Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një personi, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunë”, nga neni 386, paragrafi 6, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Sipas dëshmive të siguruara deri më tani, më 16 shtator, në një ordinancë private në kuadër të poliklinikës “Bukuresht”, i dyshuari ka ushtruar dhunë të rëndë ndaj një mjeku-gjinekolog, i cili ndodhej në vendin e tij të punës.
Ai e ka kërcënuar dhe e ka sulmuar fizikisht mjekun me disa goditje, ndërsa ka shkaktuar ndjenjë pasigurie, rreziku dhe frike edhe te personat e tjerë të pranishëm në ordinancë.
Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e disa masave të kujdesit, me qëllim sigurimin e të dyshuarit, si dhe ndalimin e tij për t’iu afruar të dëmtuarit dhe ordinancës.