Pothuajse të gjitha mbeturinat komunale në Maqedoni përfundojnë në deponi

Në Maqedoninë e Veriut, gjatë vitit 2024 janë krijuar 755.7 mijë tonë mbeturina komunale, ose mesatarisht 417 kilogramë për banor, tregojnë të dhënat më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave. Pjesa më e madhe e mbeturinave vjen nga amvisëritë, ndërsa sasia më e madhe gjenerohet dhe grumbullohet në Rajonin e Shkupit, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse sasia e mbeturinave komunale është më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian, sfida kryesore mbetet ndarja dhe riciklimi i tyre. Sipas statistikave, 99,8 përqind e mbeturinave komunale përfundojnë në deponi, ndërsa vetëm një pjesë shumë e vogël seleksionohet. Nga mbeturinat e ndara, pjesën më të madhe e përbëjnë mbeturinat organike, plastika dhe letra.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se gjatë vitit 2024 industria ka gjeneruar rreth 1,2 milionë tonë mbeturina, ku pjesa më e madhe vjen nga industria përpunuese dhe sektori i minierave. Edhe pse sasia totale është më e ulët krahasuar me vendet evropiane, sfidë mbetet përqindja e lartë e mbeturinave të rrezikshme dhe nevoja për sisteme më efikase për trajtimin dhe ripërdorimin e tyre.

Maqedonia e Veriut vazhdon të jetë në proces të tranzicionit drejt ekonomisë qarkulluese, ndërsa niveli i seleksionimit dhe riciklimit mbetet i ulët. Ndërkohë janë në zbatim disa investime dhe projekte që synojnë përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave.

Një prej tyre është kredia prej 55 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e destinuar për ndërtimin e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave, qendrave të riciklimit dhe mbylljen e deponive të egra.

Paralelisht ka nisur edhe procesi i zgjerimit të sistemit të përgjegjësisë së prodhuesve, përmes të cilit kompanitë do të duhet të marrin përsipër një pjesë më të madhe të detyrimeve dhe kostove për menaxhimin e mbeturinave që krijohen nga produktet e tyre.

Në vend funksionojnë edhe disa iniciativa për të nxitur riciklimin. Organizata “Teksomak” merret me grumbullimin dhe riciklimin e mbeturinave tekstile, “Pakomak” ka vendosur makina automatike kthimi për shishe plastike dhe kanaçe, përmes të cilave qytetarët fitojnë pikë shpërblyese, ndërsa platforma Recycle.mk u mundëson qytetarëve të gjejnë më lehtë lokacionet për ndarjen e mbeturinave dhe kompanitë që merren me riciklim.

Megjithatë, përgjegjësia më e madhe mbetet te secili qytetar, i cili duhet të jetë i vetëdijshëm për rëndësinë e riciklimit dhe pasojat e mosriciklimit. Ekspertët paralajmërojnë se riciklimi i pamjaftueshëm çon në mbushjen më të shpejtë të deponive, ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit, rritjen e emetimeve të gazeve serrë dhe humbjen e lëndëve të para me vlerë që mund të ripërdoren. Njëkohësisht rriten edhe kostot për menaxhimin e mbeturinave, ndërsa shtohen rreziqet për shëndetin publik për shkak të depozitimit dhe djegies së pakontrolluar të mbeturinave.

Ambienti jetësorDeponi ilegaleDeponi rajonaleEkologjiNdotja e tokës mbeturina