Incidenti me djegien e automjeteve para Ambasadës Bullgare në Shkup ka shkaktuar reagime të forta në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari. Policia reagoi menjëherë dhe arrestoi një 44-vjeçar nga Shkupi, i cili dyshohet për incidentin. Marrja në pyetje pritet të zbulojë motivet e djegies së automjeteve. Kryeministri Hristijan Mickoski e dënoi incidentin në të cilin u dogjën automjete në pronësi të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup, duke theksuar se autori u identifikua dhe u arrestua shpejt, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.
“Qëndrimi im është i njëjtë me atë të Qeverisë; ne e dënojmë fuqishëm këtë ngjarje kriminale. Personi që e ka kryer këtë vepër është ndaluar dhe aktualisht po merret në pyetje për të parë motivet dhe çfarë ka ndikuar që kjo të ndodhë”, tha ai në një intervistë për TV Alsat.
I pyetur nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar, Mickoski tha se do të përmbahet nga komente të mëtejshme derisa të përfundojë hetimi, duke shtuar se i dyshuari e ka pranuar veprën dhe se më shumë detaje priten pas përfundimit të marrjes në pyetje.
Dënimi për incidentin erdhi si nga autoritetet e Maqedonisë ashtu edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë. MPJ bullgare vlerësoi se djegia është rezultat i retorikës agresive politike dhe nxitjes së urrejtjes, duke kritikuar mungesën e reagimit institucional në raste të mëparshme.
Edhe presidentja bullgare Ilijana Yotova reagoi ashpër.
“E dënoj me forcë djegien e automjeteve diplomatike në Ambasadën Bullgare në Maqedoni. Ky nuk është një krim i zakonshëm, por një sulm i papranueshëm ndaj një misioni diplomatik, që vë në pikëpyetje aftësinë e autoriteteve në Maqedoninë e Veriut për të garantuar sigurinë e misioneve diplomatike të huaja në përputhje me detyrimet e tyre ndërkombëtare”, tha ajo.
Sipas Yotovës, është shqetësuese që ky incident ndodh në sfondin e një “retorike të vazhdueshme antibullgare dhe një atmosfere intolerance, e cila prej vitesh mbetet pa kundërpërgjigjen e nevojshme institucionale”.
“Veprime të tilla nuk ndodhin në vakum – ato janë pasojë e drejtpërdrejtë e mbjelljes së urrejtjes dhe pandëshkueshmërisë”, tha ajo.
Ajo kërkoi veprim të menjëhershëm, transparent dhe efikas nga organet kompetente në Maqedoninë e Veriut për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve dhe nxitësve të mundshëm.
“Shpejtësia dhe vendosmëria e reagimit do të jenë një test i qartë për përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj sundimit të ligjit, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane. Integrimi evropian nuk është vetëm një qëllim politik, por edhe një përgjegjësi”, theksoi Jotova.
Sipas saj, një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian duhet të garantojë pa kushte sigurinë e misioneve diplomatike, të luftojë gjuhën e urrejtjes dhe të tregojë respekt ndaj fqinjëve jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.
Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, zhvilloi një bisedë telefonike me ministren bullgare Velisllava Petrova-Çamova dhe e dënoi ashpër incidentin.
“Ministria ofron mbështetje të plotë për institucionet kompetente në drejtim të një hetimi të shpejtë, efikas dhe transparent, me qëllim që të përcaktohet përgjegjësia dhe autori të sanksionohet në mënyrë adekuate”, deklaroi Mucunski.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut e cilësoi ngjarjen si një akt vandal dhe të papranueshëm. Në deklaratë thuhet se veprime të tilla përbëjnë sulm ndaj sigurisë, marrëdhënieve diplomatike dhe të drejtës ndërkombëtare.
“Si qeveri duam të dërgojmë një mesazh të qartë se çdo përpjekje për të shkaktuar tensione do të ndëshkohet”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se është arrestuar një 44-vjeçar nga Shkupi. Gjithashtu është gjetur veshja që ai kishte veshur në momentin e kryerjes së veprës. MPB-ja, në koordinim me prokurorin publik, po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.
Në faqen zyrtare të MPB-së është publikuar një video ku shihet autori duke djegur dy automjetet dhe më pas duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Incidenti ndodh në një periudhë të ndjeshme të marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Ky incident nuk është i pari i këtij lloji që ndodh ndaj Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, pasi më 11 janar 2026 ndodhi edhe një sulm tjetër kur një person i panjohur theu xhamin e derës hyrëse të ambasadës dhe u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas autoritetet e identifikuan dhe e arrestuan të dyshuarin, duke e trajtuar rastin si vandalizëm ndaj misionit diplomatik.
- LEXO: (VIDEO) Policia e RMV-së ka arrestuar qytetarin i cili i ka djegur dy veturat e Ambasadës së Bullgarisë
- LEXO: Një person i panjohur u vuri flakën disa automjeteve në Ambasadën e Bullgarisë, reagoi Qeveria e RMV-së
- LEXO: Sulm në ambasadën bullgare në RMV, reagime nga Sofja dhe autoritetet në Shkup