Prokuroria Themelore Publike e Shkupit do të hetojë ndotjen në Rashçe, valë reagimesh dhe konferencash për shtyp

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka hapur lëndë për të verifikuar informacionet për ndotje masive të natyrës me mbetje në zonën e mbrojtur pranë burimeve të Rashçes, nga ku Shkupi furnizohet me ujë, raporton Portalb.mk.

Nga Prokuroria informojnë se prokurori publik kompetent do të koordinojë aktivitetet e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor dhe shërbimeve kompetente të inspektimit, me qëllim kryerjen e kontrolleve lidhur me origjinën e deponisë, si dhe pasojat e mundshme.

“Nëse konstatohen elemente të veprës penale kundër mjedisit jetësor dhe identifikohen autorët, Prokuroria Publike do të veprojë në përputhje me kompetencat e saj për ndjekje penale”, thanë nga Prokuroria Publike.

Sot, Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi“ – Shkup, Ivan Mitrovski, për Kolegium tha se uji në Shkup është teknikisht i rregullt, nuk ka nevojë për panik, pasi që nga mëngjesi mes qytetarëve është përhapur panik dhe shqetësim se në ujësjellësin e qytetit është zbuluar bakteria Escherichia coli.

Me konferencë për shtyp doli edhe kreu i Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjievski i cili tha se në ujin e Shkupit nuk ka Escherichia coli. Ai tha se mesazhet që u shpërndanë masivisht në rrjetet sociale, me dezinformata për kontaminimin e pretenduar të ujit, janë dezinformata, duke drejtuar gishtin nga LSDM-ja.

“Nga qendra të caktuara po përhapet panik. Kjo filloi që para disa ditësh, me pretendime në terren se ekzistonte rrezik që, për shkak të një deponie 30 kilometra larg burimit të Rashçes, të rrezikohej burimi. Sot deponia po pastrohet, por askush nuk përmendi se ajo deponi ndodhet 30 kilometra larg Rashçes”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë sot njoftoi se deri më tani nuk është regjistruar dhe as hospitalizuar asnjë pacient, gjendja shëndetësore e të cilit lidhet me konsumimin e ujit të ndotur në Shkup.

Këtë e konfirmoi drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana, në konferencën e sotme për media në Ministrinë e Shëndetësisë. Edhe përfaqësuesit përgjegjës të Institutit të Shëndetit Publik dhe të Qendrës së Shëndetit Publik Shkup informuan se deri më tani nuk janë regjistruar raste të tilla.

Në ndërkohë, siç raportoi Tellma, Agjencia për Siguri Kombëtare dhe Ministria e Brendshme kanë filluar të hetojnë se nga ku nisën dezinformatat për ujin e ndotur në Shkup.

Për ndotjen në Rashçe, dje alarmoi Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) opozitare e cila paralajmëroi se në afërsi të burimit të Rashçes po krijohet deponi ilegale dhe kërkoi reagim urgjent nga institucionet kompetente, duke pretenduar se gjendja mund të paraqesë rrezik për burimin nga i cili furnizohet Shkupi me ujë.

Kujtojmë se Rashçja është burimi kryesor i sistemit të ujësjellësit të Shkupit. Sipas të dhënave zyrtare të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, nevojat për ujë të Shkupit pothuajse tërësisht sigurohen nga kaptazhat Rashçe 1 dhe Rashçe 2, ndërsa puset Nerez dhe Lepenc përdoren si burime shtesë gjatë periudhave me konsum të shtuar.

Nga ndërmarrja kanë thënë se cilësia e ujit nga Rashçja monitorohet vazhdimisht dhe se, sipas karakteristikave të tij fizike, kimike dhe bakteriologjike, uji nuk kërkon trajtim shtesë, përveç dezinfektimit preventiv me klor.

Ndryshe, ujërat nëntokësore në afërsi të deponisë së Jugohromit janë të ndotura deri në 100.000 herë më shumë sesa vlerat e lejuara të kromit gjashtëvalent, tregon studimi i përgatitur nga GIM për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë pikë të nxehtë industriale në vend. Mbi 7300 ton nga kjo mbeturinë jashtëzakonisht kancerogjene, e cila ruhet vetëm një kilometër nga fshati Jegunovc, kërcënojnë të ndotin përgjithmonë burimin e Rashçes dhe ta lënë Shkupin pa ujë të pijshëm të pastër. Mbeturinat industriale, të hedhura për dekada në një sipërfaqe prej 7.5 hektarësh, janë të tretshme në ujë, por pavarësisht kësaj, ato ende qëndrojnë të pasiguruara.

Orce GjorgjievskiProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMVQyteti i ShkupitUji - ujë