Nga Serbia në Dubai, a po përgatitet ndërtimi i “Shkupit mbi ujë” dhe “Shkupit në pëllëmbë të dorës”?

A do të ndërtohet në qytet “Shkupi mbi ujë“ sipas shembullit të Beogradit? Informatat jozyrtare thonë po, por nga Komuna e Karposhit, e cila do të duhej ta miratonte Planin e Detajuar Urbanistik për këtë hapësirë dhe të lëshojë leje ndërtimi nuk e konfirmojnë një gjë të tillë, ndërsa urbanistët thonë se nuk ka asgjë kontestuese nëse ndërtohet përgjatë bulevardit Ilinden, e jo përgjatë Vardarit, shkruan Slloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.

Siç zbulon “Slloboden Peçat“ nga burime të afërta me pushtetin, në hapësirën përballë “Mida“ kompanitë e ndërtimit tashmë kanë blerë parcela ku duhet të ndërtohen pesë ndërtesa. Nga “Aleksandar Palace“, ndërkaq, drejt burimeve të Lepencit janë planifikuar edhe 42 ndërtesa të tjera. Sipas informacioneve jozyrtare, në fakt, do të ndërtohen dy lagje “Shkupi mbi ujë“ dhe “Shkupi në pëllëmbë të dorës“, ndërsa investitorë do të jenë kompani nga Serbia dhe Maqedonia, si dhe kompania “Eagle Hills“ nga Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila e ndërtoi “Beogradin mbi ujë“.

Nga Komuna e Karposhit thonë se nuk po përgatitet PDU i ri

Sipas informatave tashmë është përgatitur PDU-ja e Komunës së Karposhit për këtë hapësirë dhe është rënë dakord për një shumicë këshilltarësh në Këshill që duhet ta votojnë atë. Nga kabineti i kryetarit Sotir Llukrovski pohojnë se deri më tani udhëheqësia e re nuk ka ndërmarrë asnjë aktivitet apo hap në drejtim të hartimit të planit urbanistik për atë rajon, prandaj, siç thonë nga atje, nuk mund të japin përgjigje për pyetjet që lidhen konkretisht me një projekt të tillë.

“Nga ana tjetër, sa për informacion, të gjitha procedurat e filluara nga udhëheqësia e mëparshme, përmes komisionit kompetent për urbanizëm janë dërguar për rishikim dhe rishqyrtim. E gjithë kjo është ndërmarrë me qëllim që të mbrohet interesi i qytetarëve, zhvillimi i hapësirës së gjelbër në komunë dhe rregullimi human i hapësirës brenda kornizave të rregullativës ligjore. Për të gjitha informacionet që burojnë nga procedura për miratimin e Planit të Detajuar Urbanistik në të ardhmen, përmes anketave dhe njoftimeve, qytetarët dhe opinioni i gjerë do të informohen në kohë dhe në mënyrë transparente”, thanë nga kabineti i Llukrovskit.

Sipas informacioneve të disponueshme publikisht nga Agjencia e Kadastrës në hapësirën përballë “Mida“ dhe përgjatë bulevardit “Ilinden“ mund të shihet se një numër i madh i parcelave janë në pronësi të kompanive që merren me ndërtimin e objekteve afariste dhe banesore, siç janë “Investment International“, “Golden Art“, “Europrofil“, “ZSF-KOM“ e të tjerë, por sipërfaqet më të mëdha janë në pronësi shtetërore.

Përgjatë bulevardit, në rripin pas pikës së karburantit të “Makpetroll“, ka disa objekte nga të cilat shumica janë ndërtime pa leje, ku operojnë servise të ndryshme, një motoklub, lavazhe dhe biznese të tjera të vogla, të cilëve, siç mësojmë, u është komunikuar se duhet të shpërngulen brenda një afati prej një muaji.

Mickoski vitin e kaluar u takua me investitorin e “Beogradit mbi ujë“

Ndërkohë, sa për rikujtim, vitin e kaluar në muajin prill kryeministri Hristijan Mickoski qëndroi në Dubai ku, siç informoi, u takua me Mohamed Alabbar, themelues dhe drejtor i kompanisë “Eagle Hills“, me drejtorin e Abu Dhabi Development Holding Company, Mohamed Hassan Al-Suwaidi, si dhe me Mohamed Jameel Al Ramahi, drejtor ekzekutiv i “Masdar Energy Investment Company“, një nga investitorët më të mëdhenj botërorë në energjinë e renovueshme dhe prijës të tranzicionit energjetik.

