Shkruan: Jon Selimi
Qeveria e Hristijan Mickoskit dhe ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, po përpiqen të na bindin se zgjidhja e ofruar për provimin e jurisprudencës është e mjaftueshme, ndonëse dy provimet praktike që zhvillohen në gjykatë do të vazhdojnë të jenë në maqedonisht. Arsyetimi është se procedurat gjyqësore zhvillohen në maqedonisht dhe se studentëve do t’u ofrohet vetëm “language support”. Pra, në vend që të mundësohet dhënia e provimit praktik në shqip, na ofrohet mbështetje gjuhësore për të punuar me lëndë dhe materiale gjyqësore në maqedonisht. Në vend që të na shpjegojnë si duhet të respektohen Kushtetuta dhe ligji, kërkojnë nga ne të dakordohemi me një zgjidhje të pjesshme. Ligji nuk është çështje marrëveshjeje politike, ndërsa barazia nuk mund të zëvendësohet me mbështetje gjuhësore.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është LEX SPECIALIS. Neni 9 parasheh përdorimin e gjuhës maqedonase, dhe gjuhës shqipe në procedurat gjyqësore dhe procedurat e tjera të përcaktuara me këtë dispozitë. Prandaj, pretendimi i ministrit Shasivari se gjuha juridike e gjykatave është maqedonishtja është skandaloz dhe juridikisht i kontestueshëm. Fakti që materialet gjyqësore janë në maqedonisht nuk e zgjidh vetvetiu çështjen e të drejtës gjuhësore në provimin e jurisprudencës. Ministri duhet të shpjegojë mbi çfarë baze ligjore përjashtohet mundësia që edhe dy provimet praktike të zhvillohen në shqip, në vend që “language support” të paraqitet si zëvendësim i saj.
Kryeministri Mickoski dhe ministri Shasivari duhet ta kuptojnë se standardet profesionale nuk mund të përdoren si arsyetim i përgjithshëm për kufizimin e të drejtave gjuhësore. Nëse pretendojnë se provimi nuk mund të mbahet tërësisht në shqip, le ta argumentojnë këtë me dispozita konkrete ligjore, e jo me deklarata politike. Përderisa ligji është në fuqi dhe nuk është pezulluar apo shfuqizuar me vendim përkatës, institucionet duhet ta RESPEKTOJNË atë.
Ne nuk po kërkojmë FAVORE nga ministri. Kërkojnë ZBATIMIN e Kushtetutës dhe ligjeve, si dhe mundësinë që provimin e jurisprudencës ta japim PLOTËSISHT në gjuhën shqipe, përfshirë edhe dy provimet praktike. “Language support” nuk është e njëjta gjë me mundësinë për ta dhënë provimin në shqip. Nëse qeveria vazhdon ta trajtojë këtë kërkesë si çështje kompromisi, nuk na mbetet rrugë tjetër pos t’i konsiderojmë protestat si mjet legjitim për ta shprehur revoltën tonë dhe për të kërkuar llogaridhënie institucionale.
Barazia nuk matet me atë se sa mbështetje gjuhësore ofrohet për të punuar në një gjuhë tjetër. Matet me RESPEKTIMIN e të drejtave të GARANTUARA. Mickoski dhe Shasivari nuk mund ta paraqesin një zgjidhje të pjesshme si përmbushje të plotë të kërkesës tonë. Ne kërkojmë që provimi i jurisprudencës, si dhe, çdo provim tjetër shtetëror të mund të jepet tërësisht në shqip, ashtu siç na garanton Kushtetuta dhe ligji.