Ushtruesi i detyrës së shefit të Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Sofje është thirrur dje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, pasi një deputeti të parlamentit bullgar, dy ditë më parë, nuk iu lejua hyrja në vend, transmeton Portalb.mk.
Siç thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të MPJ-së bullgare, deputetit dhe kryetarit të Komisionit parlamentar për bullgarët jashtë vendit, Angel Georgiev, më 27 shtator nuk iu lejua të hynte në Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit, Georgiev, si anëtar i një delegacioni parlamentar bullgar, duhej të merrte pjesë në një seancë të procesit gjyqësor që zhvillohet në Gjykatën Themelore në Koçan, kundër Iva Mihaillovës, e cila ishte caktuar për të nesërmen, më 28 shtator.
Gjatë takimit, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë kërkoi shpjegim për arsyet e vendimit të autoriteteve të Maqedonisë për të mos lejuar deputetin të kalonte kufirin, veçanërisht duke pasur parasysh se Georgiev gjatë muajve të mëparshëm kishte hyrë pa pengesa në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të njëjtin qëllim.
Nga MPJ-ja bullgare thonë se kanë deklaruar qartë se veprimet e ndërmarra nga pala maqedonase i konsiderojnë provokuese.
Ndryshe, Iva Mihaillova po gjykohet në Koçan për një aksident trafiku me pasoja fatale, i cili ndodhi vitin e kaluar.
Në lidhje me procesin gjyqësor, së fundmi në mediat bullgare është shfaqur babai i Mihaillovës, Simeon Mihailov nga Koçani, ndaj të cilit Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka shpallur fletarrestim ndërkombëtar dhe i cili është dënuar me vendim të formës së prerë me 12 vjet e gjashtë muaj burg në rastin “Detonator”.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nuk arrijnë t’i qetësojnë raportet. Përpara kësaj, u sulmua dy herë Ambasada e Bullgarisë në Maqedoninë e Veriut – fillimisht në janar, kur u thye xhami i derës hyrëse, ndërsa në qershor u dogjën dy automjete të misionit diplomatik, për rastin e të cilit më pas u ngrit edhe aktakuzë ndaj të dyshuarit. Në muajt e fundit, tensionet diplomatike u shtuan edhe pas demarshit të Shkupit ndaj ambasadorit bullgar dhe një tjetër përplasjeje lidhur me publikimin e një note diplomatike për udhëtimin e familjarëve të kryeministrit Hristijan Mickoski në Bullgari, për çka Shkupi kërkoi shpjegime nga Sofja.