Plani Urbanistik për ‘Shik Jellakun’ në Tetovë me vite assesi të sheh dritë

Pas pesë pezullimeve të njëpasnjëshme, Komuna e Tetovës nuk e ka miratuar ende planin detal urbanistik për bllokun urban 57 (57A) të njohur si zona ‘Shik Jellak’, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami duke mos dhënë afat konkret tha se e njëjta është në procedurë të përpilimit nga kompania planifikuese, nga momenti kur do të kenë draftin e parë do ta procesojnë në bazë të ligjit.

“Ajo që ka qenë do kisha thënë propozimi jonë dhe gatishmëria jonë që ajo zonë të jetë si bllok urban për destinim të institucioneve publike, i janë dhënë orientimet shtëpisë planifikuese dhe nga momenti kur do ta kemi draftin e parë do ta procesojmë më tutje”, tha Kasami.

Hulumtimi: Kompania projektuese është donatore e komunës

Në ndërkohë, gazeta Fokus raportoi se planin urbanistik për këtë zonë e bën kompania ‘Pro Engineering’ e cila ka qenë donatore e Komunës së Tetovës.

Fokus raportoi se nga informacionet e disponueshme publikisht është se në periudhën e kaluar është miratuar Program Planor për hartimin e një pjese të PDU-së për 57 (57a) dhe një Draft PDU për një pjesë të Bllokut 57 (57a). K.K. Tetova 1.

Në Programin Planor të publikuar në prill të vitit 2023, të cilin e përgatit kompania “Pro Engineering”, thuhet se lëndë e PDU-së është krijimi i “kushteve reale për rregullimin dhe përdorimin e hapësirës së parcelave kadastrale të lëndës…”. Gjithashtu parashihen “sipërfaqe më të mëdha për përdorim publik, parqe dhe gjelbërim për planifikimin e një jetese më njerëzore në kuadër të mbulimit të planit”.

Bazuar në këtë Program, në korrik të vitit 2023 u miratua një Draft Plan për një pjesë të Bllokut 57 (57 a), i cili sërish u hartua nga “Pro Engineering” me kërkesë të Komunës të Tetovës. Në pjesën tekstuale thuhet se PDU-ja ka për qëllim krijimin e kushteve për zhvillim hapësinor, me ç’rast do të krijohen kushte për modernizimin e kushteve të jetesës përmes ndërtimit të ndërtesave të reja për banim, komerciale dhe afariste, si dhe sipërfaqeve të gjelbra me karakter rekreativ.

Në vazhdim theksohet se në kuadër të mbulimit janë formuar 36 parcela ndërtimore, me atë që sipërfaqja maksimale për ndërtim në nivelin e mbulimit të planit është 219.108 metra katrorë ose: A-Banim = 157.406 metra katrorë; B-Qëllime komerciale dhe afariste = 60,251 metra katrorë; C-Veprimtari dhe funksione publike = 1.315 metra katrorë; E-Infrastruktura = 135 metra katrorë.

Kur krahasohet plani i vjetër i pezulluar dhe plani i ri i projektit, siç raportoi Fokus mund të përfundohet se në projektim, në mes të hapësirës, në vend të 2 ndërtesave për banim është vizatuar një ndërtesë me qëllim D3 ose sport dhe rekreacion në sipërfaqe të gjelbra, ndërsa është paraparë edhe ndërtimi i një shkolle. Pjesa më e madhe, ose 40 përqind, do të jenë ndërtesa për banim, 21 përqind do të jenë ndërtesa afariste, etj.

Sipërfaqja e përgjithshme në ndërtim e sipër në nivel të bllokut është 24.676 metra katrorë, ndërsa sipërfaqja maksimale bruto e zhvilluar në nivel blloku është 171.603 metra katrorë.

PDU ‘Shik Jellak’, foto: Fokus

Plan urbanistik për BU 57 (ish-fabrika e Shikellakut) është pjesë e programit me të cilin Kasami i fitoi zgjedhjet e fundit.

“Ndryshim i destinimit në park dhe hapësira sportive, si dhe ndërtim i një çerdheje për lagjen përreth”, thuhet në program.

Deri tani plani është pezulluar pesë herë

7 prill 2022, Këshilli Komunal i Tetovës pezulloi për një vit planin detal urbanistik për bllokun 57 dhe 57A “Shik Jellak”.

31 mars 2023 Këshilli i Komunës për herë të dytë pas një viti pezulloi edhe për gjashtë muaj disa pjesë të dispozitave planore të planit detal urbanistik 57 dhe 57A.

31 tetor 2023 Këshilli Komunal për herë të tretë e pezulloi edhe për gjashtë muaj zbatimin e planit urbanistik për bllokun urban 57 dhe 57A.

12 qershor 2024 Këshilli i Komunës për herë të katërt e pezulloi edhe për gjashtë muaj zbatimin e planit detal urbanistik 57 (57A).

30 prill 2025 u bë pezullimi i pestë.

Cila është prapavija?

Komuna e Tetovës gjatë mandatit të dytë të Teuta Arifit ndryshoi tërësisht planin detal urbanistik të bllokut urban 57A që më pas u “përgatit” shitja e pronës “Shik Jellak” biznesmenit kontrovers serbo-malazez, Miodrag Daka Davidoviq, ku parashihej që kjo pjesë të shndërrohet në bllok urban për ndërtimin e banesave dhe qendrës tregtare.

Davidoviq për opinionin në Maqedoninë e Veriut është i njohur prej bisedave të publikuara gjatë periudhës para zgjedhjeve parlamentare, ku përmendet edhe puna në lidhje me Shik Jellakun- Tetovë.

Bilall KasamiKomuna e TetovësPlan i Detajuar UrbanistikTetova