Vdekja e 13-vjeçarit në Çair rikthen alarmin për dhunën mes moshatarëve, institucionet reagojnë vonë

Vdekja e fëmijës trembëdhjetëvjeçar, i cili ndërroi jetë si pasojë e lëndimeve pas incidentit të dhunshëm në Çair, duhet të jetë sinjal që shteti përfundimisht të marrë masa gjithëpërfshirëse për t’i mbrojtur fëmijët nga dhuna, bëjnë thirrje nga Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Bëhet fjalë për përleshjen që ndodhi natën vonë më 31 gusht, mes djemve të moshës nga 13 deri në 19 vjet, në të cilën u lënduan tre djem. Sipas policisë në incident janë përdorur thika, shkopinj gome dhe shkopinj bejsbolli. Djali që ndërroi jetë në klinikën e Shkupit për ditë me radhë luftoi për jetën, pas lëndimit të rëndë nga goditja me thikë në gjoks, transmeton Portalb.mk nga Kolegium.

Katër nga pesë djemtë që morën pjesë në përleshje ishin të mitur, ndërsa një i moshës madhore. Policia e ndaloi djalin 13-vjeçar i cili ua shkaktoi plagët me thikë moshatarëve të tij. Nga Prokuroria sot duhet të përgjigjen nëse do të ketë ndryshime në kualifikimin e veprës penale në vrasje, pasi djali i cili u godit me thikë ndërroi jetë.

OJQ-të kërkojnë që institucionet të marrin përgjegjësi për dhunën ndërmjet moshatarëve

Reagimi i koalicionit “Zëri kundër dhunës“ ngre problemin kryesor, heshtjen institucionale, mungesën e parandalimit sistemik dhe praktikën e hedhjes të fajit te fëmijët, në vend të marrjes së përgjegjësisë nga shërbimet kompetente. Organizatat kërkojnë hetim të menjëhershëm për të gjitha sinjalet e mëparshme dhe përgjegjësi nga shërbimet kompetente para se tragjeditë të bëhen të pakapërcyeshme.

Nga koalicioni theksojnë se shërbimet kompetente nuk duhet të presin që dhuna të përshkallëzohet deri në përfundim fatal për të treguar gatishmëri për veprim. “Zëri kundër dhunës“ dërgoi sërish kërkesa konkrete deri te Qeveria për hetim të rrënjësishëm të të gjitha denoncimeve të mëparshme të lidhura me rastin e djalit 13-vjeçar dhe njoftim publik për lëshimet e konstatuara.

Qëndrimi i tyre është se pas çdo ngjarjeje të tillë tragjike fokusi gabimisht drejtohet drejt etiketimit të të miturve dhe paralajmërimeve për dënime më të rrepta, për të cilat praktika ka treguar se nuk zbatohen.

Premtimi i fundit për dënime më të rrepta ishte nga ministrja e arsimit Vesna Janevska nga fundi i vitit të kaluar shkollor, e cila paralajmëroi ndryshime ligjore me të cilat parashiheshin gjoba me para për prindërit e fëmijëve dhunues.

“Me 250 euro do të dënohet çdo prind i fëmijës që sillet dhunshëm në shkollë, por edhe nëse ai prind nuk dëshiron të bashkëpunojë me shkollën ose me institucionet e tjera“, deklaroi Janevska në qershor.

Ndryshimet e ligjit hyrën në procedurë parlamentare dhe aty ngecën. Propozimi ende nuk e ka kaluar votimin përfundimtar për të hyrë në fuqi.

Kërkesat e sektorit joqeveritar përfshijnë sigurimin e ndihmës psikologjike falas për familjet e cenuara dhe vendosjen e një monitorimi të pavarur civil mbi institucionet.

“Premtimet pa buxhet dhe pa afate të përcaktuara nuk janë masa. Publiku kërkon sistem funksional në të cilin asnjë fëmijë nuk do ta humbasë jetën për shkak të injorimit të sinjaleve paralajmëruese“, apelojnë nga “Zëri kundër dhunës“.

Shtatori filloi me një sërë incidentesh të dhunës ndërmjet moshatarëve

Ndërkohë, nga fillimi i këtij viti shkollor e deri më tani në 28 ditët e kaluara publiku është dëshmitar i një sërë incidentesh të lidhura me dhunën ndërmjet moshatarëve për të cilat institucionet heshtin.

Vetëm dy ditë më parë një nxënës i klasës së parë ishte viktimë e bullizmit në sallën e sportit në shkollën e tij ku nxënës më të rritur e kanë zhveshur atë lakuriq. Fëmija gjashtë vjeç e gjysmë është sulmuar fizikisht, është zhveshur dhe xhiruar me orë smart në dhomën e zhveshjes së sallës së sportit në një shkollë fillore në Koçan. Rastin e ka denoncuar babai i fëmijës, një 42-vjeçar nga Koçani, thuhet në buletinin e policisë.

Nga fillimi i vitit 2026 deri në muajin qershor janë regjistruar 93 incidente në 64 shkolla, ose përafërsisht një rast në çdo dy ditë.

