Pushteti nuk është pronë: Protesta dhe fundi i karizmës (I)

 

Këto ditë, atmosfera sociale, si në nivel global, ashtu edhe në atë lokal e ballkanik, po vlon. Protesta gjithandej. Vala e mobilizimeve rinore ka përfshirë disa vende evropiane. Në Francë, Itali, Belgjikë dhe Austri, studentët kërkojnë më shumë investime në arsim dhe kushte më të mira studimi. Në Spanjë dhe Portugali, në qendër të pakënaqësisë së të rinjve janë kriza e strehimit dhe çmimet e papërballueshme të qirave. Ndërkohë, në Shqipëri, pakënaqësitë qytetare lidhen me korrupsionin, koston e arsimit, mungesën e perspektivës për të rinjtë, mundësitë e punësimit dhe projektet e zhvillimit, përfshirë ato që lidhen me ishullin e Sazanit.

Protesta nuk është një shpërthim i rastësishëm pakënaqësie, por një formë e shprehjes politike dhe e veprimit kolektiv përmes së cilës individët dhe grupet kërkojnë ndryshime shoqërore, politike ose ekonomike. Marshimet, tubimet, uljet protestuese (sit-in), bojkotet dhe fushatat në internet janë disa nga mënyrat përmes të cilave qytetarët kundërshtojnë vendimet e pushtetit dhe kërkojnë që zëri i tyre të merret parasysh. Veprimi kolektiv mund të ushtrojë presion mbi strukturat e pushtetit edhe përmes ndërprerjes së rutinave dhe refuzimit të bashkëpunimit me mekanizmat ekzistues (Piven, 2008).

Në thelb, njerëzit protestojnë kur ndihen të papërfaqësuar, kur institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të tyre ose kur pakënaqësia arrin pikën e fundit. Thënë më drejtpërdrejt, kur u vjen në majë të hundës. Protesta bëhet zëri i atyre që mendojnë se i kanë shteruar rrugët e tjera të komunikimit me pushtetin. Ajo mund të shërbejë si mekanizëm demokratik korrigjues, duke i kujtuar qeverisë se legjitimiteti nuk buron vetëm nga zgjedhjet, por edhe nga përgjegjshmëria, transparenca dhe aftësia për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.

Megjithatë, protestat dallojnë për nga qëllimet, organizimi dhe taktikat. Një protestë mund të jetë radikale në kërkesat e saj pa qenë e dhunshme. Mosbindja civile, bojkoti dhe bllokadat duhen dalluar nga veprimet që shkaktojnë dëme ndaj njerëzve ose pronës. Po kështu, aktet e dhunshme të disa individëve nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht karakterin e gjithë lëvizjes.

Protestat në Shqipëri e ilustrojnë këtë kompleksitet. Mobilizimet kundër projekteve luksoze të zhvillimit, përfshirë projektin turistik në Sazan, kanë ngritur shqetësime për transparencën, mbrojtjen e mjedisit dhe raportin ndërmjet interesit publik e interesave ekonomike. Lidhjet e projektit me Affinity Partners, firmën e themeluar nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, e kanë shtuar vëmendjen publike. Përtej qëndrimeve pro ose kundër investimit, çështja ngre pyetje për procesin e vendimmarrjes, konsultimin qytetar dhe përgjegjësinë institucionale.

Një shembull tjetër vjen nga Serbia, ku tragjedia e Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, kur shembja e tendës së betonit në stacionin hekurudhor shkaktoi vdekjen e 16 personave, u bë pikënisje e protestave të gjera studentore. Kërkesat për transparencë, drejtësi dhe përgjegjësi u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit dhe dështimeve institucionale. Ky rast tregon se një ngjarje konkrete mund të shërbejë si katalizator për pakënaqësi të grumbulluara prej kohësh. Protesta nuk synon më vetëm sqarimin e një tragjedie, por vë në pikëpyetje mënyrën se si funksionojnë institucionet dhe sa përgjegjësi mbajnë ato për veprimet e tyre.

Një tjetër dimension i protestës është dinamika e turmës. Ajo ka një forcë magnetike: tërheq njerëz që identifikohen me kauzën, por edhe kalimtarë, spektatorë dhe individë që mund të mos kenë lidhje të drejtpërdrejtë me objektivat e saj. Ndjenja e përkatësisë dhe intensiteti emocional mund të shtojnë guximin dhe solidaritetin, por ndonjëherë dobësojnë vetëkontrollin dhe përgjegjësinë individuale. Disa pjesëmarrës angazhohen për kauzën, të tjerë përfshihen nga emocioni i çastit, ndërsa disa mund ta shfrytëzojnë situatën për qëllime oportuniste. Kjo shumësi motivesh nuk e zhvlerëson protestën, por e bën të domosdoshëm dallimin ndërmjet kërkesave të saj dhe sjelljeve të veçanta të pjesëmarrësve. /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit