MPB ka njoftuar se ka ngritur kallëzim penal kundër dy personave të cilët më 7 tetor deklaruan se janë dhunuar nga policia me pretendimin se nuk kanë pasur asgjë të dyshimt në veturën e tyre. Sipas policisë, në veturën e tyre është gjetur drogë e llojit marihuanë, ndërsa nën pranga ka përfunduar edhe një person i tretë tek i cili është gjetur sasi më e madhe e drogës. Ndaj dy personave që deklaruan se janë rrahur brutalisht, policia ka vërtetuar se ndërhyrja e policisë ka pasuar pasi paraprakisht njëri nga të dyshuarit i ka marrë pistoletën zyrtare njërit nga policët.
Ndërkohë sa i përket këtij rasti, MPB ka suspenduar gjashtë zyrtarë policorë të cilët do të përballen me procedurë disiplinore dhe suspendim nga vendi i punës për përdorim të tepruar të forcës fizike dhe shkaktim të lëndimeve trupore gjatë ushtrimit të autorizimeve policore. Kështu bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), e cila po heton ngjarjen e ndodhur më 7 tetor 2026.
Sipas MPB-së, kontrollet e kryera, incizimet e siguruara dhe deklaratat e dëshmitarëve kanë zbuluar një sërë parregullsish në veprimet e zyrtarëve policorë.
“Për gjashtë zyrtarë policorë do të nisë procedurë për shkelje të rendit dhe disiplinës së punës, ndërsa do të shqiptohet masa e largimit nga vendi i punës – suspendim”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ndryshe, partia opozitare BDI ka kërkuar të publikohet raporti i plotë policor për rastin e dy të rinjve. Nga kjo parti thanë se, në opinion janë paraqitur versione kundërthënëse për atë që ka ndodhur – Të rinjtë dëshmojnë se janë goditur edhe pasi janë neutralizuar dhe prangosur, ndërsa në publik janë plasuar pretendime për rezistencë ndaj policisë dhe marrje të armës së një zyrtari policor. Derisa nga ana tjetër, zëvendësministri i Brendshëm, Astrit Iseni në një konferencë për media tha se, institucionet reaguan në kohë rekord dhe ndaj tyre kanë nisur procedurat disiplinore. Ai tha se, MPB-ja ka kryer pjesën e saj të punës, ndërsa procedurat e mëtejshme i udhëheq Prokuroria.