Pavarësisht premtimeve nga Ministria e Arsimit se nxënësit do të kenë libra, nëpër shumë shkolla të mesme profesionale në vend, librat vazhdojnë të mungojnë, ndërsa nxënësit mësojnë me skripta. Zëvendësministri i Arsimit, në një prononcim për Portalb.mk u arsyetua se sigurimi i të gjitha librave njëherësh ka kosto të madhe financiare, andaj tentojnë që këtë problem ta zgjidhin gradualisht.
Në shkollat profesionale vazhdojnë të mungojnë librat, ndërsa mësimdhënësit detyrohen që të gjejnë materiale alternative si skripta apo prezantime, ndonëse ministrja e Arsimit, Vesna Janevska pati premtuar se nxënësve nuk do t’ju mungojnë librat këtë vit shkollor.
Për këtë problem, Portalb.mk bisedoi me zëvendësministrin e Arsimit, Driton Sulejmanin.
Ai e pranoi se për dallim nga shkollat fillore dhe drejtimet gjimnaziste, ku nxënësit i marrin librat me kohë, në shkollat profesionale ky problem vazhdon të jetë i pranishëm.
Ai theksoi se nxënësit e shkollave profesionale i kanë librat në dispozicion në formë elektronike, ndërsa një pjesë e tyre i kanë edhe në formë të shtypur.
“Jam i vetëdijshëm se ekziston problematika me librat, por edhe këtë po e zgjidhim gradualisht. Nëse do të ndërmerrnim një operacion të tillë për ta zgjidhur menjëherë të gjithë problemin me librat për drejtimet profesionale, kjo do të ishte shumë e kushtueshme për ministrinë”, tha Sulejmani.
Sipas tij, ministria ka zgjedhur qasje të kombinuar, duke siguruar libra për shkollat fillore dhe drejtimet gjimnaziste, ndërsa në shkollat profesionale disa libra janë në formë të shtypur dhe shumica në formë elektronike.
Ai shtoi se kjo mënyrë e furnizimit është në përputhje me Ligjin për arsimin fillor dhe të mesëm, i cili lejon që librat të jenë në dispozicion të nxënësve në formë të shtypur ose elektronike.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit dhe Shkencës (MASH), Vesna Janevska, pati premtuar se nga një shtatori të gjithë nxënësit nga shkollat fillore dhe të mesme do të kenë në duart e tyre tekste shkollore. Por realiteti në disa shkolla e tregon të kundërtën.
Ndryshe, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Arsimit në vitin shkollor 2026/2027 në shkollat profesionale u regjistruan rreth 10.800 nxënës.
- LEXO: Realiteti në shkolla profesionale e demanton Janevskën: Nxënësit ende pa libra, mësojnë nga skriptat
- LEXO: Të gjithë nxënësit e Maqedonisë së Veriut më 1 shtator do të kenë libra, premtoi ministrja Vesna Janevska
- LEXO: Vazhdon skandali me librin e Gjeografisë në Maqedoninë e Veriut: Nxënësit mësojnë për Kosovën sipas narrativës serbe