!Me të gjitha këto kompani bisedova për projekte, mundësi dhe plane për investim në Maqedoni, e cila si shtet vonohet në lobimin për t’u gjetur në hartën e investimeve të këtyre gjigantëve ekonomikë botërorë. Po japim gjithçka për të siguruar të ardhme dhe prosperitet për qytetarët tanë. Prezantova mundësitë për investim në Maqedoni dhe përpjekjet tona për t’u gjetur në hartën e investitorëve botërorë”, informoi atëkohë kryeministri.

Sipas PDU-së, mund të ndërtohet në një thellësi prej 100 metrash përgjatë bulevardit “Ilinden“

Sa i përket ndërtimit të mundshëm të “Shkupit mbi ujë“, arkitekti dhe urbanisti profesori Mirosllav Gërçev, shpjegon se sipas Planit Gjeneral Urbanistik të Shkupit dhe sipas planeve rregulluese të Qytetit përgjatë bulevardit “Ilinden“ në pjesën nga udhëkryqi me bulevardin “8 Shtatori“ që fillon diagonalisht nga “Mida“, është parashikuar një qendër linjore dhe objekte banimi diku në një thellësi prej 100 metrash nga bulevardi “Ilinden“, ndërsa pjesa tjetër deri te lumi duhet të jetë park-pyll.

Sipas tij, kjo jo vetëm që është parashikuar në PGJU që para 15 vitesh, por ekziston që nga viti 1985, sepse hapësira nga ajo anë e bulevardit është e lënë pas dore dhe e pa urbanizuar, ndërsa për ndërtimin në këtë hapësirë ishte e interesuar edhe qeveria e mëparshme.

“Gjatë qeverisë së Zoran Zaevit unë isha këshilltar i kryeministrit për urbanizëm, investime, plane urbanistike e kështu me radhë dhe kryeministri më kishte ngarkuar për ca kohë, diku aty në vitet 2017-2018, që të ndihmoja për të bërë përpunim dhe për të krijuar kontakt me investitorë të huaj që ajo pjesë të ndërtohej; së bashku me atë zonë ku është paraparë banim në blloqe dhe kulla, ashtu siç është edhe në anën tjetër të bulevardit “Ilinden”, e pastaj të vazhdojë park-pylli me funksione rekreative deri tek lumi Vardar”, tha Gërçev.

Gërçev: Qeveria e Zaevit ishte e interesuar të sillte një investitor të madh

Ai shton se kjo është ajo që ai di për atë hapësirë, në të cilën ka marrë pjesë edhe vetë, por siç thotë ai, për atë hapësirë ende nuk është miratuar një Plan i Detajuar Urbanistik, i cili është i zbatueshëm dhe në bazë të të cilit lëshohen lejet e ndërtimit.

“Kjo që po ju them është e sigurt, në dy nivele të planifikimit kjo është e rregulluar, edhe blloqet e banimit edhe kullat. Atje vetëm pritet që Komuna e Karposhit ta miratojë PDU-në, i cili zvarritet që në kohën kur isha i angazhuar unë. Ai është shfuqizuar dhe për atje nuk ka PDU, që do të thotë se ekziston një zbrazëtirë juridike. Qeveria ishte e interesuar të sillte një investitor të madh sepse e gjithë kjo së bashku sigurisht do të tërhiqte diku gjysmë miliardë euro, nëse merren parasysh edhe funksionet buzë Vardarit, park-pylli, përmbajtjet rekreative, gjë që është e mirë edhe për qytetin edhe për vendin, sidomos duke pasur parasysh se e gjithë kjo është e planifikuar që moti dhe është e ligjshme”, thekson profesori.

Se si dhe nëse do të realizohet projekti për të cilin jozyrtarisht flitej në publik që gjatë zgjedhjeve lokale këtë do ta tregojë koha. Se sa do të ndikojë ndërtimi eventual i rreth 50 ndërtesave të tjera në këtë pjesë mbi jetën e qytetit nga aspekti ekologjik, por edhe në raport me infrastrukturën, kjo mund vetëm të supozohet.

Por, e rëndësishme është të paktën që PGjU-ja, si plani më i lartë për Shkupin, duhet të respektohet dhe ai nuk lejon që ndërtesat t’i afrohen Vardarit. Por, nuk duhet harruar se është në hartim e sipër Plani i ri Gjeneral Urbanistik për kryeqytetin, në të cilin tani për tani nuk dihet se çfarë do të parashihet për këtë hapësirë.

Investime në Maqedoninë e VeriutKomuna e KarposhitNdërtimtari