Një shpirt i lirë në kohë të egër

“Ka një kamxhik që përherë i fshikullon poetët?”, tha Bodleri për Edgar Allan Po-në. Kamxhiku i një regjimi të egër e fshikulloi edhe poetin Daut Gurra. Ai vuajti për shkak të veprimtarisë letrare e kombëtare, por sot dëshmohet se vizioni i tij ishte i fisëm dhe human.

Çfarë bëri ai që ishte i padëshirueshëm për një regjim totalitar?

Ai ishte poeti i talentuar në një regjim hakmarrës ndaj poetëve që i kundërviheshin “të vërtetës zyrtare”.

Ai ishte njeriu i ndershëm në një regjim që nxiste hipokrizinë kolektive, siç e përshkruan me mjeshtëri Çesllav Milloshi në librin “Mendja e robëruar”, duke na bërë me dije se jo hipokrizia, por e vërteta na bën të lirë.

Ai ishte njeriu i fisëm në një regjim që favorizonte të pafismin.

Ai ishte liridashësi në një regjim që tentonte të kontrollonte jo vetëm vetëdijen, por edhe nënvetëdijen e njerëzve, ashtu si te “Pallati i ëndrrave”.

Ai ishte dijedashësi në një regjim që tentonte t’i mbante njerëzit në terrin e mosdijes dhe t’i trajtonte si objekte e jo si subjekte, ashtu si në mitin mbi Prometeun zjarrsjellës dhe Zeusin e gjithëpushtetshëm.

Në gjithçka, ai ishte e kundërta e atyre që e diferencuan.

Po të jetonte në një vend të lirë, në një shoqëri normale, do të kishte botuar më shumë libra. Por ai jetoi në një kohë të egër dhe në një mjedis jo dashamirës ndaj poetëve.

Itinerarit jetësor dhe krijues të Daut Gurrës i shkon vargu i poetit malazez Jevrem Berkoviqit: “Në Ballkan vetëm poeti i therur është poet”.

Jam me fat që e njoha poetin Daut Gurra dhe vazhdoj t’i kujtoj bisedat me të për letërsinë, kulturën dhe problemet shoqërore të kohës.

Çfarë i karakterizon poezitë e përmbledhjes “Kohë e hutuar”?

Aty gjejmë poezi për dashurinë, tokën, lirinë, mërgimin, traditat që përcaktuan kodin etik të shqiptarëve, duke përfshirë edhe një elegji për mikun e tij.

Daut Gurra shkroi poezi intime, lirike, refleksive dhe përshkruese.

Ai shkroi edhe kur e dinte se poezitë e tij s’do të botoheshin. Dhe vazhdoi të shkruante, sepse për një poet të lindur, shkrimi është pasion dhe frymëmarrje.

Në poezinë e Daut Gurrës, me bukuri artistike dhe thellësi mendimi, ndërthuren edhe elemente mitike dhe shfaqen orëbardha e zana. Kemi shumë imazhe të ajërta e të ëndërrta nga bota etnografike shqiptare. Kjo dashuri ndaj botës shqiptare, ose, siç thoshte Buzuku, “për të dashunit e botës sanë”, e bënte atë të ndihej i huaj edhe në botën e lirë e shkëlqimtare, pra, në metropolet europiane. Kjo ndjenjë përshkruhet edhe në poezinë “Punëtori i huaj”, të shkruar në vitin 1980.

“Mirëmëngjes agim i paaguar

që zgjohesh me mitet e kapitalit nëpër terr,

në ëndrrën e punëtorit të huaj –

Ausländer, Ausländer, Ausländer.

 

Diell s’sheh kurrë mbi kokë,

shiu ta vërshon trupin e prerë;

ti ndërton e në baltë kullon –

Ausländer, Ausländer, Ausländer.

 

Ndaj natë herë të fle zemra

në kotjen e lodhur, në erë,

shuka-shuka të shkon buka –

Ausländer, Ausländer, Ausländer!

 

Përvdire detin tënd të iluzioneve,

në rrugën e pafund të jetës, nderë;

e ti, prapë je punëtor – i huaj –

Ausländer, Ausländer, Ausländer!”

Ramadan Sinani, një tjetër poet i përndjekur, në sprovën për jetën dhe krijimtarinë letrare të Daut Gurrës, shkroi: “Si strukturë e tërësishme, në vete, këto poezi impulsojnë ndjenjën dhe mendimin për shumësinë e ironive dhe paradokseve në kryesimbolin kohë… Tërë vëllimi poetik gërshetohet me poezi të një niveli të lakmueshëm estetik-letrar… Në tërësi, talenti krijues letrar i poetit Daut Gurrës u verifikua pa dyshim qysh para shumë vitesh dhe sidomos me këtë vëllim poetik”…

Përmenda shumëçka, jo vetëm nga vepra, por edhe nga jeta e Daut Gurrës. Dhe jo pa qëllim. Sepse dua të përcjell një mesazh për brezin e ri: për shumëçka të mirë që sot mund ta gëzojmë, dikush e ka paguar shtrenjtë. Historia nuk fillon sot dhe as me ne. Ajo ka filluar moti dhe një protagonist i saj është edhe Daut Gurra, poeti që, me gjuhën e ëndrrës, donte t’i fliste sa më shumë botës, por nuk e lanë…

Ai, megjithatë, foli me gjuhën e poezisë. La shumë poezi që lexohen dhe do të lexohen. Sot e përgjithmonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu