Në pritje të autobusit, qytetarët e nëpërkëmbur të Shkupit

Koment nga gazetari i Portalb.mk, Suad Bajrami

Qytetarët e Shkupit tanimë disa muaj, po heqin të zinjtë e ullirit për të kryer obligimet e përditshme. Nëpër rrugët e Shkupit mund të shihen grumbuj qytetarësh nëpër stacione të autobusëve, të cilët presin autobusët për të shkuar në punë, mjek, shkollë apo për t’u kthyer në shtëpi.

Shkruan: Suad Bajrami

Sot, prej Tetovës e Gostivarit, mund të arrish më shpejtë në qendrën e Shkupit se sa nëse udhëton me transport publik prej Çairit, i cili është larg jo më shumë se 4-5 kilometra.

As në ëndrrën më të keqe nuk do ta paramendoja se kryetarja aktuale, e cila gjatë fushatës premtoi transport publik falas, për tetë muaj t’i maltretojë qytetarët të presin me orë të tëra dhe më pas, të detyrohen të futen në autobusët e stërmbushur, pasi nëse i lëshojnë, do të duhet të presin edhe po aq.

Imazhi i autobusëve të stërmbushur është kaotik, mbase më keq se i vendeve të humbura e të shkreta të Azisë dhe Afrikës, ku koha e zhvillimit ka ndaluar dhe aspak nuk i ngjanë një kryeqyteti, ku politikanët me vite premtojnë, madje dhe tramvaj. Kush udhëton me autobus, s’ka se si ndryshe të ndjehet, pos si një qytetar i përbuzur, nëpërkëmbur e nënçmuar nga vetë shteti dhe të pushtetshmit të cilët bllokojnë trafikun me automjetet zyrtare me xhama të zinj, derisa ai, pas pritjes së gjatë ndodhet në një “konservë” që mban 50 persona, por janë futur 150. Do të thoshit si sardina, them, mbase dhe më keq.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska e ka humbur busullën dhe aq më keq nuk është transparente dhe nuk u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, të cilët kërkojnë përgjigje cilësore dhe jo vetëm broçkulla të cilat i dëgjojmë me vite.

“Politikanët dhe partitë në vend janë ata që e kanë shkatërruar këtë qytet për 30 vite”, është fraza të cilët Arsovska gjithandej e përdor, duke justifikuar dështimet e saja dhe duke arsyetuar mosrealizimin e projekteve të cilat i premtoi, po me ata politikanë, të cilët në fakt edhe e sollën në ato pozitë.

Narrativat e tilla, nuk janë një shpikje e re, pasi që në këtë vend me vite përtypen të njëjtat arsyetime. Edhe po të jetë ashtu, Arsovska në programin e saj, askund nuk e ka shkruar se premtimet e saja nuk do të realizohen nëse pengohen nga ndonjë fuqi politike.

E kur jemi te fuqitë politike dhe përfaqësimi i tyre në pushtetin ekzekutiv, për hir të vërtetës duhet ta përmendim dhe faktin se Qeveria për çështjen e autobusëve deri tani ka parë vetëm sehir. Mbase do të duhej të ishte më e vëmendshme dhe të kapërcente inatet me kryetaren e Shkupit, për hir të qytetarëve.

Qyteti i Shkupit, përveç që është njësi vetëqeverisëse, është dhe kryeqytet ku ndodhen shumica e institucioneve qendrore, por edhe të gjitha përfaqësitë diplomatike.

Është turp e përskaj turpit që në vend të merremi me problemet reale të përditshme, të krijojmë probleme të cilat, nuk do të duhej të ekzistonin me automatizëm.

Autobusët e ShkupitDanela Arsovska – DanellaEditorialNdërmarrja Qarkulluese (Transportuese) Publike Shkup (NQP) (JSP) (NTP)Qyteti i ShkupitSuad Bajrami
Comments (0)
Add Comment