SHOQËRIA SI NË FABULË

La Fonteni (1621–1695), nëpërmjet fabulave të tij, kritikoi pabarazinë, keqpërdorimin e pushtetit, shtypjen e të pambrojturve, egoizmin, lakminë, hipokrizinë, mashtrimin dhe shumë dukuri të tjera negative.

Në fabulën “Kafshët dhe murtaja”, të përshtatur në shqip nga Andon Zako Çajupi, paraqitet në mënyrë alegorike shoqëria ku të fuqishmit mbrojnë njëri-tjetrin, pavarësisht fajeve të rënda që kanë kryer, kurse i pafuqishmi dënohet ashpër edhe për një shkelje të vogël.

Pasi murtaja godet mbretërinë e kafshëve, Luani, si mbret, propozon të flijohet kafsha që ka kryer fajin më të madh, me qëllim që të zbutet zemërimi i Jupiterit: “Të paguajë për të tërë / Fajet që ne kemi bërë; / Duhet të bëhet theror / Kush është më i madhi fajtor”.

Luani pranon se ka bërë padrejtësi, por dhelpra lajkatare ia përligj mëkatet: “Shumë mirë ke punuar”, / Tha dhelpra. “Ç’është një dash? / I bën nder kur zë ta hash. / Sa për bariun, mos qaj, / Kur e hëngre, s’bëre faj. / Rroftë kushdo që ta vrasë, / Është më i keq se çdo shtazë!”

Edhe kafshët e tjera pranojnë se kanë kryer faje të rënda, por, meqenëse janë të fuqishme, nuk shpallen fajtore.

Gomari i gjorë pranon se, në një ditë vere, kishte hyrë në një livadh të huaj dhe kishte ngrënë pak bar. Sakaq, kafshët e tjera e akuzojnë ashpër: “S’bëhet dot më e madhe dhunë! / Të hash bar në shesh të huaj! / Zot na ruaj! Zot na ruaj! / I tillë faj nuk ndjehet: / Vetëm me vdekje shpërblehet…”

Kështu, kafshët vendosin që Gomari i gjorë të dënohet me vdekje dhe të paguajë edhe për mëkatet e të tjerëve.

Kjo dukuri vihet re edhe në shoqërinë njerëzore, kur ndodh që pushteti i mbron të fortët dhe i shpall fajtorë të pafuqishmit. Teksa mëkatarët që kanë kryer krime të rënda vazhdojnë të jetojnë në luks, të pafuqishmit dënohen ashpër, edhe kur janë të pafajshëm ose kur kanë kryer vetëm ndonjë shkelje të vogël.

Aty ku ligjin e bën i forti dhe ku fajtori i madh nuk ndëshkohet, edhe pse veprimet e tij mund të kenë shkaktuar pasoja të rënda për njerëzit, ligjet e humbasin vlerën e tyre.

Një shoqëri është e mbaruar kur ligjet nuk zbatohen në praktikë ose kur nuk vlejnë njësoj për të gjithë njerëzit. Në një shoqëri të tillë, i pafuqishmi dënohet rëndë për një shkelje të vogël të ligjit, kurse të fuqishmit i shpëtojnë ndëshkimit falë pushtetit dhe mbështetjes që i japin njëri-tjetrit. Ashtu siç ndodh edhe në fabulën e famshme të La Fontenit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu