Propozim-ligji për lojërat e fatit me të cilin kazinotë, klubet e aparateve dhe bastore me aparate bixhozi, parashihen të mos lejohen pranë shkollave, ka arritur në Kuvendin e RMV-së, por nuk dihet se kur konkretisht do të miratohet, shkruan Portalb.mk.
Nga Qeveria e RMV-së për Portalb.mk konfirmuan se propozim-ligjin e kanë dorëzuar në Kuvend në fillim të muajit.
“Teksti i propozim-ligjit për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese iu dorëzua Parlamentit nga Qeveria më 07.08.2025”, thanë nga Qeveria.
Por me një gjë të tillë nuk ishte i njoftuar kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ai në brigfingun e sotshëm me gazetarët tha se nuk e kanë pranuar ligjin ende.
“Nuk ka mbërritur në kuvend, kemi paralajmërime se do të mbërrijë së shpejti. Nëse mbërrin mundemi në seancën e parë ose të dytë, më 2 ose 12 shtator ta vendosim në rend dite”, tha Gashi.
Por, nga shërbimet e Kuvendit për Portalb.mk njoftuan se ligjin e kanë pranuar më 12 gusht.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 16 korrik e miratoi këtë propozim-ligj.
Për këtë ligj, opozita vazhdimisht ka akuzuar se qeveria mashtron qytetarët dhe se në praktikë kjo nuk do të zbatohet ashtu siç ata e promovojnë dhe se gënjejnë popullin.
Thelbi i ndryshimeve definohet në nenin 24, me të, kazinotë dhe klubet e lojërave të fatit që kanë makina video llotarie është paraparë të vendosen të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme.
Duke pasur parasysh se nuk i rendit ato si përjashtim, dispozita do të zbatohet edhe për kazinotë e vendosura brenda hoteleve, të cilat ndodhen gjysmë kilometri larg institucioneve arsimore.
Për dallim nga kazinotë dhe klubet me aparate, ndryshimet i përjashtojnë pikat e basteve, të cilat nuk do të duhet të zhvendosen dhe do të mbeten në vendet e tyre ekzistuese.
Ndaj ndryshimeve në industri reagoi Shoqata e Organizatorëve të Basteve Sportive të Maqedonisë, duke kërkuar që Qeveria të tërhiqet nga zgjidhja ligjore.
Përpjekje për të rregulluar industrinë e lojërave të fatit ka pasur disa herë në të kaluarën, përfshirë edhe gjatë qeverisjes së mëparshme LSDM–BDI.
Në mars të vitit 2024, Parlamenti nuk arriti të miratojë Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, i cili do të parashihte që objektet e lojërave të fatit të zhvendoseshin më shumë se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme.
Kjo ishte përpjekja e dytë për të miratuar një zgjidhje ligjore pasi ligji u miratua nga deputetët më 7 shkurt, por Presidenti i atëhershëm i vendit, Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi Dekretin.
- LEXO: Bixhozi në RMV: Licenca më të shtrenjta, më pak aparate dhe 500 metra distancë prej shkollave
- LEXO: Qeveria e miratoi projekt-ligjin për lojërat e fatit në RMV, opozita: VLEN gënjen dhe flet pa e lexuar ligjin
- LEXO: Aleanca për Shqiptarët: Deklarata e Izet Mexhitit për mbylljen e kazinove pranë shkollave është manipulim
[…] ќе се стави на дневен ред, тој заглави во фиоките на Собранието цела 2025 година. Во април 2026 година тој дури беше […]