Maqedonia e Veriut vazhdon të punojë në dialogun me Bullgarinë për tejkalimin e çështjeve të hapura, ndërsa ky proces ka mbështetjen edhe të institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Këtë e theksoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Zvicrës dhe kryesuesin aktual të OSBE-së, Ignazio Cassis, Mucunski u pyet për deklaratën e komisioneres evropiane për zgjerim, Marta Kos, e cila më herët kishte theksuar se Komisioni Evropian po punon për përmirësimin e marrëdhënieve mes Shkupit dhe Sofjes.
Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut konfirmoi se bisedimet po zhvillohen dhe se procesi ka mbështetjen e partnerëve evropianë.
“Sa i përket çështjes me Bullgarinë, mendoj se e kemi bërë mjaft të qartë se aktualisht jemi duke punuar në dialog, i cili, siç dëgjuat edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, ka mbështetjen tonë edhe nga institucionet evropiane, edhe nga vendet anëtare”, deklaroi Mucunski.
Ai theksoi se qëndrimet e Maqedonisë së Veriut në bisedime janë të përcaktuara qartë dhe se nuk ka tërheqje nga qëndrimet parimore që deri më tani u janë prezantuar partnerëve evropianë.
Sipas Mucunskit, si bisedimet aktuale, ashtu edhe kontaktet e zhvilluara gjatë një deri në dy viteve të fundit, bazohen në të njëjtat qëndrime, të cilat u janë përcjellë qartë përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.
Deklarata e Mucunskit vjen pas paraqitjes së fundit të komisioneres evropiane Marta Kos në Bruksel, ku, pas prezantimit të Paketës së Zgjerimit të BE-së, ajo foli për angazhimin e Komisionit Evropian në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Kos atëherë theksoi se Brukseli po ndërmerr hapa për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por se jo të gjitha bisedimet dhe përpjekjet diplomatike bëhen publike.
“Ne po bëjmë mjaft shumë për marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por nuk i themi të gjitha”, deklaroi komisionerja evropiane.
Ajo sqaroi se Komisioni Evropian po ndërmerr hapa të caktuar për tejkalimin e çështjeve të hapura mes dy vendeve fqinje, por një pjesë e këtyre aktiviteteve mbeten jashtë vëmendjes së publikut.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Sali në takim me komisioneren Kos: Integrimi gradual duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët
- LEXO: “E palogjikshme” për Shkupin që BE-ja e ka përjashtuar nga plani: Edhe reforma, por edhe ndryshime kushtetuese
- LEXO: Asnjë përparim në rrugën drejt BE-së, Petrova i kërkoi Mucunskit afat kohor se kur vendi do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese
- LEXO: “E palogjikshme” për Shkupin që BE-ja e ka përjashtuar nga plani: Edhe reforma, por edhe ndryshime kushtetuese