Ekziston një thënie e njohur se sa më shumë gjuhë të dish, aq më shumë vlen. Në Maqedoninë e Veriut, megjithatë, kjo thënie duket se gjithmonë ka pasur një përjashtim të pashkruar: njohja e gjuhës së tjetrit nuk është konsideruar domosdoshmërisht përparësi, veçanërisht kur bëhet fjalë për gjuhën shqipe.
Për dekada me radhë, shqiptarët e këtij vendi e kanë pasur pothuajse të domosdoshme njohjen e dy gjuhëve kryesore që fliten këtu. Njohja e maqedonishtes ishte kusht për arsimim, punësim dhe pjesëmarrje në jetën institucionale. Ndërkohë, mosnjohja e shqipes nga bashkëqytetarët maqedonas nuk konsiderohej ndonjë mangësi profesionale apo shoqërore. Shqiptari që fliste dy gjuhë nuk kishte ndonjë përparësi të veçantë ndaj maqedonasit që fliste vetëm njërën. Dhe pikërisht këtu fillon problemi.
Në romanin e tij të famshëm Ferma e Kafshëve, George Orwell na kujton se si një parim fisnik mund të shndërrohet në absurditet kur zbatohet në mënyrë selektive. Orwell këtë e shpreh me thënien e tij legjendare: Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat. Në realitetin tonë gjuhësor, kjo ironi tingëllon çuditërisht e njohur. Të gjitha gjuhët i konsiderojmë pasuri, por disa duket se vlejnë më shumë se të tjerat. Njohja e njërës është domosdoshmëri, ndërsa mosnjohja e tjetrës as që konsiderohet mangësi. Dhe kështu, nën petkun e barazisë, vazhdojmë të kultivojmë një pabarazi që rrallëherë e pranojmë hapur.
Pas Marrëveshjes së Ohrit, përdorimi institucional i shqipes u zgjerua gradualisht. Por, ndërkohë që ndryshonte statusi juridik i gjuhës, nuk ndryshonte me të njëjtin ritëm edhe mendësia shoqërore. Refuzimi i vazhdueshëm për ta mësuar gjuhën shqipe prodhoi, me kalimin e kohës, një reagim të ngjashëm edhe te brezat e rinj shqiptarë, të cilët gjithnjë e më pak e shihnin të nevojshme ta mësonin maqedonishten.
Kështu arritëm në një realitet paradoksal, ku të rinj që jetojnë në të njëjtin vend, ndonjëherë edhe në të njëjtin qytet, komunikojnë mes vete në anglisht, sepse nuk e njohin gjuhën e njëri-tjetrit. Në shkollat shqipe, fëmijët fillojnë ta mësojnë maqedonishten pothuajse nga zeroja, si një gjuhë të huaj të cilën gjithnjë e më pak e flasin dhe e kuptojnë, ndërsa nxënësit maqedonas përgjithësisht nuk e mësojnë fare shqipen. Madje, në një pjesë të diskursit publik, shqipja vazhdon të trajtohet sikur të ishte gjuha e armikut, e jo gjuha e bashkëqytetarëve të këtij vendi.
Ky është ndoshta dështimi ynë më i madh në ndërtimin e një shoqërie multilinguale. Ne i kemi trajtuar gjuhët si territore që duhen mbrojtur nga njëra-tjetra, në vend që t’i trajtojmë si ura komunikimi dhe si pasuri të përbashkët.
E kam përmendur edhe më parë shembullin e provincës autonome të Bolzanos, në Itali, ku shumëgjuhësia nuk mbetet vetëm një deklarim politik. Atje, njohja e italishtes dhe gjermanishtes është kusht për shumë pozita në administratën publike dhe në organet gjyqësore, ndërsa në zona të caktuara kërkohet edhe njohja e gjuhës ladine. Pra, shteti nuk pret vetëm nga qytetari që të përshtatet me gjuhën e administratës; ai kërkon edhe nga administrata që të jetë e aftë t’i shërbejë qytetarit në gjuhën e tij.
Kjo është një qasje ndaj shumëgjuhësisë që nuk kufizohet vetëm në njohjen formale të të drejtave gjuhësore, por e shndërron njohjen e gjuhëve në një vlerë konkrete dhe përparësi profesionale.
Dhe këtu vijmë te debati i fundit për provimin e jurisprudencës. Pas kërkesës legjitime të studentëve shqiptarë që këtë provim ta japin në gjuhën shqipe, sërish po kërkohet një kompromis: një pjesë e provimit në shqip, një pjesë në maqedonisht. Sikur përdorimi i gjuhëve të ishte një çështje përqindjesh që duhen negociuar, e jo një e drejtë që duhet zbatuar.
