidate për të përshpejtuar integrimin, që fillimisht ishte ide e Gjermanisë dhe Francës kur e krijuat për herë të parë këtë koncept. Meqenëse jemi jashtë këtij procesi, a jemi plotësisht të bllokuar derisa të ndryshojmë Kushtetutën, apo ka ndonjë rrugë tjetër alternative për të hyrë në këtë rrugë të përshpejtuar?

Petra Drexler: Ju përmendët udhërrëfyesit. Mendoj se këtu po flasim pak për të ardhmen. Është diçka që Komisioni e ka njoftuar, dhe kuptoj se ky do të jetë një lloj kalendari orientues për strukturimin e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit.

Tani, integrimi gradual para anëtarësimit, mendoj, është një tjetër koncept ambicioz që është i rëndësishëm për të bërë përparim. Dhe mendoj se BE-ja ka hapur tashmë shumë dyer në atë rrugë. Do t’ju jap disa shembuj. Shikoni integrimin financiar në SEPA, i cili i bën transaksionet shumë më të lehta dhe mundëson tregti shumë më të lehtë mes vendeve tona. Shikoni pjesëmarrjen e plotë të Maqedonisë së Veriut në Programin Horizon, i cili u mundëson shkencëtarëve tuaj të bashkëpunojnë me partnerët në Bashkimin Evropian në nivelin më të lartë. Mendoj se ka shumë shembuj, dhe ne, Gjermania, Franca dhe të tjerët, do të vazhdojmë të angazhohemi për më shumë. Mendoj se ka përparim të qartë, dhe kjo është e rëndësishme sepse duhet t’u dëshmojmë njerëzve se Bashkimi Evropian është një realitet. Nuk është thjesht një ëndërr e largët për ndonjë moment në të ardhmen.

Elida Zylbeari: Në rregull. Po rreth ndryshimeve kushtetuese, a ka ndonjë mënyrë alternative për t’i anashkaluar ato dhe për t’u bërë pjesë e BE-së, ashtu siç duan liderët tanë?

Petra Drexler: Nuk jam shumë e sigurt nëse duhet të interpretojmë atë që duan liderët tuaj…

Elida Zylbeari: Ata e deklarojnë këtë, është një mesazh për popullin.

Petra Drexler: Epo, ata deklarojnë se në këtë moment mungojnë kushtet. Unë e kuptoj këtë. Por ne jemi pajtuar për një kornizë negociuese. E kuptoj frustrimin, por e vërteta është gjithashtu se, në fund të fundit, për të hyrë në një rrugë që çon drejt anëtarësimit, duhet të hapni grup-kapitujt e negociatave dhe t’i mbyllni.

Elida Zylbeari: Pra, kjo është mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së si pjesë e procesit të negociatave?

Petra Drexler: Pikërisht.

Elida Zylbeari: Gjithashtu, sa u përket mesazheve nga liderët tanë, njerëzit përgjegjës për ta çuar përpara procesin, ata kërkojnë garanci më të forta se Maqedonia e Veriut nuk do të përballet me veto të reja nga shtetet anëtare në të ardhmen në asnjë pjesë të procesit të negociatave. A mund t’i marrim këto garanci?

Petra Drexler: Epo, mendoj se në çdo proces vendimmarrjeje, qoftë në biznes, qoftë në shkencë, qoftë në politikë, gjithmonë do të keni një element pasigurie. Është e natyrshme. Në të njëjtën kohë, është e kuptueshme që për të marrë vendime politike, ju nevojitet besimi se kjo do t’ju ndihmojë të arrini objektivat tuaja. Dhe ne kemi objektiva të përbashkëta. Mendoj se mesazhi i kryeministrit Mickoski mbi procesin e anëtarësimit është i rëndësishëm këtu, sepse ai tha se ne nuk duam thjesht t’i fillojmë negociatat, ne duam t’i përfundojmë ato. Mendoj se kjo shkon përtej shqetësimeve procedurale, fokusohet në objektivin e përgjithshëm. Dhe besoj se është në interesin tonë të përbashkët të ndihmojmë në krijimin e besimit që vendit tuaj i nevojitet për të ecur në atë rrugë. Pra, ky është qëndrimi ynë.

Elida Zylbeari: Ndërsa presim të arrijmë atje, ka aktorë të huaj që e shfrytëzojnë këtë konfuzion jashtë dyerve të BE-së për të përhapur ndjenja antiperëndimore përmes dezinformatave. A mund të na ndihmojë Gjermania në një farë mënyre për të rikthyer besimin në BE dhe për të ulur euroskepticizmin që përhapin këto dezinformata?

