Shabani dhe Hatixhja si pasqyrë e turpit përballë parasë!

Shkruan: Refet ABAZI

(Një përjetim i filmit „Shame and Money”)

Filmin „Shame and Money” mjafton ta shohësh vetëm një herë, sepse pastaj të përndjek pambarimisht, duke të përballur me pasqyrën e Turpit dhe të detyron ta rikalosh në kokë jetën tënde për të parë skena e momente kur është dashur të turpërohesh e nuk e ke bërë! Një përndjekje e tillë më përfshiu edhe mua, derisa më detyroi të ballafaqohem me të.

Filmi „Shame and Money” është si pasqyra e Till Ylenshpigelit, që në kohën e tij ua ofronte njerëzve duke shpresuar se ata do të kenë guximin ta shohin pasqyrimin e jetës së tyre në të. Por, kur situata bëhet e padurueshme dhe ajo që ai tentoi të bënte u bë e rrezikshme edhe për jetën e tij, ai nuk i akuzoi njerëzit për hipokrizinë e tyre, por tha atë që ngeli në histori: „Pasqyra është e thyer!”. Kuptohet, e tha këtë pasi nuk deshi të përlyhej duke thënë atë që shihte, e ajo që shihte do të duhej të shprehej me fjalinë: Bota është aq e shthurur, saqë pasqyra nuk është në gjendje ta pasqyrojë!

Edhe filmin e Visar Morinës, shkruar nga po ai dhe Doruntina Basha, edhe pse e kisha lexuar skenarin (pasi kam një paraqitje në film), unë e përjetova si pasqyrën e Ylenshpigelit. Por si? Pyeta veten sapo filloi skena kur Shabani (Astrit Kabashi) dhe Hatixhja (Flonja Kodheli) me familjen e tyre u nisën drejt Prishtinës. Në film zakonisht shohim aktorët që jetojnë jetën e personazheve, dhe kur kjo arrihet, zakonisht themi se aktorët kanë bërë punë të mirë. Por në këtë rast, Astriti dhe Flonja ishin shumë më shumë se personazhet e tyre. Ishin pikërisht ajo pasqyra që e kishte përthithur gjithë turpin nga ngjarjet në fshat që u ndodhën në familjen e tyre, dhe pasi askush nga familja nuk pa pasqyrimin e turpit të tyre në atë pasqyrë, vendosën të shpërngulen në qytet.

Gjithçka ndodhi kur vëllai i vogël, Liridoni (Tristan Halilaj), vendosi të largohet për në Gjermani, por për largimin e tij ka nevojë për shumën e parave që janë gjithë kursimet e familjes. Tristani në rol paraqitet i thuktë, me vendime të prera, sepse ai edhe quhet Liridon – pra „ lirinë e do” – dhe mendon se e meriton atë liri që gjendet në një vend tjetër. Ai lirinë, më shumë se përgjegjësi, e kupton si anarki. Prandaj edhe veprimet i bën si dadaistët, që thoshin të shkatërrojmë gjithçka, madje edhe rrënojat! Veprimi i tij, i udhëhequr vetëm nga interesi personal, është shkatërrues për familjen. Ky shkatërrim e detyron familjen e Shabanit të largohet nga fshati. Dhe shohim se për atë që u ndodhi, të udhëhequr nga NANA (Kumrije Hoxha), ata nuk protestuan, nuk kërkuan përgjegjësi për padrejtësitë që u ndodhën, as llogaridhënie, thjesht qetësisht u larguan! Ata nuk u larguan të udhëhequr nga parimi „lëshoji rrugë budallait”, por u larguan sepse pasqyra e tyre në atë ambient veçse ishte e „thyer”!

