Parlamenti Europian e miratoi raportin e progresit mbi Maqedoninë e Veriut

Parlamenti Europian e miratoi raportin e parë të progresit mbi Maqedoninë e Veriut për vitin 2023 dhe 2024. Kështu ka njoftuar eurodeputeti i të Gjelbërve/EFA-së, Tomas Vajc nga Austria, raportues i Parlamentit Europian, raporton Portalb.mk. 

“Sot miratuam raportin e parë të vendit për Maqedoninë e Veriut që nga viti 2022. Maqedonia e Veriut ka qenë një lider në rajon, duke treguar angazhim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së, duke përfshirë një ndryshim historik të emrit dhe reforma të guximshme. Por, pranimi i saj është bllokuar padrejtësisht për një kohë shumë të gjatë për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe, duke nxitur frustrimin dhe zhgënjimin publik me BE-në. Raporti nënvizon se zgjerimi duhet të jetë një proces i bazuar në meritë, bazuar në Kriteret e Kopenhagës dhe i bën thirrje Maqedonisë së Veriut të miratojë reformat e nevojshme” theksoi Vajc. 

Ai ka porositur partitë politike në Maqedoninë e Veriut të angazhohen në dialog konstruktiv për të arritur konsensusin e kërkuar, i cili, sipas tij, do të forconte karakterin multietnik të vendit dhe do të përshpejtonte progresin e BE-së.  

“Si raportues, punova pa u lodhur për një raport të ekuilibruar dhe të paanshëm mbi progresin demokratik të këtij vendi. Fatkeqësisht, disa eurodeputetë bullgarë e rrëmbyen raportin për qëllime të brendshme,” përfundoi Vajc. 

Më herët ai shfaqi shqetësimet për ndikimin serb në Maqedoni.

“Po shohim shumë ndikim të huaj në Maqedoninë e Veriut. Duhet ta luftojmë atë, qoftë serb, kinez apo rus” tha ai.

Eurodeputetët bullgarë: Politikanët në Shkup po sabotojnë procesin e integrimit evropian 

Miratimit të Raportit i ka paraprirë një debat i ashpër nga eurodeputetët bullgarë.

Ivajlo Valçev (ITN-EKR) i pyeti kolegët e tij: “Në cilin vend mund të dënohet një person për citimin e figurave historike? Në cilin vend sulmohen njerëzit për shkak të origjinës së tyre? Dhe cili vend i lejon vetes të shkelë marrëveshjet ndërkombëtare?” 

“Sot, Ljubço Georgievski është me ne në sallë dhe mund t’u përgjigjet këtyre pyetjeve sepse është një bullgar i denjë i cili kërcënohet me ndëshkim vetëm sepse ka guximin ta quajë veten bullgar nga Maqedonia. Unë besoj sinqerisht se rruga e RMV-së është të jetë pjesë e Evropës, por autoritetet atje duhet të braktisin padronët e tyre nga Beogradi dhe Budapesti dhe të mbrojnë të drejtat e njeriut, të respektojnë detyrimet që kanë ndërmarrë”, shtoi Valçev. Ai iu drejtua gjithashtu qytetarëve të Maqedonisë së Veriut: “Mickoski po ju gënjen”, raportoi media. 

Andrej Kovaçev i GERB/EPP tha se politikanët në Shkup po sabotojnë procesin e integrimit evropian dhe Bashkimi Evropian nuk duhet t’i mbyllë sytë ndaj kësaj. 

“Në vend të reformave dhe progresit të vërtetë, ne shohim populizëm, retorikë nacionaliste dhe një prezantim të përshtatshëm të Bullgarisë si armik, prandaj integrimi evropian i vendit nuk po shkon mirë. Kjo politikë çon në shtypje të drejtpërdrejta kundër njerëzve që kanë ruajtur identitetin e tyre bullgar – trashëgimtarët e shumicës së bullgarëve maqedonas. Ata i nënshtrohen presionit, diskriminimit dhe kërcënimeve të hapura, si në rastin e z. Georgievski – një nga përfaqësuesit më të shquar të komunitetit bullgar”, tha ai.  

“Mos e humbni kohën e qytetarëve tuaj”, iu drejtua Kovaçev politikanëve në Maqedoninë e Veriut. Shpresoj që agimi i lirisë të lindë një orë më parë”, shtoi ai, sipas medias bullgare. 

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Kujtojmë se me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Eurointegrime Negociata RMV-BERaporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për MaqedoninëThomas Waitz Tomas Uajc