Heshtja e studentëve dhe përgjegjësia e universiteteve

Shkruan: Mislim Zendeli

Të  rinjtë e sotshëm që protestojnë me të drejtë hegjemonët e pushtetit nxitojnë t’i etiketojnë si rebelë pa kauzë!

Për mendimin tim është qasje e gabuar. Në moshën e tyre idealet janë ende të paprekura nga kompromiset dhe e vërteta nuk është zbehur nga interesat. Ata kanë ndjenjën e drejtësisë, nuk kanë frikë dhe prandaj lind revolta.

Është thënë se mund të ndalosh një protestë, mund të arrestosh përgjegjësit e dhunës, mund të vendosësh rendin përkohësisht por me këto masa nuk zgjidhet kriza e një brezi që nuk sheh më perspektivë për të ardhmen e vet.

Dhe kur kasta e privilegjuar politike, e rehatuar në pushtet dhe pasuri, merr përsipër t’u japë leksione të rinjve se si duhet të protestojnë, por nuk është në gjendje t’u tregojë se si mund ta ndërtojnë të ardhmen, ajo dëshmon se nuk e ka kuptuar, ose nuk dëshiron ta kuptojë, thelbin e revoltës së tyre.

Sepse problemi i sotëm nuk është vetëm çfarë bëjnë të rinjtë kur zemërohen. Pyetja  është çfarë ka bërë pushteti për të ardhmen e tyre, shumë kohë përpara se zemërimi ti nxirte në rrugë.

Një pushtet që u ka mbyllur të rinjve dyert e së ardhmes, nuk mund të pretendojë që ata të heshtin para dyerve të tij!

Boll mirë po veprojnë të rinjtë, në veçanti studentët, gjithandej! Ajo që më brengos është “qetësia” e pakuptueshme dhe strukja e studentëve tanë!

Që nga vitet 1995 dhe 2001, kur nisën veprimtarinë dy universitetet në gjuhën shqipe në Tetovë, kanë kaluar mbi tri dekada nga i pari dhe një çerek shekulli nga i dyti. E sot, ja ku jemi: asnjë centimetër përpara në frymën kritike, guximin qytetar dhe vetëdijen studentore!

Universitetet nuk duhet të prodhojnë vetëm diploma, por edhe mendim kritik, personalitete të pavarura dhe qytetarë që guxojnë ta ngrenë zërin kundër padrejtësive.

Sepse heshtja e studentëve është dorëzim i shoqërisë nesër!

Na Shkruani