Afrim Spahiu: Rrugëtimi i fotografisë dhe filmit shqiptar është dëshmi e jashtëzakonshme e mbijetesës kulturore

Nga Akademia e Filmit në Zagreb te kinematografia e Kosovës, fotografi dhe drejtori i fotografisë, Afrim Spahiu, ka ndërtuar një rrugëtim krijues ku ndërthuren mjeshtëria teknike, ndjeshmëria artistike dhe përkushtimi ndaj imazhit. Për të, fotografia dhe filmi nuk janë thjesht mjete për të dokumentuar realitetin, por forma të shprehjes artistike që bartin kujtesë, identitet dhe përvoja njerëzore. Në një bisedë për Portalb.mk, Spahiu foli për formimin e tij profesional, bashkëpunimin me regjisorët, përgjegjësinë etike të fotografit dhe sfidat që teknologjia digjitale dhe inteligjenca artificiale po i sjellin krijimtarisë vizuale. Ai ndalet gjithashtu te rëndësia e mendimit kritik në edukimin e brezave të rinj dhe te trashëgimia e fotografisë dhe filmit shqiptar.

Portalb.mk: Formimi juaj në Akademinë e Zagrebit dhe puna në kinematografinë e Kosovës përkojnë me periudha të rëndësishme të zhvillimit të filmit në rajon. Si ndikuan këto përvoja në mënyrën tuaj të të menduarit dhe të krijuarit?

Afrim Spahiu: Në kërkim të horizonteve të reja të dijes dhe i nxitur nga ëndrrat sa të bukura, aq edhe sfiduese të kohës, u regjistrova në Akademinë e Filmit në Zagreb, e cila kishte një traditë të jashtëzakonshme. Aty mësova se kamera nuk është thjesht një mjet për të regjistruar realitetin, por një mundësi për të krijuar imazhe me estetikë dhe harmoni të dritëhijeve, përmes kompozicionit, kuadrit, montazhit dhe regjisë. Mësova ta shoh fotografinë filmike dhe lirinë krijuese si një gjuhë universale.

Aty filmi trajtohej si art i pastër, larg komercializmit dhe spektakleve të mëdha partizane. Ishte një periudhë e kalimit nga “vala e zezë” në bumin e pabesueshëm të komedive kult, dramave sociale dhe satirave gjatë viteve ’80, si dhe të bashkëprodhimeve të fuqishme ndërkombëtare me shtëpinë filmike kroate Jadran Film.

Kthimi në Kosovë dhe puna në Kosovafilm sollën një ballafaqim me një realitet krejtësisht ndryshe, me një terren të etur për histori, art dhe kulturë, por që përballej me sfida të mëdha logjistike dhe politike. Veçanërisht vitet ’70 dhe ’80 të shekullit XX shënuan epokën e artë të Kosovafilmit, ndërsa më vonë erdhi edhe vala e re e pasluftës.

Kosova më dha lëndën e parë, shpirtërore dhe jetësore. Në Zagreb mësova si të tregoj përmes gjuhës vizuale, ndërsa në Kosovë gjeta mundësinë e materializimit të tregimit. Temat e izolimit, mbijetesës, identitetit dhe transformimit shoqëror u bënë shtysat e mia kryesore.

Mungesa e teknologjisë më të fundit apo e buxheteve të mëdha në periudha të caktuara nuk më zmbrapsi. Përkundrazi, më detyroi të bëhem më kreativ. Kjo përvojë më mësoi se sinqeriteti i kuadrit dhe fuqia e aktrimit shpesh peshojnë më shumë sesa efektet speciale të shtrenjta.

Kombinimi i këtyre dy botëve krijoi një urë lidhëse në stilin tim. Shkollën akademike dhe precizitetin e Zagrebit i ndërthura me lëndën e gjallë, instinktin dhe dramatikën e Kosovës. Kjo më bëri të kuptoj se filmi i mirë duhet të ketë një strukturë të fortë universale, por të rrahë me një puls plotësisht lokal dhe autentik.

Fotografi të shkrepura nga Afrim Spahiu

Portalb.mk: Drejtori i fotografisë ka një rol të rëndësishëm në ndërtimin e gjuhës së filmit. Si e përcaktoni raportin mes vizionit të regjisorit dhe interpretimit tuaj vizual, sidomos kur keni këndvështrime të ndryshme për të njëjtën skenë?

Afrim Spahiu: Roli i drejtorit të fotografisë në një vepër filmike është kompleks dhe kërkon punë kolektive. Ai është një nga shtyllat kryesore krijuese, që fjalën e shkruar në skenar e kthen në imazh vizual, në përputhje me vizionin e synuar. Në bashkëpunim me ekspertët teknikë, bën zgjedhjen dhe projektimin e ndriçimit, përcakton këndin dhe lëvizjen e kamerës, kompozimin e kuadrit, stilin dhe tonalitetin estetik të filmit.

Gjatë karrierës sime kam pasur një bashkëpunim simbiotik me shumë regjisorë, duke u përpjekur të kuptoj kërkesat dhe vizionin e tyre, të zbërthej busullën e tyre imagjinative dhe t’i vë në jetë idetë përmes një imazhi me cilësi të lartë teknike dhe vlerë artistike.

Kompromisi krijues dhe fleksibiliteti janë zgjidhja më e mirë për realizimin vizual, pa u imponuar nga egoja artistike. Nëse regjisori këmbëngul në idenë e tij, unë bëj çmos që ta realizoj atë në mënyrën më estetike dhe profesionale të mundshme.

Shpesh xhirojmë një variant ashtu siç e kërkon regjisori dhe, nëse koha dhe buxheti e lejojnë, realizojmë edhe një variant alternativ, sipas këndvështrimit tim, për të pasur më shumë mundësi gjatë montazhit përfundimtar.

Fotografi të shkrepura nga Afrim Spahiu

Portalb.mk: Fotografia shpesh shihet si dëshmi e realitetit, por ajo gjithmonë përmban zgjedhjen dhe këndvështrimin e autorit. Ku qëndron, sipas jush, kufiri mes dokumentimit dhe interpretimit artistik? Çfarë përgjegjësie ka fotografi ndaj asaj që paraqet?

Afrim Spahiu: Kufiri mes dokumentimit të realitetit, pra së vërtetës objektive, dhe interpretimit artistik në fotografi nuk është një vijë e prerë, por një hapësirë e ndërmjetme ku ndërthuren synimi i autorit dhe shkalla e ndërhyrjes mbi realitetin.

Mosndryshimi i fakteve dhe i elementeve fizike të skenës, përdorimi i dritës për të përcjellë një emocion të painskenuar, si dhe zgjedhja e këndit të fotografimit përbëjnë udhërrëfyesit kryesorë të paraqitjes së realitetit, i cili jo rrallë kalon nëpër filtrin e autorit.

Në fund të fundit, fotografia nuk është asnjëherë një pasqyrë krejtësisht neutrale e botës, por një dritare e hapur nga autori. Përgjegjësia më e madhe e fotografit është të jetë i sinqertë me audiencën, të mos e paraqesë interpretimin artistik si dokumentim të pastër dhe të mos harrojë se pas çdo shkrepjeje qëndron një pjesë e realitetit të dikujt tjetër, e parë përmes një vizioni subjektiv.

Mosndryshimi i fakteve gjatë fotografimit të një ngjarjeje apo subjekti mundëson përjetësimin vizual të gjendjes autentike dhe natyrore, duke shprehur njëkohësisht një ide, ndjenjë apo metaforë personale.

Këndi i zgjedhur dhe drita e ambientit përcjellin një emocion real, pa inskenime, nga atmosfera dokumentare. Në këto raste, interpretimi artistik i nënshtrohet realitetit dhe vizionit të drejtorit të fotografisë apo fotografit.

Dokumentimi sa më besnik i realitetit shpesh ka vlerë të lartë artistike, pikërisht sepse këndvështrimi i autorit e bën atë unik.

Fotografi ka përgjegjësi dhe detyrim etik të mos e keqinformojë publikun, të respektojë historinë dhe dëshmitarët e saj, të mos përjetësojë stereotipe të rreme përmes imazheve dhe të ruajë dinjitetin njerëzor. Para se të shkrepë aparatin, ai duhet ta ketë të qartë rëndësinë e respektit njerëzor dhe të vlerës estetike.

Portalb.mk: Teknologjia digjitale dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë mënyrën si krijohen dhe përpunohen imazhet. Si ndikojnë këto zhvillime në besueshmërinë e fotografisë dhe në kuptimin që i japim autorësisë artistike?

Afrim Spahiu: Në fund të shekullit XX, shiriti filmik (pelikula) filloi të zëvendësohej nga kamerat digjitale, duke mundësuar shikimin e menjëhershëm të imazhit të realizuar, përpunimin dhe publikimin e fotografive në platformat sociale, drejtpërdrejt dhe anembanë botës.

Ky revolucion teknologjik, përmes telefonave inteligjentë, mundësoi demokratizimin e fotografisë dhe ndryshoi perceptimin e saj në jetën moderne. Ai krijoi mundësi të reja për informim, bashkëpunim dhe qasje ndaj risive teknologjike e zhvillimeve artistike në artet vizuale.

