Prej reformës historike në zvarritje pas zgjedhjeve: Ligji për lojërat e fatit ngeci, kazinot pranë shkollave mbeten

Pavarësisht se u promovua me shumë bujë si një hap i madh për mbrojtjen e të rinjve, propozim-ligji për lojërat e fatit me të cilin kazinot  parashihen të mos lejohen pranë shkollave ka ngecur. Miratimi i tij është shtyrë të paktën edhe për dy muaj, ndërsa gjithçka pritet të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve lokale, shkruan Portalb.mk

Ndonëse kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi tha se ky propozim do vendosej në rend dite në seancën e 2 ose 12 shtatorit kjo nuk u bë. 

Nga shërbimet e Kuvendit për Portalb.mk njoftuan se Ligji për lojërat e fatit nuk u vendos në rend dite të seancës së djeshme (12 shtator) , pasi janë evidentuar disa gabime teknike dhe procedurale. 

“Të cilat po shqyrtohen nga shërbimet përkatëse. Pas harmonizimit të plotë, ai do të procedohet për shqyrtim në seancë plenare”, thanë nga Kuvendi. 

Nga Kuvendi pohuan se ligji pritet të vendoset në rend dite pas zgjedhjeve lokale.  

Në ndërkohë, bastoret dhe kazinotë vazhdojnë të qëndrojnë shumë afër shkollave.  

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së  Veriut më 16 korrik e miratoi këtë propozim-ligj, ndërsa më 7 gusht e dorëzuan në Parlament.

Për këtë ligj, opozita vazhdimisht ka akuzuar se qeveria mashtron qytetarët dhe se në praktikë kjo nuk do të zbatohet ashtu siç ata e promovojnë dhe se gënjejnë popullin. 

Thelbi i ndryshimeve definohet në nenin 24, me të, kazinotë dhe klubet e lojërave të fatit që kanë makina video llotarie është paraparë të vendosen të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme. 

Dispozitat ligjore pritet të hyjnë në fuqi më 1 korrik 2027.

Duke pasur parasysh se nuk i rendit ato si përjashtim, dispozita do të zbatohet edhe për kazinotë e vendosura brenda hoteleve, të cilat ndodhen gjysmë kilometri larg institucioneve arsimore. 

Për dallim nga kazinotë dhe klubet me aparate, ndryshimet i përjashtojnë pikat e basteve, të cilat nuk do të duhet të zhvendosen dhe do të mbeten në vendet e tyre ekzistuese. 

Ndaj ndryshimeve në industri reagoi Shoqata e Organizatorëve të Basteve Sportive të Maqedonisë, duke kërkuar që Qeveria të tërhiqet nga zgjidhja ligjore. 

Përpjekje për të rregulluar industrinë e lojërave të fatit ka pasur disa herë në të kaluarën, përfshirë edhe gjatë qeverisjes së mëparshme LSDM–BDI. 

Në mars të vitit 2024, Parlamenti nuk arriti të miratojë Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, i cili do të parashihte që objektet e lojërave të fatit të zhvendoseshin më shumë se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme. 

Kjo ishte përpjekja e dytë për të miratuar një zgjidhje ligjore pasi ligji u miratua nga deputetët më 7 shkurt, por Presidenti i atëhershëm i vendit, Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi Dekretin. 

BastoreKazinoParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së VeriutVideo Lajme