Por, si e kanë arritur atë gjendje qetësie Astriti dhe Flonja? Pyeta veten kur shikoja fytyrat e tyre në skenën e largimit nga fshati, dhe shtova edhe një pyetje: Visari në çfarë labirintesh i ka çuar të ecin duke gërmuar brenda shpirtit të tyre? Sepse ata duken si njerëz të tjetërbotshëm, sikur kanë kaluar nëpër shpellat e Marabarit dhe kanë arritur stadin më të lartë të urtësisë. Ata duken sikur janë shkëputur nga vargjet e Uitmanit dhe janë aty për të kënduar tjetrin, jo veten. Sikur „çdo atom që i përket Shabanit, po aq i përket edhe Hatixhes”, dhe anasjelltas! Të këndosh tjetrin nënkupton vetëmohim, e Shabani dhe Hatixhja vetëmohimin e kanë deri në skajshmëri, deri në mungesë të plotë të vetvetes! Ata mungojnë në jetën që zhvillohet jashtë rrethit të tyre; kur janë vetëm përballë asaj pjese të botës, ata janë njerëz me shqisa të mpira. Ndërsa, kur janë në botën e tyre, ku përfshihen Nana dhe vajzat e tyre, janë të plotë.

Kumrije Hoxha, në rolin e NANËS, nuk është vetëm një nënë, ajo është mbretëresha e mbretërisë së fundit ku ekziston kodi i turpit, ku balancohet nderi dhe dinjiteti njerëzor. Mua më përngjau si mbretëresha e fundit e fisit të lashtë të sabianëve (ata që kishin aftësinë dhe dhuntinë të lexonin yjet). Kumrije Hoxha është edhe si „Lady Justice”, por jo me sy të mbyllur, sepse në mbretërinë e saj sytë janë dritare të shpirtit. Në mbretërinë e saj sytë shpërndajnë dritë yjesh. Dhe atë aftësi për të lexuar dritën e yjeve, ajo mundohet ta përcjellë edhe te mbesat e veta, edhe pse e di se në vendin ku jetojnë, një dhunti e tillë lexohet edhe si mallkim!

Në  qytet, Shabani dhe Hatixhja vazhdojnë ecjen e tyre nëpër Golgotë me peshën e pasqyrës që bartin mbi vete. Në qytet hasin në vështirësi edhe më të rënda, sepse ballafaqohen me njerëz që kodin e turpit e kanë shkelur me të dyja këmbët. Shabani bëhet pasqyrë e Albanit (Alban Ukaj), ndërsa Hatixhja pasqyrë e motrës së saj, Adelinës (Fiona Gllavica). Albani dhe Adelina, si të pasuruar të rinj, janë ajo klasë shoqërore që mendon se në vilën luksoze jetohet më mirë sesa në „shupën” ku vendoset mbretëria e Nanës! Por, Albanit dhe Adelinës gjithë kjo u shkërmoqet sapo ballafaqohen me pasqyrat përballë tyre nga Shabani dhe Hatixhja!

Alban Ukaj, si usta i mirëfilltë i aktrimit, me sensin e përkryer të masës, luan me ndjeshmëri në planin e dytë. Albani nuk e imponon prezencën e tij, por pret që të vlerësohet për atë që ka arritur në jetë, pasi ka grumbulluar kapital (para). Ai në mënyrë diskrete pret që Shabani ta admirojë për atë që ka arritur, pret që Shabani t’i bëjë pyetje se si ka arritur gjithë atë pasuri! Pyetjet e tilla atij do t’ia mundësonin të bëhej rrëfimtar i suksesit, do të ndihej si model i realizimit të ëndrrave. Nëse Shabani do të sillej ashtu dhe do të bënte pyetje të tilla, Albani do ta trajtonte ndryshe, sepse njerëzit e tillë kanë nevojë për njerëz të nënshtruar, gjë që i bën të ndihen sikur janë toteme të suksesit. Por një gjë e tillë nuk ndodh! Sepse Shabani është i krijuar nga tjetër material!

