Sot, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, u thirr një përfaqësues i Ambasadës së Republikës së Bullgarisë, i cili në mungesë të ambasadorit ushtron detyrën e të ngarkuarit me punë. Gjatë takimit u shpreh pakënaqësi për deklaratën e fundit të ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Bullgarisë, Ivan Demerxhiev, lidhur me rastin e Iva Mihaillovës, e cila u vlerësua si fyese dhe provokuese, transmeton Portalb.mk.
“Gjithashtu, u shpreh pakënaqësi edhe për deklaratën e ambasadorit Zheljazko Radukov për televizionin bullgar BTV, të cilën e vlerësojmë si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të shtetit tonë, duke pasur parasysh cilësimet e bëra lidhur me punën e institucioneve kompetente. Nga ana jonë u theksua veçanërisht se provokime të tilla e largojnë dialogun dypalësh nga korniza në të cilën duhet të zhvillohen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, përmbajtjes dhe komunikimit konstruktiv”, thuhet në njoftimin e MPJ-së
Në këtë kontekst, MPB thotë se u theksua se një sjellje e tillë mund të imponojë nevojën për reagim përkatës institucional, në përputhje me dispozitat e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, “e cila përcakton qartë kufijtë e veprimtarisë diplomatike dhe parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shtetit pritës”.
“Në fund të takimit, u ritheksua përkushtimi ynë për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të bazuara në respektin e ndërsjellë, besimin dhe parimet evropiane, ndërsa i njëjti përkushtim dhe përgjegjësi pritet edhe nga pala bullgare”, thonë nga MPJ.
Ministri bullgar i Punëve të Brendshme, Ivan Demerxhiev, deklaroi se Bullgaria nuk do ta ekstradojë 23-vjeçaren Iva Mihaillova nga Koçani, për të cilën autoritetet maqedonase kanë lëshuar fletarrest ndërkombëtar.
Në një intervistë, duke folur për rastin, Demerxhiev tha se Bullgaria nuk do ta dorëzojë Mihajllovën te “autoritetet serbe”, në vend të atyre maqedonase, ndonëse bëhet fjalë për një person të kërkuar nga institucionet e Maqedonisë.
Pasi gazetari e pyeti nëse përmendja e Serbisë ishte gabim i rastësishëm apo veprim i qëllimshëm, ministri bullgar pranoi se kishte gabuar, por vlerësoi se nuk bëhej fjalë për “një gabim aq të madh”.
Nga ana tjetër, ambasadori bullgar në Shkup, Zheljazko Radukov, deklaroi se do të ishte jashtëzakonisht i befasuar nëse autoritetet maqedonase nuk do të kishin ditur për largimin e Iva Mihaillovës nga Maqedonia, megjithëse theksoi se nuk ka informacione mbi bazën e të cilave mund të pretendonte se largimi i saj nga shteti ishte dakorduar paraprakisht.
Në një intervistë për televizionin bullgar BTV, Radukov ngriti dyshime lidhur me mënyrën se si Mihaillova arriti të largohej nga Maqedonia, pavarësisht kufizimeve gjyqësore, dokumenteve të udhëtimit të sekuestruara dhe masave policore që, sipas tij, ishin zbatuar.
“Nuk mund ta pohoj këtë, por do të isha jashtëzakonisht i befasuar nëse nuk do të ishte koordinuar“, u përgjigj ambasadori në pyetjen nëse ishte e mundur që Mihaillova të ishte larguar pa dijeninë e autoriteteve maqedonase.
Radukov kujtoi se pasaportat e saj ndërkombëtare ishin sekuestruar me vendim gjyqësor që në tetor të vitit të kaluar, se ajo nuk kishte letërnjoftim maqedonas dhe se ishte përfshirë në listën e personave të cilëve u ndalohej largimi nga shteti.
Ai pretendoi gjithashtu se para shtëpisë së saj kishte rregullisht patrulla policore, ndërsa gjatë daljeve të saj e ndiqnin zyrtarë policorë me rroba civile. Sipas tij, Mihaillova kishte raportuar edhe për dronë mbi shtëpinë e saj gjatë orëve të natës.
“Dhe papritur e gjithë kjo, në njëfarë mënyre, zhduket dhe ajo e kalon kufirin? Ju lutem”, deklaroi Radukov.
Megjithatë, ambasadori pranoi se shteti bullgar nuk ishte informuar për qëllimin e Mihaillovës për t’u larguar. Siç tha ai, si vetë ai, ashtu edhe Ambasada bullgare, për largimin e saj kishin mësuar nga mediat.
“E mësova nga ju. Ju na informuat në emisionin e BTV-së. Kjo nuk ishte mënyra më e përshtatshme dhe më e mirë për të mësuar për diçka kaq të rëndësishme”, tha Radukov.
Iva Mihaillova akuzohet në lidhje me një aksident trafiku, në të cilin humbi jetën 33-vjeçari Besim Durmishi.
Rasti shkaktoi reagime në opinion pasi u publikua lajmi se ajo ndodhet në Bullgari, ndërsa autoritetet maqedonase janë në kërkim të saj.
- LEXO: Bullgaria nuk e kërkon Iva Mihaillovën dhe nuk do ta ekstradojë në Maqedoni
- LEXO: Reagime dhe kërkim përgjegjësie për rastin e Iva Mihaillovës, eurodeputeti bullgar: Shkupi nuk ka arsye të ankohet në BE
- LEXO: Iva Mihailova ka qenë në listën e ndalimit të MPB-së, nuk është regjistruar largimi i saj nga Maqedonia