Unë do të propozoja një kompromis tjetër, që jo vetëm do ta zgjidhte këtë çështje, por do të krijonte edhe një standard të ri profesional.
Sot në Maqedoninë e Veriut kemi tri universitete që ofrojnë studime juridike në gjuhën shqipe. Në këto institucione punojnë profesorë me përvojë shumëvjeçare akademike, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve i kanë përfunduar studimet në gjuhën maqedonase dhe sot ligjërojnë në të dyja gjuhët. Por kjo pasuri profesionale dhe gjuhësore nuk kufizohet vetëm në botën akademike. Në sistemin tonë të drejtësisë kemi edhe shumë gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë shqiptarë, profesionistë me përvojë dhe kompetencë të lartë, të cilët i zotërojnë rrjedhshëm të dyja gjuhët, përfshirë terminologjinë e ndërlikuar juridike në secilën prej tyre. Kemi, pra, një potencial të konsiderueshëm profesionistësh që jo vetëm e njohin të drejtën në aspektin teorik dhe praktik, por janë plotësisht të aftë ta interpretojnë, ta zbatojnë dhe ta vlerësojnë atë në të dyja gjuhët zyrtare të vendit. Përse të mos e shfrytëzojmë pikërisht këtë potencial?
Përse të mos krijohet një komision për provimin e jurisprudencës i përbërë ekskluzivisht nga profesorë dhe praktikues të së drejtës që i njohin rrjedhshëm të dyja gjuhët dhe zotërojnë terminologjinë juridike në secilën prej tyre?
Një komision i tillë do të mund t’i vlerësonte në mënyrë të barabartë njohuritë profesionale të të gjithë kandidatëve, shqiptarë, maqedonas apo të tjerë, pavarësisht se në cilën nga dy gjuhët zyrtare do të zgjidhnin të përgjigjeshin. Kriteri për anëtarët e komisionit do të ishte kompetenca profesionale dhe gjuhësore, ndërsa kandidatëve do t’u garantohej e drejta për t’u vlerësuar në gjuhën e zgjedhur.
Po nëse një komision i tillë do të përbëhej vetëm nga shqiptarë që i flasin rrjedhshëm të dyja gjuhët? Përse duhet të përbënte kjo ndonjë problem?
A nuk po flasim vazhdimisht për meritokraci, për përzgjedhje sipas aftësive dhe jo sipas përkatësisë etnike? Epo, ja ku kemi një mundësi konkrete për ta zbatuar këtë parim. Nëse sot janë pikërisht profesorët dhe juristët shqiptarë ata që në numër më të madh i plotësojnë këto kritere, përse të mos përfitojnë nga kjo përparësi? Natyrisht, kriteri do të vlente njësoj për çdo profesionist, pavarësisht përkatësisë etnike.
Kjo do të ishte edhe një formë e merituar e vlerësimit të atyre që ndër vite e kanë kultivuar shumëgjuhësinë, por mbi të gjitha një mesazh për gjeneratat e ardhshme: njohja e gjuhëve të vendit ku jeton është vlerë e shtuar, është përparësi reale profesionale, ndërsa mosnjohja e tyre është një kufizim që duhet tejkaluar.
Ndoshta ka ardhur koha që suksesin e politikave gjuhësore të mos e masim më me atë se sa hapësirë ka fituar njëra gjuhë në raport me tjetrën, por me atë se sa kemi arritur ta kultivojmë shumëgjuhësinë si vlerë të përbashkët dhe sa i kemi nxitur qytetarët t’i mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit.
Në fund të fundit, një shoqëri vërtet shumëgjuhëshe nuk ndërtohet vetëm duke garantuar të drejta gjuhësore në ligj, por edhe duke krijuar mundësi reale që njohja e gjuhëve të vlerësohet dhe të shpërblehet. Nëse duam që gjuhët të na afrojnë dhe jo të na ndajnë, duhet të heqim dorë nga praktika ku njohja e dy gjuhëve merret si diçka e mirëqenë për njërin komunitet, ndërsa mosnjohja e njërës prej tyre nuk përbën asnjë pengesë për tjetrin. Sepse barazia e gjuhëve nuk nënkupton vetëm të drejtën për ta folur gjuhën tënde, por edhe krijimin e një mjedisi ku njohja e gjuhës së tjetrit çmohet dhe shpërblehet. Përndryshe, do të vazhdojmë të jetojmë në një vend ku të gjitha gjuhët janë të barabarta, por disa mbeten më të barabarta se të tjerat.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.