Zgjedhjet lokale në Bërvenicë, një vit pas zgjedhjeve të rregullta, treguan ndryshime në mbështetjen e partive politike. VMRO-DPMNE-ja, megjithëse ruajti epërsinë, humbi disa vota, edhe VLEN-i njëjtë, duke rënë nga vendi i dytë në të tretin. Në anën tjetër, AKI-ja e udhëhequr nga BDI-ja rriti mbështetjen dhe siguroi kalimin në raundin e dytë, ndërsa LSDM-ja shënoi rritje prej 46%. Në zgjedhjet e sivjetme pati edhe më shumë votues, ndërsa përballja përfundimtare mes VMRO-DPMNE-së dhe AKI-së do të zhvillohet më 1 nëntor, raporton Portalb.mk.
VMRO-DPMNE shpalli epërsi bindëse të kandidatit të saj për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Stojançe Radiçevski. LSDM-ja përfundoi në vendin e katërt me kandidatin Joviça Radevski, por nga partia u mburrën se kishin arritur ta rrisnin numrin e votave për 46% krahasuar me zgjedhjet e një viti më parë.
BDI-ja, e cila udhëheq koalicionin Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), me kandidatin e saj Arkin Jahiu përfundoi në vendin e dytë dhe feston kalimin në raundin e dytë, ku do të përballet me VMRO-DPMNE-në. Në shtabin e Jahiu-t u bashkua edhe rivali nga VLEN-i, Jakup Huseini, për ta uruar dhe për t’i dëshiruar fitore në raundin e dytë.
Nata zgjedhore në Bërvenicë është e dyta brenda saktësisht një viti, që nga vdekja e kryetarit të mëparshëm të komunës, Joviça Ilievski, nga VMRO-DPMNE-ja.
Raundi i parë i zgjedhjeve të rregullta lokale të vitit të kaluar u mbajt pikërisht një vit më parë, më 19 tetor. Krahasuar me vitin e kaluar, shpërndarja e votave këtë herë ishte më e favorshme për disa subjekte, ndërsa për të tjera jo. VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja nuk ndryshuan pozitat, ndërsa VLEN-i dhe BDI-ja i ndërruan vendet.
Çfarë tregojnë shifrat zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ)?
Në zgjedhjet e vitit të kaluar, më 19 tetor 2025, kandidati i VMRO-DPMNE-së gjithashtu kishte epërsi të madhe ndaj të tjerëve. Atëherë, partia mori 3.388 vota. Këtë herë fitoi 2.943 vota, ose 445 më pak.
Më pak vota krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve të vitit të kaluar mori edhe partneri i koalicionit të VMRO-DPMNE-së, VLEN-i. Për kandidatin e partisë vitin e kaluar votuan 2.021 banorë të Bërvenicës. Për kandidatin e sivjetmë votuan 1.528, ose 493 më pak. Ndryshe nga viti i kaluar, kur VLEN-i ishte në vendin e dytë dhe kaloi në raundin e dytë, këtë herë përfundoi në vendin e tretë.
Vendin e dytë dhe, rrjedhimisht, kalimin në raundin e dytë, këtë herë e siguroi koalicioni AKI, i udhëhequr nga BDI-ja, i cili shënoi rritje prej 1.005 votash. Vitin e kaluar kandidati i tyre kishte marrë 1.147 vota, ndërsa kandidati i sivjetmë fitoi 2.152 vota.
Socialdemokratët përfunduan në vendin e katërt si vitin e kaluar, ashtu edhe këtë vit. Megjithatë, sivjet morën 225 vota më shumë. Kandidatja e LSDM-së në vitin 2025 fitoi 481 vota, ndërsa kandidati i sivjetmë mori 706 vota.
Një dallim tjetër mes dy palë zgjedhjeve është se vitin e kaluar në Bërvenicë garuan vetëm katër kandidatë nga këto parti dhe koalicione. Këtë vit në garë ishin gjashtë kandidatë, përkatësisht edhe dy kandidatë të pavarur, të cilët morën përkatësisht 55 dhe 21 vota.
Ndërkaq, numri i fletëvotimeve të pavlefshme vitin e kaluar ishte 251, ndërsa këtë vit është 160.
Sa i përket daljes në votime, në këto zgjedhje votuan 277 qytetarë më shumë. Në vitin 2025, numri i votuesve ishte 7.288, ndërsa këtë herë arriti në 7.565.
Raundi i dytë i zgjedhjeve, në të cilin do të përballen kandidatët e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, do të mbahet më 1 nëntor.
Bërvenica është komunë në rajonin e Pollogut, e cila deri në vitin 1996 ishte pjesë e Komunës së Tetovës.
Në regjistrimin e popullsisë të vitit 2021, në Bërvenicë janë regjistruar gjithsej 18.319 persona, prej të cilëve 13.645 janë popullsi rezidente.
Në mesin e popullsisë rezidente, më të shumtë janë shqiptarët, me 7.737 banorë, ndërsa maqedonasit janë 5.715. Pjesa tjetër i përket komuniteteve të tjera etnike ose përbëhet nga persona për të cilët nuk ka të dhëna për përkatësinë etnike.
Dy kandidatë në balotazh, zgjedhjet e rrethit të parë në Bërvenicë, gjithçka që ndodhi