Ndërhyrje pa leje në shkollën e vjetër të mjekësisë në Tetovë, HUTA: Është trashëgimi kulturore, të hetohet rasti

Godina e “Shkollës së mesme të vjetër të mjekësisë”, e evidentuar si trashëgimi kulturore potenciale, është dëmtuar nga ndërhyrje ndërtimore të kryera pa miratim ligjor, akuzon organizata për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore HUTA – Tetovë, e cila kërkon edhe përgjegjësi institucionale, vlerësim të dëmit dhe masa restauruese, duke theksuar se punimet e përfunduara nuk e amnistojnë shkeljen e ligjit, transmeton Portalb.mk.

“Organizata për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore HUTA – Tetovë informon opinion se godina “Shkolla e mesme e vjetër e mjeksisë – Tetovë”, sipas dokumentit zyrtar të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit – Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimi Kulturore, është i evidentuar si trashëgimi kulturore potenciale, me vlera arkitektonike, historike dhe identitare”, thuhet në reagim.

Në dokumentacionin zyrtar të Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimi Kulturore, konstatohet se në objekt janë kryer ndërhyrje ndërtimore në eksterier, për të cilat ligji kërkon mendim profesional dhe miratim paraprak nga institucioni kompetent konservator, me qëllim mbrojtjen e elementeve autentike arkitektonike.

“Megjithatë, ndërhyrjet janë realizuar dhe punimet janë përfunduar, pa u respektuar procedurat ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe pa u përcaktuar regjim mbrojtjeje, duke rrezikuar dëmtimin e përhershëm të vlerave kulturore të objektit.
HUTA kërkon:
– konstatim zyrtar të shkeljeve procedurale dhe ligjore,
– vlerësim profesional të dëmit të shkaktuar,
– ndërmarrje të masave korrigjuese dhe restauruese aty ku është e mundur,
– dhe ndalim të çdo ndërhyrjeje të ardhshme pa miratim konservator.
Trashëgimia kulturore nuk mbrohet pas faktit të kryer.
Punimet e përfunduara nuk e shuajnë përgjegjësinë”, thuhet në reagim.

Ministria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)Tetova