Petra Drexler: Mendoj se kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, sepse dezinformatat mund të lulëzojnë kur ka një hendek mes pritshmërive dhe realitetit që ndiejnë njerëzit. Kjo krijon një vakum që mund të mbushet lehtësisht me narrativa rreth mosbesimit dhe dështimit. Besoj se jemi bashkë në këtë. Ne përballemi me polarizim në shoqëritë tona në Gjermani dhe në shtetet e tjera anëtare të BE-së, si dhe këtu. Dhe mendoj se kemi një interes të përbashkët për ta tejkaluar këtë.

Tani, sa i përket besueshmërisë së procesit të anëtarësimit në BE, mendoj se është e rëndësishme të ndërtojmë mbi bashkëpunimin konkret që kemi vendosur, sepse BE-ja është shumë e pranishme këtu. Do të gjeni shembuj të shumtë se si bashkëpunojmë me shumë sukses. Ne po investojmë së bashku në tranzicionin energjetik dhe po investojmë së bashku në…

Elida Zylbeari: BE-ja është partneri ynë më i madh. Ata investojnë, dhe ne marrim aq shumë donacione dhe fonde nga BE-ja, dhe sipas mendimit tim, kjo nuk është mjaftueshëm e dukshme. Mendoj se BE-ja duhet të jetë më e dukshme.

Petra Drexler: Pajtohem, por nuk do ta vija fokusin te donacionet, sepse nuk janë donacione, është një partneritet që kemi ndërtuar. Ndonjëherë më duket se po fokusohemi tepër te shifrat. Gjithmonë ka entuziazëm të madh për një kredi të re apo një grant të ri që jepet, dhe pastaj bëhet diskutimi se sa është shuma. Kjo nuk ju tregon se sa ndikim do të ketë. Mendoj se vërtet duhet të fokusohemi te ndikimi, dhe gjithmonë mund të bëjmë më mirë në këtë drejtim.

Por ka shumë bashkëpunim të suksesshëm. Gjermania është këtu prej një kohe të gjatë dhe ne besojmë në një partneritet afatgjatë dhe të besueshëm. Kur angazhohemi jo vetëm në fusha teknike, por edhe në fushën e kulturës, për shembull, e bëjmë këtë sepse besojmë se është në interesin tonë dhe është në tuajin. Dhe preferojmë ta bëjmë gjithmonë në një kornizë më të gjerë evropiane.

Për t’ju dhënë një shembull nga fusha e kulturës, sapo investuam në një partneritet më të fortë në arkeologji me Institutin tonë Arkeologjik Gjerman. Gjithashtu kemi programe që mbështesin përkthimin e letërsisë në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe. Kjo ndihmon që gjuhët të bëhen më të dukshme në vendet e tjera, dhe mendoj se është gjithashtu një çështje njohjeje dhe respekti të ndërsjellë. Pra, kështu duam të bashkëpunojmë. Dhe pajtohem, do të ishte mirë që kjo të ishte më e dukshme, sepse kur njerëzit i ndiejnë rezultatet e prekshme të këtij partneriteti, atëherë dezinformatat nuk do të funksionojnë më.

Elida Zylbeari: Sepse ata e dinë të vërtetën dhe mund t’i ndiejnë gjërat konkrete që marrin, jo vetëm para, siç e përmendët, por kulturë dhe në përgjithësi afrim me vendet e tjera që janë pjesë e BE-së.
Sa u përket fondeve dhe reformave, ekziston Plani i Rritjes i BE-së, dhe Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë kërkesa të caktuara dhe të zbatojë reforma të caktuara për të marrë fondet e premtuara. Duke ditur se reformat tona në luftën kundër korrupsionit janë shumë të ngadalta, dhe në gjyqësor gjithashtu nuk kemi parë përparim, njerëzit nuk ndiejnë se ka drejtësi, si mund të jetë e sigurt BE-ja se ne nuk kemi vetëm ligje në letër, ku thjesht i përmbushim kërkesat formalisht dhe marrim paratë?

Petra Drexler: Pyetje shumë e mirë. Para së gjithash, çdo reformë fillon në letër. Dhe do të thoja se në zbatimin e Agjendës së Reformave, e cila është e lidhur me Planin e Rritjes, vendi ka treguar sukses mbresëlënës. Tani, a do të thotë kjo se mund ta ndieni menjëherë? Me sa duket, jo.

Elida Zylbeari: Në këtë pikë, kjo shprehje ‘përparim mbresëlënës’ u përdor edhe kur Ursula von der Leyen ishte këtu. Për qytetarët, është paksa e vështirë të ndihet kjo. Pse e quani mbresëlënës?

Petra Drexler: Sepse ka aq shumë ligje që duhet t’i përshtatni, dhe kjo kërkon procedurë parlamentare, përgatitje të projektligjeve dhe vullnet politik për ta zbatuar atë. Pra, kjo nuk është një detyrë e lehtë. Dhe nëse ju kujtohet se si filloi Agjenda e Reformave, vendi humbi shumë kohë në fazat e para sepse ishte një detyrë jashtëzakonisht e vështirë për t’u përballuar. Tani ka një koordinim shumë të mirë mes ministrive të ndryshme dhe padyshim ka vullnet politik për ta realizuar këtë.

