LSDM alarmoi: Burimi nga i cili furnizohet Shkupi me ujë është në rrezik, katastrofë ekologjike në Rashçe

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) opozitare paralajmëroi se në afërsi të burimit të Rashçes po krijohet deponi ilegale dhe kërkoi reagim urgjent nga institucionet kompetente, duke pretenduar se gjendja mund të paraqesë rrezik për burimin nga i cili furnizohet Shkupi me ujë, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo parti thonë se mbeturinat ndodhen në zonën e mbrojtur në afërsi të Rashçes dhe kërkuan nga Qeveria dhe autoritetet lokale të tregojnë se kush ka lejuar krijimin e deponisë dhe nëse është bërë vlerësim i rreziqeve të mundshme.

“Kush ka lejuar që një deponi e tillë ilegale të krijohet në afërsi të burimit? Kjo është kërcënim i drejtpërdrejtë për ujin e pijshëm dhe shëndetin e qytetarëve”, deklaruan nga LSDM.

Nga partia opozitare kërkojnë që institucionet të përcaktojnë saktësisht se çfarë depozitohet në këtë lokacion, sa kohë janë hedhur mbeturinat aty dhe nëse ekziston rreziku që ndotja të arrijë deri te ujërat nëntokësore. Partia kërkon gjithashtu garanci publike se uji që aktualisht shpërndahet në Shkup është i sigurt për t’u pirë.

Kujtojmë se Rashçja është burimi kryesor i sistemit të ujësjellësit të Shkupit. Sipas të dhënave zyrtare të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, nevojat për ujë të Shkupit pothuajse tërësisht sigurohen nga kaptazhat Rashçe 1 dhe Rashçe 2, ndërsa puset Nerez dhe Lepenc përdoren si burime shtesë gjatë periudhave me konsum të shtuar.

Nga ndërmarrja kanë thënë se cilësia e ujit nga Rashçja monitorohet vazhdimisht dhe se, sipas karakteristikave të tij fizike, kimike dhe bakteriologjike, uji nuk kërkon trajtim shtesë, përveç dezinfektimit preventiv me klor.

Ndryshe, ujërat nëntokësore në afërsi të deponisë së Jugohromit janë të ndotura deri në 100.000 herë më shumë sesa vlerat e lejuara të kromit gjashtëvalent, tregon studimi i përgatitur nga GIM për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë pikë të nxehtë industriale në vend. Mbi 7300 ton nga kjo mbeturinë jashtëzakonisht kancerogjene, e cila ruhet vetëm një kilometër nga fshati Jegunovc, kërcënojnë të ndotin përgjithmonë burimin e Rashçes dhe ta lënë Shkupin pa ujë të pijshëm të pastër. Mbeturinat industriale, të hedhura për dekada në një sipërfaqe prej 7.5 hektarësh, janë të tretshme në ujë, por pavarësisht kësaj, ato ende qëndrojnë të pasiguruara.

Lidhja Social Demokrate (LSDM)Uji - ujë