Nga pritja me muaj për termin te pritja me orë për kontroll, pacientët ankohen për radhët e gjata në spitalet e RMV-së (Video)

Pacientët në institucionet publike shëndetësore në Maqedoninë e Veriut përballen me pritje të gjata për kontrolle specialistike. Edhe pse sistemi elektronik “Termini im” mundëson caktimin e kontrolleve përmes udhëzimeve të rregullta dhe prioritare, qytetarët thonë se sigurimi i termineve mbetet i vështirë për shkak të fluksit të madh të pacientëve, Ministria e Shëndetësisë hesht, shkruan Portalb.mk.

Lidhur me këtë problem, Portalb.mk bisedoi me disa qytetarë të cilët i takuam në Klinikën Universitare “Nënë Tereza” në Shkup.

“Te terminet kemi një mundësi të mirë ‘Bypass’, me udhëzimet me prioritet, por shpeshherë kjo vështirë të sigurohet pasi ka një numër të madh të pacientëve”, thotë një pacient.

Vështirësitë nuk përfundojnë me sigurimin e terminit. Pacientët thonë se edhe në ditën e kontrollit duhet të presin me orë të tëra për t’u vizituar nga mjekët. Njëri prej tyre tregon se pritja mund të zgjasë deri në katër ose pesë orë.

“Termine ka, por shumë pacientë dhe pak mjekë. Duhet të presim katër deri në pesë orë”, thotë një pacient.

Për disa pacientë të tjerë, pritja për kontrolle specialistike zgjat edhe një deri në dy muaj. Koha e pritjes, sipas tyre, ndryshon varësisht nga institucioni shëndetësor dhe shërbimi për të cilin kanë nevojë.

“Presim shumë për termine. Varet edhe se ku duhet të shkosh. Ndodh të presim deri në një ose dy muaj”, shprehet një tjetër pacient.

Për të sqaruar arsyet e pritjeve të gjata, masat që po ndërmerren për shkurtimin e tyre dhe nëse planifikohet rritja e numrit të mjekëve specialistë në institucionet ku ka mungesë të kuadrit, Portalb.mk iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë.

Megjithatë, deri në publikimin e këtij teksti, Ministria e Shëndetësisë nuk u përgjigj në pyetjet e Portalb.mk.

Modeli i “Termini Im” në Maqedoninë e Veriut filloi më 1 janar të vitit 2012, kur ministër i shëndetësisë ishte Nikolla Todorov. Ai u zgjodh dhe u kopjua sipas sistemit shëndetësor gjerman, me qëllim që të mundësohej ndjekja e listave të kontrolleve dhe ndërhyrjeve të planifikuara në shëndetësinë publike.

Sistemin e përdorin rreth 10.000 mjekë (4.800 mjekë të mbrojtjes shëndetësore primare, 3.700 të mbrojtjes shëndetësore sekondare dhe 900 mjekë të mbrojtjes shëndetësore terciare), si dhe rreth 3.900 institucione shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë (MSH)Sasho KlekovskiShëndetësi - ShëndetiTermini imVideo Lajme