Por keni të drejtë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se tashmë keni zbatuar me sukses ndryshime strukturore. Dhe në fund të fundit, BE-ja nuk është thjesht një zonë gjigante e tregut të lirë. Ne kujdesemi për vlerat e përbashkëta. Ne kujdesemi për institucione të forta dhe një bazë të fortë të sundimit të ligjit. Për këtë, duhet të ndodhin më shumë gjëra, dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë.

Kjo është gjithashtu arsyeja pse i gjithë procesi i zgjerimit bazohet në kushtëzim. Ka një arsye pse ne themi ‘së pari çështjet themelore’. Ka një arsye pse grup-kapitujt mbi sundimin e ligjit hapen të parët dhe mbyllen të fundit në fund. Dhe ekziston gjithashtu një lloj mekanizmi i kthimit prapa përgjatë rrugës: sapo të negocioni për kapitujt e sundimit të ligjit, do t’ju duhet të dëshmoni se ka zbatim. Ekziston një mekanizëm shumë i fortë monitorimi nga pala evropiane.

Por do të doja gjithashtu të bëja dallimin mes këtij procesi teknik të anëtarësimit në BE dhe rëndësisë së institucioneve të forta në përgjithësi. Kjo nuk është diçka që e dikton BE-ja, mendoj se është aspiratë e njerëzve. Pra, në thelb, pritshmëria krijohet këtu, dhe do të duhet të sigurohet edhe përmbushja e pritshmërive. Dhe në fund, unë personalisht besoj se qytetarët, votuesit, do të vendosin përmes votës së tyre nëse kjo është arritur apo jo.

Elida Zylbeari: Po e ndryshoj pak temën, por duke qëndruar te BE-ja. Gjermania dëshiron t’u japë fund vetove të vendosura nga një shtet i vetëm në zgjerimin e BE-së. Por për ta bërë këtë, duhet të arrini gjithashtu konsensus mes të gjitha vendeve anëtare. Si duket kjo në praktikë? A është e arritshme?

Petra Drexler: Epo, i gjithë Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi kompromis, dhe ju e dini sa e vështirë është të arrihet kompromisi. Shikoni se si ndodh vendimmarrja brenda familjeve të vogla, dhe pastaj imagjinoni se si është me 27 shtete anëtare dhe në diskutime me vendet kandidate, kështu që është një sfidë mjaft e madhe.

Por ne kemi dëshmuar se është e mundur, dhe brenda Bashkimit Evropian, mendoj se të gjithë pajtohemi se na nevojitet vendimmarrje efikase nëse duam të jemi relevantë në skenën globale. Këtu pajtohemi të gjithë. Tani, se si do të arrijmë atje është një pyetje tjetër. Gjermania, së bashku me partnerë si Sllovenia dhe vende të tjera që iu bashkuan nismës sonë, ka lobuar për një kohë të gjatë për përdorim më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar. Kjo do të thotë se ne do të donim të shihnim vendime të bazuara në një shumicë të cilësuar të shteteve anëtare gjithnjë e më shumë, përfshirë edhe në politikën e jashtme, sepse duhet të mbani mend se në shumë fusha të vendimmarrjes sonë politike brenda BE-së, ne tashmë mbështetemi në atë parim.

Dhe së fundmi, kur Komisioni publikoi rishikimin e tij të shumëpritur të politikave përpara zgjerimit, mund të shihnit shumë sugjerime të detajuara rreth zgjerimit të përdorimit të votimit me shumicë të cilësuar. Pra, ky është një lajm i mirë sepse do të thotë se nuk është më thjesht një diskutim teorik mes disa shteteve anëtare, por ka arritur në nivelin e Këshillit. A do të thotë kjo se të gjitha propozimet në atë rishikim do të zbatohen? Nuk e di. Por tani po zhvillohet një diskutim shumë intensiv.

Elida Zylbeari: Gjermania është partneri ynë më i madh tregtar. Si mund të përmirësohemi ne në Maqedoninë e Veriut për të tërhequr më shumë investime gjermane, dhe veçanërisht investime më të qëndrueshme e të avancuara, jo vetëm fabrika të thjeshta montimi?

Petra Drexler: Ne jemi shumë krenarë për partneritetin tonë të fortë ekonomik, dhe unë do ta kundërshtoja mendimin se investimet nga Gjermania këtu janë thjesht, siç thoni ju, fabrika montimi. Ndoshta kjo ishte e vërtetë për një fazë të hershme apo një valë të hershme investimesh, por kompanitë nga Gjermania që kanë ndërtuar një prani këtu gjithashtu kanë riinvestuar. Shumë prej tyre investuan në automatizim dhe në digjitalizim. Kështu që mendoj se ka gjithnjë e më shumë prodhim të avancuar teknologjik të krijuar nga kompanitë gjermane që janë tashmë të pranishme në terren.