Me inteligjencën artificiale, këto zhvillime po marrin një drejtim krejtësisht të ri, veçanërisht përmes mundësisë së manipulimit pothuajse pa gjurmë dhe krijimit të imazheve sintetike.

Sot, kushdo mund të krijojë një imazh estetikisht mbresëlënës pa pasur nevojë të zotërojë teknikat e ndriçimit, kompozimit apo përdorimit të aparatit fotografik. Kjo e bën krijimtarinë të qasshme për të gjithë, por njëkohësisht rrezikon të zhvlerësojë zanatin dhe mundin e fotografëve profesionistë.

Si përfundim, teknologjia digjitale dhe inteligjenca artificiale po e ndryshojnë rrënjësisht fotografinë, duke sfiduar dy nga shtyllat e saj kryesore, besueshmërinë si dokument real dhe nocionin tradicional të autorësisë artistike.

Ky revolucion teknologjik sjell një ndryshim epokal në mënyrën se si e perceptojmë të vërtetën vizuale dhe rolin e artistit.

Fotografi të shkrepura nga Afrim Spahiu

Portalb.mk: Nga përvoja juaj si pedagog, si mund të formohet te studenti një mënyrë e pavarur e të shikuarit? Çfarë vendi duhet të kenë historia e artit, mendimi kritik dhe përvoja jashtë auditorit në këtë formim?

Afrim Spahiu: Si pedagog dhe profesionist i fushës së fotografisë, çdo shkrepje që kam realizuar me aparat fotografik ka mbetur tek unë si përjetësim i mendimit dhe i këndvështrimit personal, qoftë realist apo abstrakt.

Nga përvoja ime pedagogjike dhe metodologjitë bashkëkohore të mësimdhënies, vlerësoj se sot studentit duhet t’i mundësohet të ndërtojë një mënyrë të pavarur të të shikuarit, pra “syrin e tij kritik”. Ky është një proces që duhet të kalojë nga konsumimi pasiv i informacionit drejt zbërthimit dhe rindërtimit të tij.

Historia e artit nuk duhet parë si një listë sterile datash, emrash apo stilesh që duhen memorizuar. Ajo shërben si një kodifikues i shikimit.

Duke njohur të shkuarën, studenti mëson të dallojë referencat, citimet dhe riciklimet e ideve në artin apo dizajnin bashkëkohor.

Mendimi kritik është mjeti prerës që e ndan shikimin sipërfaqësor nga analiza e thellë. Pa të, studenti mbetet thjesht një admirues i formës.

Portalb.mk: Duke parë rrugëtimin e fotografisë dhe filmit shqiptar, çfarë kemi arritur të ndërtojmë si traditë artistike dhe ku i shihni boshllëqet më të mëdha në ruajtjen, studimin dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj?

Afrim Spahiu: Rrugëtimi i fotografisë dhe filmit shqiptar është një dëshmi e jashtëzakonshme e mbijetesës kulturore. Përmes izolimit, ndryshimeve drastike politike dhe mungesës së mjeteve, artistët tanë arritën të krijonin një identitet vizual unik.

Nga Marubët dhe vëllezërit Manaki në fotografi, te operatorët e Kinostudios “Shqipëria e Re”, si Saim Kokona, Ilia Terpini, Pëllumb Kalfa, Faruk Basha dhe Bashkim Asllanaj, si dhe krijuesit e kinematografisë së Kosovës, Afrim Spahiu, Rudolf Sopi, Menduh Nushi, Milazim Salihu dhe shumë të tjerë nga gjeneratat e pasluftës, kemi trashëguar një mjeshtëri të lartë të dritëshkrimit dhe kompozimit.

Edhe brenda kornizave të ngushta të realizmit socialist, filmat shqiptarë arritën të ndërtonin një gjuhë vizuale me dinjitet të lartë estetik.

Fotografia shqiptare shquhet për dokumentimin e pashoq të kujtesës kolektive. Jo vetëm në Shkodër, por edhe përmes fotografëve si Idromeno, Jakova, Ristani, Vani Burda apo vëllezërit Manaki në Maqedoni, ajo ka dokumentuar transformimet antropologjike, veshjet, arkitekturën dhe ndryshimet shoqërore të kombit përgjatë më shumë se një shekulli e gjysmë.

Kemi ndërtuar një traditë të fortë të tregimtarisë filmike, të mbështetur në karaktere të fuqishme, ku spikasin filmat epikë historikë dhe dramat me tone psikologjike e sociale, të cilat edhe sot vazhdojnë të kenë jehonë te publiku për nga fuqia e aktrimit dhe e regjisë.

Afrim Spahiu me kamerë filmike në vitin 1975, i sapodalur nga Akdemia
FotografiIntervistëKultura shqiptareKulturë lajme