Viti 2026 Tetovën e gjeti pa plan gjeneral urbanistik të miratuar. Ndonëse u tha se i njëjti do të jetë gati gjatë këtij viti, ende nuk janë përmbyllur procedurat, ndërsa nuk ka afat konkret se kur do të miratohet ky plan, shkruan Portalb.mk.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se plani gjeneral urbanistik është në përpilim e sipër, ku detyra projektuese është në Agjencionin për Planifikim në procedurën e miratimit.
“Dinamikën të cilën e kemi paraparë besojmë që brenda 2026 do kemi draftin e parë të dorëzuar në ministri që pastaj vazhdon koordinimi me ta për vërejtjet e tyre”, tha Kasami.
Pasi Kasami nuk arriti ta realizojë miratimin e planit gjeneral urbanistik siç premtoi brenda gjashtë muajve në mandatin e parë, të njëjtin premtim ai e ka vendosur edhe në programin e mandatit të dytë por kësaj here pa ndonjë afat konkret kohor.
Miratimi i planit gjeneral urbanistik është nevojë e madhe për qytetin pasi shihet si zgjidhje për zvogëlimin e kaosit në trafik dhe ndërtimeve. Për herë të fundit plani gjeneral urbanistik u miratua në vitin 2003. Në vitin 2019 filloi procedura për sjelljen e një plani të ri, por kjo ngeci.
Me miratimin e planit të ri gjeneral urbanistik parashihet të zbutet kaosi urban në Tetovë, përmes zgjerimit të hapësirave, rrugëve, bulevardeve, parqeve dhe të tjera.