Që nga fillimi i epidemisë me ethe të Nilit Perëndimor, deri më 22 shtator, në vend janë regjistruar gjithsej 70 raste – njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në raportin e fundit. Nga numri i përgjithshëm i rasteve, te 68 persona është regjistruar forma neuroinvazive e sëmundjes dhe ata janë hospitalizuar, transmeton Portalb.mk.
“Janë lëshuar nga spitali 50 pacientë, ose 73,5 përqind e rasteve të konfirmuara të hospitalizuara, ndërsa ende janë duke u trajtuar 9 persona, përkatësisht 13,2 përqind e rasteve të konfirmuara të hospitalizuara. Kanë vdekur 9 nga pacientët e hospitalizuar”, shkruan ISHP në raport.
Të gjithë personat që kanë vdekur janë burra, me moshë mesatare 71,1 vjeç. Te tetë prej tyre janë regjistruar komorbiditete dhe të gjithë kanë qenë të hospitalizuar. Të ndjerët janë nga Shkupi, ndërsa njëri është nga Kumanova.
Nga numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara me ethe të Nilit Perëndimor, 63 janë raportuar në Shkup, tre në Veles dhe nga një në Kumanovë, Sveti Nikollë, Kavadar dhe Tetovë. Nga rastet e regjistruara, 52 janë burra dhe 18 gra.
Gjatë javës së fundit, përkatësisht nga 16 deri më 22 shtator, janë raportuar pesë raste të reja, prej të cilave tre janë nga Shkupi dhe nga një nga Velesi dhe Tetova. Ky është rasti i parë i sëmundjes në Tetovë.
Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.
Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.
Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.