Në gjysmën e parë të vitit 2025 në rrugën nga Shkupi deri në Ohër kanë ndodhur gjithsej 124 aksidente rrugore, në të cilët jetën e kanë humbur 7 persona, ndërsa 155 janë lënduar, raporton SDK. Nga të lënduarit 121 kanë kaluar me lëndime të rënda trupore, ndërsa 121 me lëndime më të lehta, tregojnë kështu të dhënat nga Ministria e Punëve të Brendshme, transmeton Portalb.mk.
Këto të dhëna u bënë të ditura në një kohë kur sezoni turistik tashmë ka filluar dhe pritet një frekuencë e shtuar e automjeteve në këtë aks rrugor në periudhën e ardhshme.
Ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër me një gjatësi prej 54 kilometra filloi më 22 shkurt të vitit 2014 dhe po zgjat tashmë plot 11 vite. Projekti, i cili financohet me një kredi nga Banka Kineze “Exim”, me të gjitha anekset e marrëveshjeve deri më sot e ka tejkaluar shumën prej 600 milionë eurosh.
Afati fillestar që u premtua nga qeveria e atëhershme VMRO-DPMNE ishte viti 2018. Pas ndryshimit të qeverisë në vitin 2017, qeveria e re e udhëhequr nga LSDM-j arriti në përfundimin se projekti kishte mangësi serioze, për çka nevojitej një riprojektim dhe nënshkrim i një aneks – marrëveshjeje me vlerë prej 185 milionë euro shtesë.
Afati i fundit për përfundimin e ndërtimit është 31 dhjetori i këtij viti. Si shkak për shtyrjen e re janë 13 rrëshqitje të reja të dheut në trase, për të cilat siç thane nga Qeveria, kanë rezultuar si pasojë e projektimit joadekuat fillestar.
Në ndërkohë kanë filluar aktivitetet edhe në pjesë të tjera të Korridorit 8. Në 3 maj të vitit 2025 kompania “Bechtel and Enka” filloi ndërtimin e pjesës së parë të autostradës Tetovë-Gostivar. Sipas njoftimeve të drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski, kjo pjesë e gjatë 17,5 kilometra me vlerë prej 90 milionë euro, duhet të përfundohet për dy vjet. E njëjta kompani do ta ndërtojë edhe autostradën Gostivar-Kërçovë me një gjatësi prej 30 kilometrash.
Për shkak të gjendjes së keqe të rrugës dhe stërzgjatjes së punimeve turistët nga Serbia, por edhe disa vendas, kanë filluar ta evitojnë udhëtimin përmes Kërçovës dhe për të arritur në Ohër ata bëjnë rrugë më të gjatë nëpërmjet Manastirit.
“Shpesh vijmë në Ohër përpara se të shkojmë në Greqi. Vitet e kaluara vinim përmes Shkupit dhe Kërçovës, ndërsa tani kemi filluar ta evitojmë atë rrugë sepse është shumë e keqe. Këtë vit me rekomandimin e miqve erdhëm nga Manastiri. Ata na thanë se rruga është shumë më e mirë dhe më vjen mirë që i dëgjuam”, tha një turist nga Nishi.
Në lidhje me autostradën Kërçovë – Ohër, zëvendëskryeministri Aleksandar Nikollovski më 10 korrik kishte premtuar se deri në fund të vitit 2026 autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundojë dhe do të funksionojë, edhe pse ka probleme të shumta. Ndërtimi i kësaj autostrade ka filluar në vitin 2014 dhe afati i ndërtimit është zgjatur disa herë. Për ndërtimin e autostradës deri më tani janë shpenzuar rreth 440 milionë euro dhe rreth 160 milionë kanë mbetur nga kredia kineze për përfundimin e autostradës.