Për pyetjen tuaj se si të tërhiqen më shumë investime, unë nuk do të fokusohesha vetëm te investitorët e rinj, por edhe te ata që janë tashmë këtu. Dhe kur bëhet fjalë për tërheqjen e investimeve të reja të teknologjisë së lartë, mendoj se gjithmonë mund të punohet në kornizën. Ka shumë procedura administrative, dhe nëse Maqedonia e Veriut ia del të krijojë një lloj sistemi me një sportel të vetëm (‘one-stop shop’), nëse i tejkalon me sukses shërbimet e fragmentuara në marrëdhëniet me investitorët, kjo do ta bëjë shumë më të lehtë për investitorët e rinj të hyjnë në treg.

Ajo që kërkojnë kompanitë është efikasiteti, parashikueshmëria, infrastruktura e mirë dhe qartësia se kush është bashkëbiseduesi nëse u duhet të zgjidhin çështje ligjore, nëse kanë nevojë për këshilla, apo ku të dorëzojnë kërkesat për leje – të gjitha këto gjëra. Kur qeveria ka një qasje proaktive ndaj investimeve të huaja, që është një pikënisje e mirë, dhe nëse ia dalim së bashku të punojmë për struktura të përmirësuara, mendoj se është e mundur që Maqedonia e Veriut të bëhet një qendër edhe për teknologjinë e avancuar.

Elida Zylbeari: Le të shpresojmë kështu. Gjermania mbështet gjithashtu tranzicionin tonë të gjelbër. Duke pasur parasysh se ne mbështetemi shumë te qymyri, si është i arritshëm ky tranzicion duke treguar kujdes që të mos dëmtojmë punëtorët dhe vetë ekonominë?

Petra Drexler: Epo, tranzicioni energjetik është një çështje shumë komplekse, dhe mendoj se qëllimet ambicioze politike nuk arrihen lehtë – as këtu në Maqedoninë e Veriut, e as në Gjermani apo në vende të tjera evropiane. Pra, është një sfidë mjaft e madhe.

Faleminderit që përmendët se Gjermania e ka mbështetur tranzicionin energjetik këtu për një kohë të gjatë. Kjo daton shumë kohë më parë, shikoni ngritjen e parkut të parë eolik në rajon, në Bogdanci, i cili u realizua këtu dhe u bë funksional më shumë se 10 vjet më parë. Që atëherë, ne kemi investuar dhe bashkëpunuar vazhdimisht me qeverinë dhe agjencitë për të vazhduar në atë rrugë jo vetëm me kredi dhe investime, por edhe përmes trajnimeve dhe mbështetjes për të zgjeruar rrjetin energjetik, gjë që është shumë e rëndësishme.

Megjithatë, nuk është një objektiv i lehtë. Në të njëjtën kohë, mbështetja në planin afatgjatë në një burim të vjetruar energjie si qymyri nuk është shumë e qëndrueshme jo vetëm për arsye mjedisore, por edhe për arsye ekonomike, si dhe për shkak të cilësisë më të ulët të qymyrit në të ardhmen. Kështu që mendoj se kjo gjithashtu nuk po krijon kushte më të mira për punëtorët dhe për ekonominë lokale.

Ju duhet të keni një qasje të balancuar që mban parasysh nevojën si për pavarësi energjetike, ashtu edhe për sovranitet, duke iu përgjigjur njëkohësisht edhe nevojave sociale. Dhe e vetmja gjë që mund të bëni është të mbeteni të përkushtuar dhe të punoni vazhdimisht për këtë për ta bërë një histori suksesi për të gjithë. Gjermania do të mbetet në krahun tuaj në këtë drejtim.

Elida Zylbeari: Kjo është pyetja e fundit, një mesazh për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut. Nëse do t’ju duhej t’u thonit një fjali, cila do të ishte ajo?

Petra Drexler: Besoni në fuqinë tuaj për të vepruar. Të rinjtë këtu janë aq mbresëlënës. Pikërisht dje isha me ministren e Arsimit dhe disa organizata ‘think-tank’ në një projekt shkollor rreth forcimit të integritetit në shkolla. Shumë nxënës morën pjesë dhe unë mbeta shumë e impresionuar. Një nga mësuesit më tha: ‘E dini, kjo gjeneratë e di saktësisht se çfarë dëshiron.’

Elida Zylbeari: Më vjen mirë ta dëgjoj këtë. Faleminderit për intervistën, ambasadore.

Petra Drexler: Faleminderit që më ftuat.

Ambasada e Gjermanisë në RMVElida ZylbeariEurointegrime Negociata RMV-BEIntervistë