Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë në Shkup do të shkëputet nga Shtëpia e Shëndetit – Shkup dhe do të funksionojë me buxhet të veçantë, menaxhim të pavarur dhe procedura më efikase për punësim. Ndryshimi pritet të nisë në dhjetor, njoftoi dje ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, transmeton Portalb.mk.
Pas vizitës në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë, ai vlerësoi se ky shërbim shëndetësor është lënë pas dore gjatë 30 viteve të fundit dhe se blerja e automjeteve të reja nuk mjafton për zgjidhjen e problemeve.
“Sot në mëngjes shkova për të parë kushtet në të cilat punon Ndihma e Shpejtë në Shkup dhe për t’i dëgjuar nga afër problemet në shërbimin më të ngarkuar të Ndihmës së Shpejtë në vend. Do të jem i drejtpërdrejtë: kushtet janë të këqija. Hapësira prej kohësh nuk i përgjigjet vëllimit të punës, qendra e dispeçerisë funksionon në kufijtë e kapaciteteve të saj, ndërsa ekipet, pavarësisht gjithë kësaj, dalin në terren 24 orë në ditë, 365 ditë në vit“, deklaroi ministri.
Sipas tij, hapi i parë, të cilin janë të vendosur ta ndërmarrin që në dhjetor, është shkëputja e Shërbimit të Ndihmës së Shpejtë nga Shtëpia e Shëndetit – Shkup, me qëllim që të sigurohet menaxhim adekuat, buxhet i përshtatshëm dhe procedura përkatëse të punësimit.
Ai theksoi se deri në vitin 2030 një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve do të dalin në pension, prandaj është i domosdoshëm planifikimi në kohë i plotësimit të vendeve të punës me personel.
“Para disa ditësh, një mjek dhe një infermiere nga ky shërbim u sulmuan në vendin e punës. Njerëzit që vijnë në ndihmë kur e kemi më së vështiri meritojnë kushte dinjitoze pune dhe siguri gjatë kryerjes së detyrës së tyre. Të dyja janë obligim yni“, deklaroi Klekovski.
Si pjesë e reformave, ministri paralajmëroi edhe vendosjen e një protokolli kombëtar për triazhim, përmes të cilit do të përcaktohet shkalla e urgjencës së gjendjeve shëndetësore dhe koha brenda së cilës pacientët duhet të marrin ndihmë mjekësore. Gjithashtu, është paralajmëruar formimi i një qendre kombëtare të dispeçerisë për koordinimin e të gjitha ekipeve dhe automjeteve në vend.
Sipas tij, në vend ka 243 ekipe të Ndihmës së Shpejtë, por shërbimi në Shkup është i ngarkuar shtesë edhe me sigurimin e mbështetjes shëndetësore në ngjarje të mëdha dhe vizita protokollare, si dhe me transportimin e pacientëve nga jashtë vendit.
Me qendrën kombëtare të dispeçerisë do të mundësohet angazhimi i ekipeve nga rajonet e tjera kur shërbimi në Shkup është i mbingarkuar, si dhe vlerësimi më i mirë se cili ekip mund të arrijë më shpejt në vendin e ndërhyrjes.
Klekovski informoi se nga 100 automjetet e reja për Ndihmën e Shpejtë, 26 janë të dedikuara për Shkupin. Me to, siç tha ai, numri i automjeteve funksionale të shërbimit do të rritet nga 140 në 200. Gjithashtu, në dhjetor pritet të shpallet tenderi për furnizimin e 50 automjeteve të tjera, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Ministri shtoi se po shqyrtohet edhe mundësia e angazhimit të paramedikëve në shërbimet e zjarrfikësve, ndërsa programet për trajnimin e tyre janë përgatitur. Si një nga problemet më të mëdha aktuale të Ndihmës së Shpejtë, ai përmendi mungesën e shoferëve.
Klekovski dje shkroi në Facebook se në mesin e komenteve më të shpeshta në postimin e tij, ku kërkoi përgjegjësi penale për sulmin ndaj punonjësve shëndetësorë, kishte shumë komente që kishin të bënin me funksionimin e Ndihmës së Shpejtë. Ndër ankesat e qytetarëve, siç tha ai, janë pritjet e gjata, mungesa e ekipeve dhe refuzimi i thirrjeve për ndërhyrje.
“Pyetja që u ngrit në komente ishte: kush e ngre pacientin kur në shtëpi nuk ka kush ta ndihmojë? Kjo nuk është çështje mjekësore, por është një pyetje e vërtetë dhe nuk do të shtirem sikur nuk ekziston. Suksesi nuk do të matet me asnjë postim apo komunikatë. Do të matet me një gjë: sa pret një person nga momenti kur telefonon në numrin 194”, tha ai.