Ilustrim: Portalb.mk. Burimi: Kolegium.mk

Nga sektori joqeveritar theksojnë se dënimi si i tillë nuk e identifikon rrezikun dhe përkujtojnë se institucionet arsimore, qendrat për punë sociale dhe shëndetësia kanë obligim të zbatojnë masa mbrojtëse çdo ditë, në vend që t’i kalojnë kompetencat ligjore te njëra-tjetra përderisa viktimat mbeten pa ndihmë profesionale.

“Për të satën herë kërkojmë që shteti të marrë masa gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna. Sot kërkojmë edhe përgjigje: Kush ka qenë i obliguar që t’i identifikonte sinjalet paralajmëruese, a ka pasur sinjale të mëparshme dhe çfarë kanë bërë institucionet kompetente?“, thuhet në njoftimin e tyre.

Organizatat insistojnë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës t’i rishikojë rregulloret dhe protokollet ekzistuese, me qëllim që ato ta identifikojnë saktësisht dhunën nga urrejtja dhe dhunën me bazë gjinore.

Studimi i fundit i përgatitur nga Qendra për Veprim Psiko-Social dhe në rast Krize në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Popullatën – UNFPA tregon se edhe fëmijët që kanë raportuar se i keqtrajtojnë moshatarët kanë nevojë për mbështetje.

Krahasuar me fëmijët e tjerë ata më shpesh raportojnë shqetësime psikosomatike, depresion dhe vështirësi në përballimin e problemeve të përditshme. Në këtë grup posaçërisht të cenuara janë vajzat 15-vjeçare, ndërsa një në dhjetë fëmijë që kanë raportuar se i keqtrajtojnë të tjerët ka thënë se gjithmonë ndihen të vetmuar.

Hulumtimi nxjerr në pah se si fëmijët që pësojnë dhunë, ashtu edhe ata që e ushtrojnë atë, janë të ekspozuar ndaj rrezikut për shëndetin mendor dhe fizik. Prandaj, për ta ndërprerë rrethin e dhunës e nevojshme është që të analizohen shkaqet e sjelljes dhe të sigurohet ndihmë profesionale në kohë.

Sipas studimit HBSC 11 përqind e fëmijëve kanë deklaruar se kanë qenë të ekspozuar ndaj dhunës fizike, si goditje ose shtyrje, të paktën dy deri në tri herë në muaj gjatë disa muajve të fundit. Përvojë të tillë kanë raportuar 14 përqind e djemve dhe 9 përqind e vajzave. Përveç kësaj, gjashtë përqind e vajzave kanë deklaruar se kanë përjetuar dhunë fizike një ose dy herë gjatë muajit të kaluar. Këto të dhëna janë pjesë e një hulumtimi voluminoz i cili është realizuar në terren në vitin 2022, ndërsa hulumtimi është publikuar më 5 qershor të vitit 2025.

Mirëpo, trend i tillë i dhunës ndërmjet moshatarëve vihet re edhe këtë vit, ku nga fillimi i vitit shkollor në media mund të shihen të paktën katër publikime për bullizëm dhe incidente të lidhura me dhunën ndërmjet moshatarëve.

Paraprakisht, kah mesi i muajit maj të vitit 2026, në një shkollë fillore në komunën e Shkupit, Gazi Babë (lagjja Hasanbeg), një ngjarje ka shkaktuar shqetësim serioz në opinion për shkak të eskalimit të dhunës ndërmjet moshatarëve. Nxënësi pesëmbëdhjetëvjeçar ka sulmuar nxënësin e klasës së nëntë në oborrin e shkollës, duke i shkaktuar lëndim të rëndë trupor me thikë në bark. Djali i plagosur u operua me urgjencë dhe kaloi disa ditë në gjendje kritike për shëndetin. Në korrik, një 12-vjeçar u sulmua dhe u godit me thikë në Shutë Orizare.

Të dhënat e fundit të UNICEF-it të publikuara gjatë vitit të kaluar shkollor tregojnë se problemi është shumë më i madh, përkatësisht 23 përqind e të rinjve të moshës nga 13 deri në 15 vjet kanë raportuar se janë keqtrajtuar nga moshatarët gjatë muajve të fundit.

Ndër kërkesat kyçe të një pjese të sektorit joqeveritar është edhe rikthimi i përmbajtjeve të edukimit seksual gjithëpërfshirës në planprogramet mësimore. Përmbajtjet e tilla i mësojnë nxënësit se si t’i tejkalojnë konfliktet në mënyrë jo të dhunshme, se si ta identifikojnë abuzimin dhe se si të kërkojnë ndihmë në kohë.

Kur temat e këtilla përjashtohen nga planprogrami mësimor, sistemi arsimor drejtpërdrejt i lë fëmijët pa mjetet për sigurinë e tyre personale.

Dhuna ndaj fëmijëveDhunë - DhunaMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Organizata Joqeveritare (OJQ)Rrjeti kundër dhunësShkolla filloreShkolla të mesmeTë rinj - Rini - RiniaVesna Janevska