Mungesa e admirimit e bën Albanin të dalë pak nga zona e tij e rehatisë, sepse Shabani jo vetëm që nuk e admiron, por në shumë skena edhe i vjen keq për të. Kjo e bën Albanin të dalë nga lëkura e tij dhe tenton ta bindë Shabanin se veprimet e tij për të kërkuar punë janë të turpshme. Të turpshme jo për Shabanin, por për të, sepse ai e llogarit veten si të suksesshëm. Por në fytyrën e Shabanit ai sheh pasqyrën ku pasqyrohet veten, dhe ajo që sheh nuk i pëlqen. Aty sheh anatominë e rënies së tij. Sheh se iluzioni i luksit që ka krijuar nuk është asgjë tjetër veçse një flluskë sapuni! Ai iluzion vlerësohet vetëm nga njerëzit sipërfaqësorë. E Shabani, edhe pse i ngratë dhe i varfër, nuk është i tillë!

Adelina, përballë pasqyrës që i ofron Hatixhja, sheh më qartë, por jo sepse ka më shumë guxim sesa Albani, por sepse ka më shumë zhgënjim. Ajo, duke parë motrën e vet se sa e përmbushur (e realizuar) është brenda familjes së saj, e kupton boshllëkun që ka duke jetuar në vilën luksoze, ku jeta e saj nuk është asgjë tjetër veçse një shtirje!

Shtirja e Albanit dhe Adelinës duket qartë në film, pasi Visari asaj shtirjeje i bën një kontrast të egër. Pas skenës në vilën plot luks, ne shohim Shabanin dhe Hatixhen në „shupën” pranë vilës, por duke u parë në sy. Shohim se komunikimi i tyre është përtej asaj që quajmë dashuri; ata mjaftohen vetëm me shikimin në sytë e njëri-tjetrit. Një prekje e butë në faqe është shumë më e plotë dhe domethënëse sesa ajo jetë e shtirur brenda vilës së luksit. Për Shabanin, Hatixhja, fëmijët dhe Nana janë e gjithë bota, dhe asgjë tjetër nuk dëshiron veçse ajo botë e tij të jetë e lumtur.

Duke i shikuar sesi komunikojnë Shabani dhe Hatixhja në shtratin e improvizuar në „shupën” përskaj vilës, në kokë vetëtimthi më jehoi një pyetje: Po këta, si i kanë bërë fëmijët? Si i kanë bërë fëmijët kur këtyre u mjafton vetëm një prekje e butë, e përcjellë me shikimin në sytë e tjetrit? Dhe aty për aty, në kokë dëgjova zërin e shkrimtarit Agron Tufa që mu përgjigj: „Refet, ata duhet t’i kenë bërë fëmijët me ‘Ngjizje të papërlyeme’”. Po, u pajtova me Agronin, u pajtova me shkrimtarin që ka shkruar një kryevepër për një „ngjizje” të tillë. Duhej të jetë diçka e tillë e tjetërbotshme, sepse edhe fëmijët e tyre janë fëmijë të ngjizur nga drita e yjeve. Nga drita e yjeve që Shabani përthith nga sytë e Hatixhes, ashtu siç bën edhe Hatixhja me dritën nga sytë e Shabanit.

Pasqyra e Shabanit e përshkon pothuajse gjithë qytetin, dhe ne shohim pasqyrimin e klubeve të natës që Shabani dhe Hatixhja i pastrojnë ditën. Gjatë pastrimit shohim, nëpërmjet pasqyrës së Hatixhes, një vajzë të dehumanizuar nga luksi dhe përdorimi i substancave që ofrojnë ikje nga realiteti; shohim rrugën (tregun) e punës ku njerëzit ofrojnë veten si punëtorë krahu; drekën që hanë ata punëtorë që ngelin aty te rruga, sepse nuk përzgjidhen nga ata që kanë nevojë për punëtorë krahu.

