Shkruan: Ardit Ramadani
Në kushtet ku të gjitha proceset gjyqësore zhvillohen në gjuhën maqedonase, propozimi i ministrit Jeton Shasivari është shumë i mirë. Zgjidhja e kësaj çështjeje nuk duhet të shihet si punë e kryer. Shteti të punojë paralelisht në respektimin e plotë të ligjit të gjuhëve, i cili obligon gjykatat në qytetet përkatëse të zhvillojnë proceset edhe në shqip.
Në një shtet normal, kjo do të ishte zgjidhur me një vendim të ministrit pa pasur nevojë për ndryshime ligjore. Koshient se ku jetojmë, vendimi i ministrit që ky propozim të futet në ligj është i drejtë. Ligji do duhet të respektohet pavarësisht nëse nesër vjen në krye të ministrisë Filkovi ose Apasievi. Maqedonia nuk e ka luksin t’i lërë këto punë në vullnetin e lirë të politikanëve.
Dërgimi i këtij propozimi në Komisionin e Venedikut është gabim. Praktika tregon se mendimet e këtij komisioni vendi i ka marrë parasysh vetëm kur i ka konvenuar, një prej rasteve është ai i ligjit për gjuhët. Për tjerat, raportet e BE-së e kritikojnë vendin se nuk i ka zbatuar. Prandaj, kjo veç do ta zvarrisë dhe përlyejë procesin, kur të vijë ai mendim, gjithsecili do e lexojë ndryshe.
Propozimi nuk duhej të përfshinte jurisprudencën në anglisht dhe turqisht. Argumenti që po futet edhe në ligj se jurisprudenca të mbahet në gjuhën në të cilën studenti i kryen studimet është gabim. Jurisprudenca duhet të mbahet në shqip, sepse gjuha shqipe është gjuha e dytë zyrtare në vend. Kaq.
Studentët shqiptarë duhet patjetër të jenë në gjendje që 2 provimeve t’u nënshtrohen në gjuhën e parë zyrtare të këtij shteti, gjuhën maqedonase. Paraqitja e studentëve në media si të paaftë ta bëjnë këtë (Bajram Rexhepi, tv21) është e dëmshme për ta. Jurisprudenca duhet të jetë edhe në shqip sepse shqipja këtu është zyrtare, jo sepse kemi studentë të paaftë.
Sado kontroverse të tingëllojë, realiteti është ky: kush do karrierë si gjyqtar, prokuror apo avokat në Maqedoni, maqedonishtja i duhet, por alternativën në shqip duhet ta kenë përherë, sepse e kanë të garantuar me ligj. Studentët e arritën këtë përmes protestave dhe përpjekjeve të jashtëzakonshme.
Unë i përgëzoj për fitoren e betejës së parë, pasi siç thash në paragrafin e parë, ka edhe plot punë, por padyshim që propozimi i ministrit Shasivari është rezultat i drejtpërdrejtë i këmbënguljes së tyre.