Pas përfundimit të procedurës hetimore, një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka dorëzuar aktakuzë kundër një personi për veprën penale – Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, transmeton Portalb.mk.
Të akuzuarit i ngarkohet akuza se më 15 qershor të këtij viti, rreth orës 12:05, para Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup, duke shkaktuar zjarr, ka krijuar rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe trupin e personave nën mbrojtje sipas të drejtës ndërkombëtare.
“Sipas veprimeve të përshkruara në aktakuzë, i akuzuari paraprakisht kishte mbushur një shishe plastike me benzinë në një pikë karburanti në afërsi të Ambasadës dhe ishte drejtuar drejt objektit. Pasi është afruar te automjetet e parkuara që i përdorte atasheu ushtarak i Republikës së Bullgarisë dhe punonjës të tjerë të Ambasadës, i ka spërkatur me benzinë dhe u ka vënë flakën, pas së cilës menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Së bashku me aktakuzën, prokurori publik i ka dorëzuar gjykatës edhe propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit të përcaktuar më herët, duke vlerësuar se ende ekzistojnë arsyet për të cilat masa ishte caktuar dhe vazhduar.
Sipas Prokurorisë, rrethanat tregojnë se ekziston rreziku që i akuzuari të bëhet i paarritshëm për organet e ndjekjes dhe në këtë mënyrë të pengojë zhvillimin e procedurës penale. Gjatë propozimit të masës janë marrë parasysh edhe lartësia e dënimit të paraparë për veprën penale, si dhe natyra e veprimeve për të cilat akuzohet, të drejtuara ndaj sigurisë dhe të drejtave të personave nën mbrojtje sipas të drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe përfaqësuesit diplomatikë.
Në përputhje me dispozitat e Kodit Penal, për veprën penale për të cilën akuzohet personi parashihet dënim me burgim prej së paku një viti.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme më 17 qershor ka ngritur kallëzim penal kundër I.D.S i cili dyshohej se ka djegur veturat e Ambasadës Bullgare në Shkup. Ai e pranoi kryerjen e veprës. Në faqen zyrtare të MPB-së u publikua edhe video ku shihet autori duke djegur dy automjetet dhe më pas duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Incidenti ndodh në një periudhë të ndjeshme të marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Ky incident nuk është i pari i këtij lloji që ndodh ndaj Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, pasi më 11 janar 2026 ndodhi edhe një sulm tjetër kur një person i panjohur theu xhamin e derës hyrëse të ambasadës dhe u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas autoritetet e identifikuan dhe e arrestuan të dyshuarin, duke e trajtuar rastin si vandalizëm ndaj misionit diplomatik.
- LEXO: Do të hetohet nëse shkupjani që i dogji veturat e Ambasadës së Bullgarisë ka marrë porosi dhe me kë ka komunikuar
- LEXO: Kallëzim penal për autorin e djegies së veturave të Ambasadës Bullgare, e pranoi fajin
- LEXO: Tensione të reja mes Bullgarisë dhe Maqedonisë pas djegies së automjeteve
- LEXO: (VIDEO) Policia e RMV-së ka arrestuar qytetarin i cili i ka djegur dy veturat e Ambasadës së Bullgarisë
- LEXO: Një person i panjohur u vuri flakën disa automjeteve në Ambasadën e Bullgarisë, reagoi Qeveria e RMV-së
- LEXO: Sulm në ambasadën bullgare në RMV, reagime nga Sofja dhe autoritetet në Shkup