Derisa shohim rrugëtimin e Shabanit dhe Hatixhes, neve (të paktën mua) si shikues fillon të na vlojë gjaku dhe presim se kur do të shpërthejë Shabani nga gjithë gjërat që i shtresëzohen atij. Unë lexova diçka në portretin e Shabanit, një shprehje të Teki Dervishit që thotë: „Shpirti i njeriut është prej gome, nuk pëlcet nga vuajtjet dhe dhimbja, por zgjerohet. Kur mendon se nuk pranon më vuajtje dhe dhembje, ai zgjerohet pak dhe lëshon vend edhe për vuajtjen dhe dhimbjen e radhës”. Në një moment, portreti i Shabanit dhe i Hatixhes ma tha edhe atë shprehjen e famshme të Çehovit: „Tek ti po zien ajo që tek unë tashmë ka vluar moti!”.

Doruntina dhe Visari, si mjeshtër të vërtetë, duke e ditur që shikuesit do të ndiejnë diçka të tillë, bile edhe do të presin se kur do të ndodhë shpërthimi i Shabanit, ata mjeshtërisht nuk na ofrojnë eksplozion, por implozion. Po, Shabani arrin pikën kritike të gjithë asaj që është shtresëzuar në shpirtin e tij, por ai nuk eksplodon nga brenda jashtë, por brenda vetes. Ai në momentin kritik arrin që shpirtin e vet ta zgjerojë edhe pak, sa për të tejkaluar pikën e vlimit. Kjo më bëri mua të ndiej një domosdoshmëri për të klithur me sa mundem, dhe e bëra, por pa zë – klitha si Shabani, brenda vetes sime.

Në  fund, Shabani arrin të gjejë një punë më të dinjitetshme. Detyra e tij e punës është më shumë se absurde: „Me e ruajtë nji lagje luksoze  të rrethume. mos me hi fukaratë si familja e tij!”. Në skenën e fundit e shohim Shabanin që i përshkon rrugicat e lagjes luksoze. Sheh shtëpitë, dyert e mëdha. Dhe mua, ndoshta shkaku i uniformës që ka të veshur, Shabani mu shndërrua në Kerber, që ruan dy botët e ndara mes vete. Dhe Shabani aty, në mes të atyre dy botëve. Shabani më përngjau me atë pikën e zezë në mes që e ka Lulja e Turpit. Siç më tha babai im dikur moti kur isha fëmijë, kur ma rrëfeu legjendën për Lulen e Turpit: „E sheh këtë pikë të zezë në mes? Kaq turp kanë sot njerëzit, sa kjo pikë e vogël!”.

Unë, ndoshta i shtyrë nga drama  që kam shkruar nja katër vjet më herët me titull „Lulja e Turpit”, në kokë e zhvillova më tej filmin. E zhvillova skenën e fundit. Përfytyrova sesi Shabani para derës së secilës shtëpi në atë lagje pështyn, por pështyma e tij nuk është pështymë e zakonshme, por është si dhëmbët e dragoit që në kohët antike i hedhin në tokë dhe prej të cilëve mbijnë ushtarët e përsosur. Por në rastin e përfytyrimit tim, nga pështyma e Shabanit para secilës derë mbin një Lule e Turpit, sepse paratë janë brenda atyre shtëpive. Dhe në kokë e ktheva skenën e vajzës së dehumanizuar tek klubi i natës, të cilën Hatixhja dhe Shabani e bartin në duar dhe e vendosin në një taksi që ia kanë thirrur. Dhe në pyetjen e taksistit për adresën, vajza e shtrirë përgjigjet: „Tek lagjja e Luleve të Turpit!”.

Nejse, kërkoj ndjesë për këtë që shkrova, në veçanti kolegëve që nuk i përmenda në këtë shkrim. Por, vërtet, unë kështu i përjetova vijat e tregimit të filmit „Shame and Money”. Dhe kjo më bëri të ndihem krenar që edhe unë paraqitem në një skenë të këtij filmi.

Lulja e Turpit ( Daucus Carota)

 

Na Shkruani